top of page

Osman Xhili: KLODIAN CAMI, DJALI FISNIK E VIZIONAR


KLODIAN CAMI, DJALI FISNIK E VIZIONAR I VIÇISHTIT.



Klodiani ishte vetëm 14 vjeç, kur babai i tij, Remzi Cami ndërroi jetë në një moshë mjaft të re. Atje në Viçishtin e largët mes malesh, disi i izoluar nga jeta reale, djali filloi të mendojë e të piketojë hapat që do të hidhte në jetë. Në fakt, shumë pak gjëra kishte për të zgjedhur. Jeta i kishte lënë hapësira tejet të vogla, ku mund të penetronte. Shkolla e mesme ishte larg, më i afërti ishte gjimnazi i Shupenzës, që mbante të paktën dy orë në këmbë. Kur po bëhej gati të mbaronte vitin e dytë, në këtë shkollë, një incident i pakëndshëm e ndryshoi disi rrjedhën e gjërave.

Njëri nga mësuesit e fyen rëndë një shokun e tij. Klodi ngrihet në mbrojtje të shokut. Ai kishte qenë dy vite në medrese. Ishte pak më i madh në moshë se të tjerët, më i pjekur, por dhe trimëria e guximi nuk i mungonte, siç e kishte pasur gjithmonë fisi Cami. Bën fjalë dhe grindet me mësuesin, madje problemi shkon deri në grisjen e faqes së regjistrit. Megjithë respektin që kishin për Klodin, ai nuk mund të vazhdonte më në atë shkollë. Dy vitet e tjera të gjimnazit i bën në Maqëllarë, me shumë mund, lodhje e peripeci nga më të ndryshmet.

Për momentin nuk e shihte Shqipërinë si trampolinën e parë për të kërcyer në dallgët e jetës. Si shumë të rinj shqiptarë u nis drejt Italisë fqinje, por jo me skaf, por fuoristradë, ku ishin ngjeshur tetë nëntë veta. I lanë diku në pyjet e Triestes, pa ushqim, pa gjuhë, vetëm me pak aspra në xhepa dhe me shpresën, se do ti ndihmonte Zoti i Gjithmëshirshëm.

Për gati dy vjet qëndroi në Napoli. Vërtet me punë të vështira e të rëndomta, por gjithsesi dukej si një luks dhe me shumë vlera. Aty do të mësonte gjuhën, aty po përgatitej të bëhej me letra italiane, aty kuptoi se çdo punë e ndershme është gjithmonë me vlera dhe e respektuar. Më tej i lindi dëshira për të vazhduar shkollën e lartë në degën gazetari e shkenca komunikimi.

Për të plotësuar ambiciet e tij i duhej një terren tjetër, disi më i avancuar se Napoli dhe Klodiani përzgjodhi Rexhio Emilian. Vërtetë ai ishte një qytet i vogël, por kishte disa vlera specifike. Ai qytet konsiderohej nga italianët, si Vlora jonë për ngritjen e Flamurit, ai ishte qyteti i Romano Prodit, një figurë e rëndësishme e Italisë dhe aty ishte një komunitet jo i vogël shqiptarësh, mbi dhjetë mijë persona.

Klodiani nuk kishte një profesion të veçantë, por gjithsesi kishte një aftësi dhe nuhatje të veçantë. Në kohën e pandemisë, kur të gjithë u tulatën dhe u strukën, ai mendoi se mund të bënte diçka ndryshe. Filloi një shitblerje furgonash, që në fakt do të ishte dhe fillesa e një investimi të frutshëm në fushën e transportit. Më tej ambiciet e tij u hodhën dhe në fushën e ndërtimtarisë. Shpesh, ndërtesa të vjetra blerë me një çmim shumë të volitshëm, transformoheshin falë një investimi modest në vila të lakmuara e të kërkuara nga të gjithë.

Klodian Cami ishte gatuar me një shpirt fisnik, që jo vetëm të fitonte, por dhe të shpenzonte, jo vetëm të merrte, por dhe të jepte për ndihma, bujari e aktivitete nga më të ndryshme.

