top of page

Nëntë


Resmi Osmani

ME SYTË E FËMIJËS

Roman-vazhdimi

Nëntë

Eh,ç’farë burri!

Sa herë e shihja, më mbeteshin sytë: shtatlartë, flokë gështenjë kaçurrela me onde, të krehura lart, nën ballin e gjerë pa një rrudhë sytë e qeshur, hunda krrute po që ja hijeshonte pamjen burrërore, kostumi blu, i qepur bukur, jaka e këmishës tërmonë e bardhë dhe kravata ngjyrë vishnje me pika të bardha. Të ecurit të shpenguar, me trupin drejt e hapa të vegjël.

Eh ç’farë mësuesi!

S’nginjesha së dëgjuari zërin e tij melodioz,kumbues të thellë dhe shqiptimin tingëllues të çdo fjale. Me një vështim të vëmendshëm, e rrokte tërë klasën, tërhiqte vëmendjen tonë dhe ne e ndiqnim spjegimin e lëndës gojëhapur! I duruar dhe i kujdesëshëm na i nguliste në mëndje përmbajtjen e mësimit të ditës që në klasë, pa qënë nevoja të lexoje librin.Përditë na mësonte gjëra të reja Pa le seç shkrim i bukur në dërrasë të zezë, shkronjat si të zëna dorë për dore dukeshin sikur hidhnin valle!Sa i mirë dhe i duruar!Kishte një fjalë lavdëruese për të mirët dhe një qortim për të pavemendshmit. I rreptë e kërkues, nuk falte, por nuk ndëshkonte, të vriste me fjalë.

Ishte mësuesi im i klasës së dytë,Koçi Xherro, nga Pojani. Paskeshim qënë me fat, mësues i vërtetë, i dalë nga Normalja e Elbasanit dhe me shumë vite përvojë në mësuesi. E donim dhe na donte.

Kujdesohej dhe ndjente keqardhje për mua si të më kishte vëllanë e tij të vogël. E dinte që isha pa baba dhe bëja jetë të varfër. Mbase i vinte çudi që në atë gjendje, ku e gjeja fuqinë të isha aq i zellshëm dhe i mirë në mësime. Më i miri i gjithë klasës! Më sillte si shembull për ata që ishin të dobët, dhe s’qenë të pakët. Më vinte edhe mirë, por edhe skuqesha e turpërohesha nga lavdërimi dhe ulja kokën si të kisha bërë ndonjë faj. Në orën e bukurshkrimit, merrte fletoren time(që ishte një bllok me katrore) dhe ia tregonte klasës:”Ky është bukurshkrim dhe jo ato shkronjat tuaja si këmbë pule!” - U thoshte dhe, më vinte notën pesë me yll, që ishte më e mira e notave. Nga kjo do të kisha telashe që do t’ua rrëfej më posht.

Në ditët dimërore, kur frynin erërat që sillnin shi e llohë, kur retë e zeza ngakuar me barrën e ujit, zbrisnin rrafsh me tokën, bubullinte dhe shkrepnin rrufetë, dhe që s’ishin të pakta, kur rridhte qielli ujë e breshër, pa pushuar, pa ombrellë, mbuluar kokën me atë thesin e leshtë dhe me kujdes që të mos lageshin librat, sido që nëna nuk donte të më linte, merrja udhën për në shkollë pa iu ndarë asnjë ditë. Udhës, kapërceja hendeqet,ku ujrat e verdha shkumëzonin e harboheshin, llapashitja nëpër baltovina. Lagesha e bëhesha qull, për t’u shtrydhur dhe mbërrija në shkollë. Nuk më ishte lagur vetëm gjuha! Po jo librat. Dridhesha nga të ftohtit dhe rrobet më kullonin ujë. Klasa për ngrohje kishte vatër dhe oxhak. Mësues Koçi dërgonte në pyll dy-tre veta të mblidhnin dru dhe ndizte zjarrin. Vinte një stol pranë vatrës dhe më ulte atje. Teksa mësimi vijonte, unë ngrohesha, rrobat dhe çorapet e leshta avullonin. Ndërkaq isha sy e veshë dhe s’lija asgjë të më shpëtonte nga spjegimi. Zjarrit herë i ktheja shpinën herë gjoksin dhe këmbët deri sa rrobet më tereshin dhe çerja më vinte në vënd.

