top of page

Osman Xhili: ZIJA   KESHI, SHKENCETARI ME DIPLOMAT E PUNEVE TE BUKURA.

3 hours ago
6 min read

(Pjesë nga libri : "Shkolla e Majtarës")

  Ka shumë njerëz sot në Shqipëri, që kanë marrë një thes me çertifikata e diploma për të mbuluar idiotësinë dhe paaftësinë e tyre. Dosja e tyre është e plotë, e pasur, një sivi, që gjithkush do ta lakmonte, po të ishte e vërtetë.

  Zija Keshi nga Maqëllara e Dibrës ka provuar një rrugë tjetër, më të vështirë, më kurajoze, por me më shumë bereqet për veten e tij, familjen dhe shoqërinë.

 Ai provoi shumë angazhime në jetë, bujqësinë e vogël familjare, fermën e lopëve, emigracionin në Itali, derisa në vitin 2013 u hap një dritare e re për të. Në një seminar trajnues në drejtorinë e bujqësisë në Dibër, ai takoi profesor Kosta Hajkolën dhe kolegë të tij nga Instituti i Shkodrës. Për herë të parë në jetë imagjinata e tij u përflak me drurë, bimë, shkurre e lloj lloj bimësie që gjendeshin apo mund të krijoheshin në habitate të caktuara.

  Në një bllok të vogël mbajti ca shënime, ca emra latinisht të aronies, paulonies dhe bimëve të tjera me interes kultivimi, pinë dhe një kafe pune me profesorat e nderuar dhe u nis për misionin e tij.

  Nuk ishte një mision i lehtë, qoftë në kohë, qoftë në vështirësi e përgjegjësi. Kështu filloi ngjitja e një mali të vështirë, me hapa të vegjël, por të sigurtë. Kishte ndonjëherë dhe ndonjë hap fals, por që shpejt analizohej dhe korigjohej.

  Në vitin 2014 Zijai mbolli mbi pesë dynymë me Aronia, një bimë kjo e ngjashme me boronicën e malit. Sot, pas më shumë se një dekade, ai e ka të pranishme këtë bimë në parcelën e tij, me një prodhim gjithmonë në rritje e me kërkesa të vazhdueshme nga konsumatorët e shumtë.

   Vetëm dy vjet më vonë ferma e Zijait u shtua me disa “banorë” të rinj. Molla e Tibetit, goy bery, dhe dardha japoneze u futën për eksperimentim. Fillimisht vetëm nga pesë fidana. Për tre vite me radhë ato do të ishin nën vëzhgim, koha e lulëzimit, frutifikimi, madhësia e kokrrave, koha e pjekjes, përqindja e sheqerit, ambientimi me klimën e Dibrës.

 Viti 2017 pati të tjera surpriza për fermën Keshi. Molla dhe dardha kubaneze, si dhe dardha kineze me tul të kuq e shtuan numrin e specieve në fermë. Në të njejtën mënyrë ato do ti nënshtroheshin testit trevjeçar.

  Vetëm një vit më vonë Zijai ka porositur t’i vijë molla siberiane e egër. Askush nuk e kishte kultivuar më parë në Shqipëri. Karakteristikë e saj është tuli i kuq, gjysëm i thartë, gjysëm i ëmbël, mjaft e mirë për uljen e tensionit. Mjaft interesant fakti, se konsistenca e saj qëndron vetëm për dy javë e më pas zbutet, por Zijai ka një mendim mjaft produktiv. Do t’i kthejë në komposto mollët e vjelura, duke ruajtur kështu gati të plota vlerat e frutit.

  Po këtë vit erdhi dhe një kontigjent me fidana të lajthisë turke, gati e egër, me gjethe të kuqe, mjaft prodhuese.  Zijai pretendon se është i vetmi në Ballkan, që e kultivon këtë specie.

   Për çdo vit që kalon shtohet diçka e re në fermën eksperimentuese të Zija Keshit. Kështu erdhën  800 lajthi të buta italiane, si dhe 9 fidanë të bananes së egër, Banania di montania, me fruta si patate.

  Viti 2020 ishte jo pak i begatë në sjelljen e llojeve të reja për tu provuar, testuar e për të kaluar pastaj në prodhimin masiv. Zijai qëndron i fortë si shkëmb, një juri e pakorruptueshme. Ai di të klasifikojë qartë, se cilat lloje janë për zonat e ulta dhe cilat për zonat malore, cilat duan lagështirë më shumë e cilat më pak.

 Në fermën e tij kanë zbritur mjedra e butë dhe mjedra e egër e Korabit, në dy trajtat e saj, të egër dhe të butë. Por Zijai tashmë pa frikë mund të quhet një shkencëtar i vërtetë. Duke qenë një mjeshtër i shartimit, ai provon se ç’farë do të dalë nga shartimi i mjedrës së egër me luleshtrydhen, apo i mjedrës së egër me ananasin.

  Të tjera surpriza pati Zijai në vitin 2021. Dy lloje arash amerikane, ajo me tul të kuq dhe tjetra kokërrgjatë me emrin Pekan. Kjo e fundit, tregon Zijai, thyhet me dorë dhe kushton rreth 40 euro kilogrami. Veç kësaj, ky ishte viti i ardhjes së pesë variteteve të rrushit Serezi, që piqet në korrik. Janë pesë ngjyra të ndryshme dhe pesë shije asnjëra njësoj, gjë që e bën më interesant.