Përmendëm më sipër, që në qytezën e vogël kishte një komunitet me mbi dhjetë mijë shqiptarë. Kishte filluar në fakt një shenjë organizimi prej tyre, por sërish dukeshin të përçarë e të çoroditur. Përvijoheshin më qartë tre grupe kryesore, një jugor, një verior dhe ai i Tiranës në qendër. Në këtë kohë Klodi kishte njëfarë roli si sekretar i shoqatës. Dukej shumë i vështirë dhe i pamundur bashkimi dhe organizimi i tyre në një trup të vetëm.

Në këtë kohë policia italiane arreston një shqiptar, baba i tre fëmijëve, me një pretendim të paqenë e të pabazë. Shqiptarët vendosin të protestojnë, por nëse nuk dilnin të bashkuar si një trup i vetëm, protesta e tyre do të ishte e flashkët dhe e papërfillshme. Duhej bërë bashkimi i grupeve. Në një nga takimet, kur grupi i jugut me të veriut nuk po gjenin pika kompromisi, dikush propozoi që rolin udhëheqës t’ja linin protokolluesit të takimit, Klodian Camit.

-Lere të shkruarit! - i tha kreu i grupit të jugut. – Ti do të jesh tani e tutje kryetari e drejtuesi ynë! Dhe grupet e tjera ranë dakort. Dukej sikur ky propozim, që erdhi krejt spontanisht, do të ishte formula më e mirë e zgjidhjes së këtij ekuacioni me shumë të panjohura. Klodi i befasuar la stilolapsin për një moment në tavolinë. Ndoshta dhe fjalia, që kishte nisur i mbeti në mes, ndoshta dhe fjala mbeti e tillë. E peshoi në mendje veten e tij. A do të ishte ai në gjendje të bëhej një kryetar dinjitoz, siç ishin pritshmëritë, apo do ta flaknin tej në krye të disa muajve. Po, në fund të fundit, ai vetë nuk e kishte kërkuar këtë gjë. Kur gjërat vijnë natyrshëm, nuk duhet thënë jo.

Ju kujtua një histori, që e kishte dëgjuar nga pleqtë e motshëm dhe i kishte mbetur akoma në mendje. Një familje e madhe e asaj kohe, pothuajse sa një brigadë, kishte humbur kryetarin e saj dhe duhej të zgjidhnin një tjetër. Dhanë

e morën për disa kohë, por pa rezultat. Si rregull ishte, që duhej zgjedhur, në mos më i moshuari, të paktën dikush që të kishte shumë vite mbi supe. Dikur u ngrit njëri prej tyre dhe propozoi një djalë të ri, por shumë të aftë e vizionar.

– Mos bëni shaka! – u tha i riu, - keni plot të tjerë, me më shumë eksperiencë se unë. U bashkuan dhe të tjerët me propozuesin dhe ja lanë barrën e drejtimit djalit të ri.



Teksa rrufisnin kafet e pasbukës në darkë, ishte si rregull që të përcaktohej dhe plani i punës për të nesërmen. Nuk ishin pak, por mbi 30 krah pune.

-Nesër do të korrim grurë! – tha djali i ri, që kishte marrë pozitat komanduese. Përgatisni drapinjtë! Ata të blektorisë e dinë vetë punën. Asnjëri prej të pranishmëve nuk foli. I thithën deri në fund filxhanët e kafesë dhe i lëshuan në tabakanë e madhe, njëri pas tjetrit. Ishte fund maji. Gruri dukej i mbarë e kishte hedhur mjaft shtat, por duhej dhe të paktën një muaj për ta korrur.

Të nesërmen, burrat e familjes muarrën drapinjtë në duar dhe shkuan në parcelën e grurit. Filluan të korrin grurin jeshil, pa folur asnjë fjalë.

- Ndaloni! – foli djali i ri, që kishte marrë drejtimin e familjes, sapo ata korrën dorëzat e para me grurin akoma në ngjyrë të gjelbërt. - Tani po bindem, se me të vërtetë më paski zgjedhur. Kjo ishte një provë dhe ju sapo e kaluat atë. Unë e di mirë, që gruri ishte i papjekur dhe nuk kishte ardhur koha për korrjen e tij.