Dëshira për të nxënë e kishte çëmimin të lartë!


***

Herë katër e herë pesë bashkënxënës, nga fshati Sinanbelli, kur më gjenin vetëm, se Hajdari, i vetmi shok që kisha, ishte në klasë të tretë dhe nuk dilte njëhershe me mua, këkonin sherr, kotnasikoti dhe kapeshin me mua. U printe Kristaq Marini, vërsnik me mua, por më i bëshëm. I veshur bukur dhe që i kuqëlonin faqet nga shëndeti. Si duket nuk u vinte mirë dhe kishin nakar që mësuesi më lavdëronte dhe që, unë isha më i mirë se ata në mësime. Më vinin në mes, më shtynin me brryla dhe kur zbrisnim tatëpjetën për të marrë udhën në fshatrat tona, ndaleshin dhe nisnin e më fyenin, tallnin dhe më shanin. E çfarë nuk më thoshin: “Ah, u bëre ti të shesësh mënt, e kush pa, një leckaman, pisanjos e qelbësirë, bythëmut, qurrash, morracak, zorrëthatë, ngordhalaq. Çam i djegur. Hajde mundemi po ta mba bytha” Këo të shara që i dëgjoja shpesh, i duroja, por kur më shanin nga nëna, s’e doja më veten, më errej bota, më coptohej zemra, më hipte tërbimi u turresha si i marrë kërciste grushti. Sido që u përgjigjesha goditjeve, ata ishin shumë, më vinin stërkëmbëshin dhe më rrëzonin. Më gjuanin me shkelma dhe më rrihnin. Mbuloja fytyrën me duar që të mos më linin shenja. Shfrenin dufin dhe iknin duke më treguar grushtin e më përqeshnin duke nxjerë gjuhën jashtë. Nuk qaja nga inati edhe, pse më vinte për të qarë.Dhe kjo përsëritej shpesh. Nuk u ankova te mësuesi, nuk ia thashë as nënës,s’doja ta mërzisja.

Edhe durimi e ka një cak. Kujt t’i qaja hallin? E gjeta: Gjysh Nexhipit, babajt të Nuries, nuses së Shaban Bacit. Ai s’kishte fëmijë tjetër dhe jetonte me të bijën. Një ditë e gjeta në hije të vidhit , me shpatullat mbështetur pas trungut, numuronte kokrrat e qelibarta të tespijes dhe murmuriste një lutje. Iu afrova dhe iu ula pranë.

-Përse lutesh gjysh Nexhip?

-I lutem Zotit të më japë vdekje të lehtë dhe , që shpirti të më vejë në xhenet, se po afron koha. Po ti je i vogël e s’i kupton këto gjëra. Si vete me shkollë?

-Me shkollë mirë, po kam një hall. Nja ktër-pesë nxënës të klasës, djem nga Sinanbellija, më bien qafës e më rrahin.

-Si të rrahin?

-Sa herë gjejnë rastin,për qejf të tyre,e kanë si zbavitje, më zdrumbalisin paq. I vetëm s’ua dal dot.

- Ua ke thënë mësuesit apo nënës.

-Jo. Nuk dua t’i mërzis , po as të turpëroj veten. Nuk e di si t’ia bëj.

Gjysh Nexhipi e la tespien dhe u mendua një copë herë. Prisja se ç’do të më thoshte.

-E ka një derman ky halli yt. Duhet të rrahish më të fortin e tyre. Pas kësaj ata nuk do të guxojnw mw.

Ama, ç’këshillë!

-Zor se e bëj.Është më i fuqishëm se mua!

