Odise Gremo: TEOREMA E SOTIR PAPËS DHE FIRZAMONIKA E PUSHTETIT
- 2 hours ago
- 3 min read

Nëse ekziston një vend ku saktësia e shifrave takohet me saktësinë e karakterit, është dërrasa e zezë e ish-mësuesit tim të matematikës, Sotir Papa. Ai ishte njeriu që na mësoi se një ekuacion nuk është thjesht një rrugë drejt një rezultati, por një provë e ndershmërisë intelektuale. Ashtu siç e përkufizonte Ajnshtajni: "Pastërtia dhe thjeshtësia janë shenjat e vërteta të matematikës"
Sotir Papa nuk toleronte mjegullën në mendim. Kur ndonjë nxënës humbiste fillin e arsyes dhe fillonte të "shiste" fjalë pa lidhje për të mbuluar padijen, ai ndalonte dhe me një seriozitet që të ngrinte gjakun, lëshonte thënien e tij që më ka mbetur në mendje:
“E di si the ti tani? Vajta në dyqan, bleva dy kile gurë dhe i rashë firzamonikës!”
Ky trillim poetik ishte mënyra e tij për të na treguar se kur mendimi nuk ka lidhje me realitetin, gjithçka kthehet në zhurmë të pavlerë. “Gurët” ishin pesha e kotë që nuk ushqen askënd, ndërsa “firzamonika” ishte muzika shurdhuese e boshllëkut, ajo rrëmujë që mbulon mungesën e argumentit.
Mësuesi im ishte një arkitekt i qartësisë. Ai vinte nga një familje me kulturë, ku i ati punonte kuadro në kooperativën e Livadhjasë, duke i trashëguar ndjenjën e përgjegjësisë dhe etikën e punës që nuk u thye kurrë. Edhe në kohën e monizmit, Sotiri dinte të mbante ekuilibrin, i kujdesshëm në fjalë, por i palëkundur në misionin e tij për të edukuar.
Titulli “Mjeshtër i Madh i Punës” nuk ishte një dekoratë, por pasqyra e një jete që shpërndante mjegullën me dritën e saktësisë.

Natyrisht, në një botë ku zhurma shpesh vlen më shumë se puna, ky titull nuk kaloi pa "shkrirje" fjalësh.: "Po pse ky? Edhe të tjerët punuan..." Por këtu qëndron pikërisht ironia. Ata nuk e kuptonin se mjeshtëria nuk fitohet me muzikë, por me zgjidhjen e një ekuacioni që del gjithmonë i saktë. Në vitet kur dallga e emigrimit po zbrazte klasat dhe po mbyste shpresat, Sotir Papa zgjodhi një tjetër lloj rezistence: mbeti këtu. Ndërsa shumë kolegë e miq kërkonin fatin përtej detit, ai vazhdoi të udhëtonte çdo ditë drejt fshatrave që e caktonin, duke mbajtur ndezur dritën e dijes mes nxënësve që sistemi shpesh i harronte. Për të, atdheu nuk ishte një koncept abstrakt, por pluhuri i shkumësit në duart e tij dhe sytë kureshtarë të fëmijëve që kishin nevojë për një mësues. Ai nuk iku për të gjetur një jetë më të mirë, por qëndroi për të ndërtuar një mendësi më të mirë, duke u bërë dëshmitari i gjallë se saktësia e matematikës dhe pastërtia e karakterit nuk kanë nevojë për pasaportë tjetër, veç asaj të ndërgjegjes.
Sot, kjo figurë qëndron si një kontrast i dhimbshëm me mënyrën se si artikulohet politika. Kur qytetarët kërkojnë "gurët" e nevojshëm për të ndërtuar jetën: punë, shërbime dhe drejtësi, përgjigjet që marrin janë shpesh devijime artistike. Fjalët e pushtetit bëhen spektakël, por jo zgjidhje.
Stili i Kryeministrit tonë bie në sy për mjeshtërinë e shmangies. Pyetjeve konkrete u përgjigjet me rrëfime të gjata, ku dialogu kalon nga argumenti te ironia apo sulmi personal. Është një formë komunikimi që e zëvendëson llogarinë me retorikë, duke i bërë përgjigjet më shumë zhurmë orkestre sesa sqarim.
Por për Sotir Papën dhe për çdo mendje të ndershme, matematika e jetës nuk ka nevojë për zbukurime. .
Në një kohë ku "klarineta" e pushtetit kërkon të na marrë mendtë, figura e tij mbetet gjurma jonë: se pa "gurët" e punës së vërtetës, çdo melodi tjetër është thjesht një rrëmujë tingujsh që mbulon humnerën.
Sa larg këtij shembulli qëndrojnë shumë prej mësimdhënësve të sotëm, të cilët shkollën e shohin thjesht si një zyrtarizëm për të siguruar pagën e rradhës dhe jo si një tempull të formimit. Sot, në emër të një qetësie të rreme apo interesave meskine, shohim nxënës që kalojnë klasat kot, duke u pajisur me nota që nuk peshojnë asgjë dhe diploma që nuk fshehin asnjë dije. Ky është korrupsioni më i heshtur dhe më i rrezikshëm: vrasja e meritokracisë në djep. Për Sotir Papën, të kaloje një nxënës pa meritë ishte njëlloj si të pranoje një ekuacion të gabuar si të saktë. Ishte një tradhti ndaj profesionit dhe ndaj të ardhmes së atij fëmije. Ai na mësoi se mëshira e rreme e mësuesit sot, është dështimi i sigurt i qytetarit nesër.
Sepse, siç shprehej matematikania e madhe afrikano-amerikane Katherine Johnson:
"Disa gjëra do të harrohen nga sytë e publikut dhe do të zhduken, por gjithmonë do të ketë shkencë, inxhinieri dhe teknologji. Dhe mbi të gjitha, gjithmonë do të ketë matematikë."
E në matematikën e Sotir Papës, ashtu si në atë të jetës, llogaria në fund del e përpiktë.








Comments