Klodit ju kujtua kjo histori e dëgjuar në biseda me burra të motshëm dhe pyeti veten, nëse ata e kishin zgjedhur me besim të plotë, apo sa për ta pasur si numër. E gjitha kjo histori i kaloi në mendje brenda një minute dhe Klodiani e kapi menjëherë situatën. Tani nuk ishte më sekretari, që mbante protokollin, por kryetari injë shoqate, që tani e tutje do të merrte vendime të mëdha.

U bëri shenjë përfaqsuesit të jugut dhe atij të veriut të përqafohen. Ata i zgjatën duart njëri tjetrit dhe u përqafuan vëllazërisht, sikur nuk kishte ndodhur në gjithë ato vite. Po, me të vërtetë e paskan zgjedhur në krye të shoqatës, ashtu si djalin e historisë që treguam.

Më tej u shtruan në diskutime të qeta. Zgjodhën organet drejtuese të shoqatës së madhe, caktuan një datë proteste për të kundërshtuar arrestimin e shqiptarit të pafajshëm dhe caktuan grupet e punës. Pas pak ditësh u bë një protestë aq e madhe, sa nuk ishte parë kurrë më parë.

Kanë kaluar shumë vite që atëhere, po bëhet gati i pesëmbëdhjeti. Shoqata është zgjeruar gjithnjë e më tepër, pa dallim përkatësie. Ajo nuk është thjeshtë në letër, por e gjallë dhe aktive.

Shumë shpejt u krijua ekipi i futbollit, që mbante emrin “Shqiponja”, ashtu siç ka emrin shoqata. Djem të rinj, me dëshirë e vullnet, të inspiruar nga Klodiani, presidenti i shoqatës, i ngjitën një nga një shkallët e suksesit dhe tani janë bërë pretendentë për tituj. Jo vetëm kaq, por shoqata ka një vizion të gjërë, duke përfshirë mësimin e gjuhës shqipe dhe historinë e kombit tonë. Janë gjetur klasa për nxënësit, por dhe mësues vullnetarë për ta bërë këtë detyrë fisnike për kombin.

Klodian Cami është djalë i Viçishtit, i këtij fshati mes malesh e pyjesh. Viçishti një fshat, që ka nxjerrë trima e luftëtarë të mëdhenj, por dhe njerëz të dijes e të shkencës, politikanë, historianë dhe shkrimtarë. Të ndarë nga mërgimi, të ndarë nga hallet e jetës, po pse jo të përçarë dhe nga politika, Klodi vendosi t’i bëjë bashkë këta njerëz, qoftë kjo dhe një natë e vetme. Natën e 17 gushtit të këtij viti Klodi e realizoi dëshirën dhe ëndrrën e tij. Para shkollës me emrin e dëshmorit të luftës “Faslli Cani” erdhën qindra njerëz nga fshati, nga qytete të ndryshme dhe nga diaspora. Festuan dhe u kënaqën, u çmallën dhe biseduan me njëri tjetrin, duke u ndjerë më të fortë kështu bashkë. Unë e përmenda shkarazi festën e mrekullueshme, të moderuar aq bukur nga kolosi Dëfrim Methasani dhe nuk dua të futem në detajet e saj. Këtë gjë e ka bërë në mënyrë perfekte, miku ynë i nderuar, gazetari dhe shkrimtari i njohur, Halil Rama.

Foli pak dhe Klodi në atë mbrëmje që do të kujtohet gjatë, ashtu pak, pasi më shumë dëshiron, që të flasë me punët e bukura që bën. Pasi falenderoi gjithë të pranishmit, tha se ky është vetëm një fillim i ri. Gjëra të tjera, akoma më të mëdha dëshiron t’ja bëjë surprizë vendlindjes. Të lumtë Klodian Cami për vizionin dhe bujarinë! Zoti të bekoftë e të ndihmoftë në projektet e tua ambicioze!

176 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page