-Nuk fiton fuqia, po zemra dhe trimëria e bëjnë të fortë njerinë! Ndodh që i vogli e mund të madhin.

Rrodhën ditët. E mendova gjatë. Rasti erdhi. Mbaruam orën e katërt dhe u nisëm për të ikur. Siç e bënin , më vunë në mes dhe zbritëm deri te porta me qemer. Ata i mbajtën këmbët dhe buzëqeshnin me djallëzi:

-Si thua, të ta kruajmë një çikë kurrizin?

- Jo me të gjithë. Vetëm me Kristaqin. Një me një. Ju rrini e bëni sehir.

-Pa shiko ngordhalaqi, qënka trimëruar. Si thua Taqo?

- I paska ardhur ngordhja!-Më pa me hakërrim, dhe ua dha shokëve çantën dhe setrën.

Shokët e tij dhe ca të tjerë, që s’ishin nga klasa jonë bënë një rreth, për të pare zënkën. Shkëmbyem grushte, ashtu siç bëjnë boksierët. Mbrohesha si mundja nga breshëri i grushteve dhe kur mundja i jipja goditje. Pastaj u mbërthyem nga mesi dhe u rrëzuam të dy, pa u ndarë u rrokullisëm kollotumba tatëpjetë deri sa qëndruam ku mbaronte pjerrësia.Të tjerët na ndiqnin pas dhe jepnin zemër herë mua e herë tjetrit:”Jepi, bjeri, mbahu, mbyte!” Më vuri posht dhe më kapi nga fyti. Mu mor fryma dhe mu err shikimi, po mblodha tërë fuqitë dhe e ktheva, kur u gjënda mbi të, me shpejtësi i dhashë grushte në fytyrë. I plasi gjaku nga hundët dhe syri ju mbyll nga e ënjtura. Kur e pa që u la në gjak, ja dha të qarit.Çudi e madhe, këtë askush s’e priste! Na ndanë. Ikën si pula të lagura. Kur vajta në shtëpi, nëna u pataks nga rrobet e grisura dhe të çjerrat në faqe. I kallzova seç kishte ndodhur. Ishte gjë që s’fshihej dot. Më qortoi, por ma kurseu drurin.

Që nga ajo ditë nuk më ranë më qafës. Gjysh Nexhipi paskësh patur të drejtë.

***

Përpiqeshim sa mundnim për të mësuar mirë e më mirë, sido që ishim për të qarë hallin: nuk kishim fletore dhe libra, as mjete shkrimi. Kisha një gjysmë lapsi, penën sajuar me një bisht kallami të hollë, bojën e përgatitur vetë nga ajo e blerë në treg, që ishte kristalore me ngjyrë të luleshpatëzës, e tresja në ujë të ngrohtë dhe i thoshim bojë shpatëz. Për të shkruar kisha një bllok të vogël të vijëzuar me katrorë, gjysmën për bukurshkrim dhe gjysmën për aritmetikë. Edhe të tjerët nuk ishin më mirë, përveç njerit, që ishte ndryshe nga ne, Selimit, atij s’i mungonte asgjë: veshje shik, çantë lëkure kafe me xhepa,lapsa, fletore, bojë Pelikan, stilograf. Thoshin që ishin plaçkë lufte nga të italianëve. Ndryshe nga mua dhe ca të tjerë, që flokët na i prisnin nënat gëzhdalla -gëzhdalla me gërshërët që qethen delet, ai shkonte në qytet dhe qethej te beriberi. Mëndjemadh te zoti. Donte të dukej dhe në të gjitha të ishte i pari i klasës.Na shihte përbuzshëm si të ishim hiçmosgjë, bëzhdila. Cmirë dhe ligësi që ai e shfaqte, sidomos ndaj meje, leckamanit, që mësues Koçi thoshte se isha i pari i klasës dhe që të tjerët duhet të merrnin shembull prej meje. Sido që unë se mbaja veten si të tillë.