  Një vit më vonë, në fermë do të ketë dhe katër varitete dardhash kubaneze. Secila prej tyre piqet në një muaj të veçantë, korriku, gushti, shtatori e tetori, duke krijuar kështu një konvejer të bukur konsumi. Padashje, një vlerësim dhe admirim i heshtur më del nga zemra e nga shpirti për këtë njeri, sa të thjeshtë e aq të pasionuar e të talentuar. Kur të tjerët nuk e dinë termin “dardhë kubane”, Zijai e di origjinën e tyre, karakteristikat botanike e biologjike, kohën e pjekjes, madhësinë e frutit, kërkesat ndaj tokës e shumë cilësi të tjera. Duam apo nuk duam, Zijai është ngritur në nivelin e një shkencëtari. Sot ka shumë pseudoshkencëtarë me doktoratura të blera, që asgjë nuk i kanë dhënë njerëzimit, kurse ky njeri nuk e bën as dhe gjumin tamam, duke menduar projektin për ditën e nesërme.

  Në vitin 2023 e në vazhdim Zijain e kanë tërhequr mjaft disa varitete rrushi pa fara, kryesisht të prodhuara në Amerikë, Safira, Globe dhe Autumn krisp. Më tej, harta u zgjerua dhe me së varitete të tjerë rrushi, sërish të llojeve pa fara. Ai i provon, i sharton, i shumëzon me mënyrat dhe teknikat e tija dhe pasi nxjerr konkluzione të sakta e sugjeron tek të tjerët. Disa varitete, kanë më shumë vlera dekorative, të tjera për prodhim të gjerë, disa për zona të ngrohta me klimë mesdhetare e të tjera akoma për zona kodrinore malore si Dibra.

  Vetëm para pak ditësh ai bëri vjeljen e një fruti vërtet interesant e shumë pak të dëgjuar, të quajtur Kivana meloni. Është një lloj bime, apo frut afrikan, që i ngjan bostanit, me fuqi të madhe prodhuese. Zijai i numëron frutat e një bime të vetme dhe i rezultojnë 65 të tillë. Duke i konvertuar në peshë, kapet shifra 25 kg. Shumëkujt mund ti duket e habitshme, por unë e pashë me sytë e mi, kurse Zijai bëri një vidjo për ta parë shumë njerëz në rrjete sociale. Pastaj, se mos është kjo surpriza e parë dhe e vetme, që na ka dhuruar ky njeri pasionant?

  Dikur Zijain e njihnin vetëm miqtë e shokët në Maqëllarë e Dibër. Sot, falë kësaj pune titanike, ai ka miq, klientë e bashkëpunëtorë në të katër anët e Shqipërisë, madje dhe jashtë vendit. Klientët janë shumë të kënaqur me porositë që marrin dhe sugjerojnë të tjerë miq e shokë. Por Zijai nuk ka ndërmend që ta ndalë vrapimin e tij në fushën kërkimore shkencore. Ai thotë si me të qeshur, se nuk keni parë gjë akoma.

  Para pak vitesh dy autobuza me profesorë universitetesh nga Tirana dhe Durrësi u ndalën në Majtarë, tek kopështi eksperimental i Zija Keshit. Ata e pyesnin pronarin për bimët dhe pemët, që kishin para syve, shumicën e të cilave nuk i kishin parë kurrë më parë, madje as dëgjuar për to. Zijai po u shpjegonte me detaje për çdonjerën prej tyre. Ç’kishte ndodhur në të vërtetë? Si kishin ndryshuar kahjet? Profesorat duhej ti shpjegonin Zijait, apo ky i fundit atyre?

    Thamë që puna dhe rezultatet e Zija Keshit kanë kapërcyer dhe kufinjtë e Shqipërisë. Në vitin 2019 një gazetar i “Dojçe veles”ishte informuar dhe interesuar për heroin tonë. Ai kishte marrë me vete dhe një nga agronomët më të mirë të Bashkimit europian. Biseda po bëhej në përgjithësi, por më e fokusuar tek kultura e Aronies, me të cilën Zijai ka mbi pesë dynymë. Agronomi i B. E së e pyet me hollësi për të gjitha hallkat e prodhimit të kësaj kulture, që nga punimi i tokës, deri në vjelje. Në fund të bisedës, do që të shuaj kureshtjen, se përse vjeljen e bën akoma me dorë, kur kanë dalë krëhëra specialë, me të ciët lehtësohet mjaft ky proçes.

 - E di, i përgjigjet Zijai, por të mos harrojmë se atje kapet fruti me trungun dhe gjenden sythët prodhues për vitin tjetër. Nëse e bëjmë mbledhjen me krëhër ata dëmtohen dhe prodhimi do të jetë më i mangët në vitin pasardhës. Agronomi dhe gazetari mbeten të surprizuar nga kjo përgjigje kaq elokuente dhe e përgëzojnë maksimalisht për ato çka ka arritur ky njeri i thjeshtë.

   Në të gjitha këto arritje Zijai nuk ka pasur dorën e shtetit në asnjë moment, por vetëm përkushtimin, këmbënguljen dhe vizionin e tij. Sigurisht, ndihma e Zotit dhe e familjes ka qenë gjithmonë prezente. Urime gjigand! Urime ambasadori ynë, që po e çon zërin e vendlindjes në skajet më të largëta të vendit dhe më tej kufinjve të saj!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page