Ora në Qostek


Atje tej dy Lisa të bëshëm e rrënjëmëdhenj bënin rroje moteve mbi shtëpinë dykatëshe me teliz dhe dalje të dyanshme, që s’dihet se prej kurrë. Dy mollnja të shastisura krekoseshin dy herë në të korra e në të vjela dhe gjithnjë ora e florrinjtë e Gjyshit tim që varej në qostek, i puthiste akrepat mbi shenja romake, gjë që tregonte se ato gatiteshin dy herë në të njëjtën kohë mbi Raduç, e shkrepeshin mbi Stugarë, sikur në të tyren donin të mateshin me forcën e burrave dhe grave të zonës më begatore, më të bukur e më të sinqertë që kohërat e kishin pikëtakuar mbi gurë të latuar, çekic, plumbçe e mastar. Mollnjat e zeza ishin në garë. Por jo me orën e bukur e të trashëguar dyqind vjeçare të gjyshit, e ndoshta prej stërgjyshit të tij. Shquheshin njerëzit mjeshtra të tirqeve, xhubletave, astareve të mëndafshta, dhe sinori u kishte falur atyre pikërisht majën më të lartë të vëzhgonin të gjithë nga pika më e lartë, t’i ndiqnin me sy e me orë, miq e armiq. Se të tillë kishte shumë në kohëra, e në mote të ndryshme… Kisha dëgjuar të thuhej shpesh nga goja e tij “mos na lëntë Zoti pa miq e pa armiq! Pa miq se na mbyllet dera dhe pa armiq se na mbyllen sytë…”

Shtëpia e Gjyshit qëndronte gjithnjë e hapur. E hapur se në mëvetësinë e saj të bashkëngjitur kishte Dyqanin që kishte në zemër të tij mallra nga shtete e vende të ndryshme. Dhe kush nuk kishte trokitur atje. Kush nuk kishte pirë kafenë me xhezve të argjendta dhe kush nuk e kishte dredhur duhanin me fatfun në atë kuti dhe në atë tabaka të papërshkueshme nga bukuria dhe gdhendja artistike në të. Dhe rrugët shpesh kshin vetëm një përgjigje: “Po shkojmë tek Terzinjtë!”

Dhe atë ditë ashtu ishte. Të gjitha rrugët atje të shpinin. Aty ishin nisur burra dhe gra mbi mushka e kuaj, atje ishin nisur të njohur e të huaj, … atje. Atje ku Gjyshi tashmë kishte zgjatur për të fundit herë dorën e tij të dhuronte me shpirt e me bekim atë orë të trashëguar. Dhe sikurse kishte ndodhur, ora i falej dhe i dhurohej pinjollit më të ri, trashëgimtarit të denjë për atë fis, për atë familje, për ato gurë, për ato mure, për atë shtëpi… E ndodhi të isha unë. Unë që disa herë e kisha syxixëlluar atë orë që shkëlqente e tëra në qostekun e Gjyshit.

U afrova dhe loti që kishte bërë detyrën e tij mbi të djathtë, kërceu dhe bëri rikoshetë me kapakët e orës që tashmë kishin arsye të tjera të mbanin frymën e njeriut që e kishin dëgjuar me plotë nëntëdhjetë vite jetë. Kaq ndodhi. E gjitha ishte një transfertë e pashkruar. Vetëm sytë e atyre, normalisht më së shumti të prindërve dhe xhaxhait, kishin arsye të përcillnin me lotë këtë skenë.

Ora tashmë ishte në një trup tjetër. Dhe ai ishte trupi im. Ishte zakon që ora duhej mbajtur me kujdes. Dhe duhej trashëguar…, por ja që …, ja që koha në të cilën ajo tashmë kishte ndërruar udhën e saj, kishte dhe arsye të tjera, kishte arsye që shkonin deri në dhimbje…

Atë vit u fejua motra ime. Dhe koha e kishte prurë në skenë të “traditës” së re orën e dorës, e mjaft gjëra të tjera. Por ora e dorës gjendej vetëm në tregun e zi, vetëm atje ku ndonjë nga shoferët e Albatransportit shisnin orët e sjella kontrabandë dhe fshehurazi, ato orët “Omicron”; “Darëill”, apo dhe të tjera dhe ato bliheshin vetëm me flori. Kështu i kishte ardhur koha orës në qostek…

“Do të blejmë tre ora me të dhe kështu do të kesh orë edhe ti, dhe zgjidhim dhe hallin që kemi…” Kështu dëgjova të më thuhej dhe…, fundja unë isha thjesht një djalosh atëherë, fjala ime kishte dhe s’kishte vendim apo dhe të kundërtën. E kështu u bë. U gjet njeriu i parë.

“Ai afron dy ora dhe jo tre, sepse thotë se nuk është flori gjel, apo monedhë tjetërlloj e florrinjtë!”

Më urdhëruan të mos e dëgjoja atë se do të gjenim një të dytë. Dhe i dyti u gjend shpejt.

“Ai më afroi dy orë dhe një magnetofon…”

Përsëri m’u tha se nuk ishte e përshtashme dhe duhej të prisnim një të tretë.

I treti, katërti, i pesti… i dhjeti … u gjendën, por të gjithë jepnin jo më shumë se një orë.

Atëherë dikush na sugjeroi të shkonim dhe t’ja jepnim Muzeumit dhe gjasat ishin se atje të paktën do të merrnim diçka të mirë dhe jashtë frikës. E kështu u bë. Atje gjetëm një specialist: “Kjo është një kryevepër e vërtetë. Si është e mundur, që ka ekzistuar kjo? ... kjo ka vlera të jashtëzakonshme!”

Dhe unë u ktheva menjëherë në shtëpi. Im Atë, buzëqeshi nga zgjidhja më në fund e hallit dhe përtej dhimbjes për ikjen e asaj ore tha: “Unë e kisha paramenduar se gjithnjë vlera e vërtetë vjen kur ti këmbëngul dhe e kërkon, jo më në një vend ku të shajnë, nëpërkëmbin, përgojojnë, mallkojnë, e të gjuajnë si ndonjë top lecke. Prandaj, sikurse ndodhi me orën, mos u nervozoni, kur dikush që e mban veten vendas, apo vendali, i quan të Tjerët ardhacakë, ose jabanxhinj, dhe mundohet të ju trajtojë si plehra në vite. Ata që e kuptojnë vlerën tuaj do ‘tju vlerësojnë gjithmonë, kjo është arsyeja pse nuk qëndroni kurrë në një vend dhe në mesin e njerëzve që nuk shohin dhe kurrë nuk kanë dashur të shohin e të vlerësojnë vlerën tuaj”.

#terziu

0 views

Shkrimet e fundit