Në një nga ditët, kur po i afrohej fundi vitit shkollor dhe ne do të hidheshim në klas të tretë, në orën e bukurshkrimit, mësuesi shkroi me shkrimin e tij të bukur, një vjershë që titullohej “Ylli” dhe, nën të vargjet e vjershës:Yll’I vogël,lart në qiell….U vum ti kopjonim. Më pëlqente bukurshkrimi.Forma e shkronjave, rrumbullakësia, lidhja me njera-tjetrën, lartësia e njëjtë,drejtimi i rreshtit . Teksa ne shkruanim, mësuesi i spjegonte klasës së katërt që e ndante nga ne vetëm hapsira e bangove. Në fund të orës, mësuesi na kontrolloi detyrën e klasës.Po na kalonte me radhë, bënte vrejtje dhe vinte notat. Kur pa fletoren e Selimit ai turfulloi:

-Shiko mor djalë, ne po bëjmë bukurshkrim dhe jo shkarrashkrim! Ç’janë këto shkronja të shtrembëra, si këmbë milingonash,të shkëputura me rreshta që zbresin tatëpjetë apo ngjiten përpjetë? Nuk do të dalësh nga klasa pa i përsritur derisa t’i shkruash ashtu siç janë në dërrasë të zezë!

Kur erdhi tek mua u ndal dhe buzëqeshi, e mori në dorë bllokun dhe po e shihte siç shihet një fotografi.Pastaj vuri notën pesë dhe mbi të një yll. Pesë me yll! E ngriti bllokun që ta shihnin të gjithë dhe ju drejtua Selimit:

-Ja si duhet shkruar! Është më bukur edhe se ajo që shihni në dërrasën e zezë.Bravo. Nxënësi poi a kalon mësuesit!

Selimit i ra një çehre e keqe, goja iu shtrembërua, desh diç të thoshte por nuk e tha dhe, më drejtoi një shikim të vëngërt dhe përbuzës si t’i kasha ndonjë faj.Sytë kishin një zemërim si të donin të më shqyenin. E dija, nuk më honepste. Dy herë, kur bënim vrap në orën e gjimnastikës, gjasme si padashur më vuri stërkëmbëshin. U gremisa dhe vrava gjunjët dhe bërrylat. Pse vallë? Asgjë s’i kasha bërë. Hajdari e kishte gjetur psenë: Është i lig, ka maçokun në bark që i gëryen zorrët, do që të jetë i pari I klasës, ti i ke zënë udhën!

Kuptohet që më erdhi mirë dhe u ngazëlleva nga lavdërimi i mësuesit. Ne dolëm në oborr për pushimin midis orëve, kurse Selimi mbeti në klasë për të përsëritur detyrën.

Hall të jesh më i miri dhe hall më i dobëti në mësime.Ka edhe të tjerë që i duan lëvdatat dhe vendin e parë. Është një garë e heshtur, ku nuk mungojnë as lojërat e pista e poshtëruese.

Ishte ora e parafundit e mësimit. U ulëm në banga. Selimi nuk po ulej, seç kërkonte në çantë, zbrazi librat mbi bango dhe si nuk gjeti atë që këkonte, iu drejtua mësuesit:

-Me leje zoti mësues!

-Ç’farë është Selim?

- Më kanë vjedhur lapsin e ri.

-Djalë, mati fjalët mirë se po fajëson një klasë. Shih mirë se aty do ta kesh.

- Jo. Kur dolëm e lashë mbi bangë. Kur u kthyem kish avulluar. Dikush ma ka zgrepur.

Në klasë ra hesgtje e rëndë, e shurdhër, pastaj një mërmërimë e ankthshme, po shihnim njeri-tjetrin me dyshim, pa kuptuar se ç’po ndodhte. Pandehma ishte e rëndë, por secili ndjehej i qetë, për një gjë që s’e kishte bërë.

-Nxirni çantat dhe librat mbi banga. Askush të mos lëvizë nga vendi, do bëjmë kontroll – tha mësuesi.

Kontrolli nisi bangë më bangë, në çanta, u tundën dhe u shkundën librat, kontrolloheshin nënbangat. Lapsi nuk po gjëndej. Kur erdhi radha ime, mësuesi pa në trastën time, pastaj nisi të hapte dhe të shkundëte librat. Nga libri i aritmetikës, ra mbi bangë dhe u rrokullis në dysheme një laps i ri ngjyrë limoni dhe me fshirëse gome në fund. Mësuesi e ngriti dhe ja tregoi Selimit:

-Ky eshtë lapsi yt?

-Po zoti mësues, ai është lapsi dhe ai hajduti i lapsit- tha ai duke u zgërdhirë.

Klasa ofshau e habitur. Ngriva si copë dru. Sa s’më ra pika.Mu err shikimi dhe më iku goja, më thyen djersë të ftohta, teksa në gojë mu shpif një hidhësirë e helmët.Zemra po më vrundullonte sit ë donte të më shkallmonte brinjët. Gjunjëprerë, këmbët mezi më mbanin që të mos rrëzohesha. Si ishte e mundur? Ç’kërkonte lapsi i Selimit në mes të librit tim? Ah i ligu, i poshtri, e kishte vendosur vetë që të më turpëronte para gjithë klasës. Ky dyshim më feksi në mëndjen e çartur, teksa mësuesi më shihte i çmeritur.

-Si e bëre këtë? Ësht ves i shëmtuar. Po të më thoshte kush, nuk do ta besoja kurrë. S’e prisja këtë nga ti.Të të vijë turp!

-Jo-o-o-o, z-z-zoti më-su-es,nuk e kam bërë .-Sa për turp, dhe pse pa faj, zere se sa s’po vdisja.Ç’qe kjo e keqe që më gjeti? Hapu dhe të futem!

-S’të pijnë ujë shfajësimet. Si thua, mos lapsi bëri këmbë dhe erdhi e u fsheh mes librit tënd?

Nuk më besoj. Pastaj u kthjye nga klasa:

-Për të ardhur keq kjo që ndodhi, por tu bëhet mësim për jetë: të mos lakmoni e as të mos merrni gjënë e tjetrit.

Në fyt mu mblodh një komb që po më zinte frymën, sytë mu mjegulluan dhe vetiu më mbytën lotët, po qaja me ngëqe, por për mua s’ju bë von njeriu.Për ‘ta isha i njollosur. Në ballë ,për sytë e tyre kasha njollën e vjedhacakut.

Ora e fundit e mësimit mbaroi dhe u nisëm për në shtëpi. Shokët e deridjeshëm mu shmangën si tëkisha zgjeben. Me mua mbeti vetëm Hajdari. Ai nuk besonte që unë ta kasha marrë lapsin. Ishte I bindur që atë e kishte vënë qëllimisht Selimi.

Selimi me dy-tre shokë, po i gëzohej ligësisë së tij dhe poshtërimit tim. Ecte krahas meje, shikimet e tij ishin si ca shigjeta të helmatisura, diç u thoshte shokëve dhe pastaj ja krisnin të qeshurit. Ato të qeshura dhe ato shikime tinzare, më nguleshin si thika në mish. Në tru mu dyndën qindra përshkënditje të kobshme dhe në zemër më rëndonte një peshë e rëndë.Balli im ishte vruguar dhe nderi im ishte nëpërkëmbur. S’e desha veten. Sytë dhe gjykimi mu errën. Nuk durova më:

-Maskara, i poshtër,i lig,ziliqar, qen e bir qeni.- Iu afrova, me të majtën ekapa për gjoksi dhe me të djathtën , me gjithë sa më hante krahu i dhashë një grusht në fytyrë. I plasi gjaku nga hundët. Ai nuk e priste, u zu në befasi. Edhe një grusht tjetër, këtë herë posht syrit të djathtë. Selimi ishte më i fuqishëm se mua, por u zu në befasi.Më rroku për beli dhe më vuri mbëdhe e ma hyri me grushte. U kacambytëm dhe u rrokullisëm në pluhur. Herë unë mbi të, e herë ai mbi mua. Rreth nesh u grumbulluan djemtë. Sehir i madh. Bënin tifozllëk: bjeri, veshja, mbyte, jepi dhe një,hya çuna……Askush nuk hyri të na ndante. Kur u gajasëm dhe zgërlaqëm, që s’kishim më takat e mezi merrnim frymë u ndam. Selimi me një njollë të zezë posht syrit dhe hundën si poçe dhe unë me të gërvishura në faqe dhe rrobat të grisura e leckosura.

Hajdari erdhi me mua dhe i tregoj nënës se çfarë kishte ndodhur. Unë duke qarë, u betova në gur e në dru që nuk kisha faj, që ma kishin me të keq dhe ma kishin kurdisur. Nëna më besoj. E kush më njihte më mirë se ajo? Më qortoj, më tha se ata ishin fis i madh, me një tufë djem e burra dhe s’bëra mirë që u rraha me ‘të.

Se ku i dihej?

Eh ç’më gjeti. Isha si kali balash, i shënjuar me damkën e vjedhacakut, i turpëruar. Më shihnin me përbuzje.Nuk e doja veten.Të jesh fajtor pa faj. Askush s’më besonte.Shfajësimi nuk pinte ujë. Shikimet e tyre më dukej se thoshin:” E ke kot,e more që e more, qepe dhe mos e zer ngoje”

Ditët kalonin, isha si dhi e zgjebosur. Më shihnin shtrembër. Të ikja, ta lija shkollën? Jo, e doja shumë. Isha pa faj, pa le do të thoshin e la shkollën se ishte fajtor. Nga ky hall, kur se prisja, më nxori Tilja, shoqja ime e bangës. Shkonim mire dhe i vinte keq për mua.E ndihmoja për zgjidhjen e ushtrimeve. Ajo e kishte parë Selimin që ishte afruar te banga jonë dhe ja hëngri mëndja që ai e kishte bërë atë proçkë. Pa më thënë gjë mua, Vajti dhe ja tha dyshimin e saj mësuesit, por asaj të mos ja nxirte emrin.

Mësues Koçi na thirri të dyve, mua dhe Selimin.

-Selim, të kanë parë që ti e fute vetë lapsin në librin e Idrizit.

-Të kanë gënjyer zoti mësues.

-Jo. Më kanë thënë të vërtetën. E bëre ti dhe dua të më thuash të vërtetën, përndryshe do të përjashtoj nga shkolla dhe, do ta jap përjashtimin me bojë të kuqe që mos të të qasin në asnjë shkollë të Shqipërisë. Zgjidh e merr- mësuesi e shihte drejt në sy, ngultazi. Selimi që se priste këtë vari kokën, u bë dyllë dhe po dridhej- ngrije kokën dhe folë.

-……..

-Po pres.

-Po…..unë.-ishte një pohim me gjysmë zëri.

-Pse e bëre?

-Po ja ,si ta them. Nga inati, nga mërzia. Ju mbetët duke e lavdëruar. Po të mos ishte ai, do të isha vetë i pari I klasës.

- Ah mor Selim, kaq I vogël e kaq ligësi në shpirt. Në krye dilet me punë e ndershmëri. Po nuk hoqe dorë nga ligësia, kur të rritesh, keq do ta kesh në jetë .

Mësues Koçi, më shfajësoi para klasës.Ma pastroi pisllëkun e asaj njolle. Mora frymë lirisht. Mu kthye qetësia.

Selimi si i lig e i paturp, se pati për gajle.

***

Si i thonë asaj fjalës: dardha e ka bishtin pas.

Kur besoja se ajo ngjarje qe harruar, një paradite, në pushimet e verës, kisha dalë e kullosja delet në luadhin e fshatit. Ishin dhe djem të tjerë. Qeshë ulur në një sop dhe po shfletoja një libër që ma kishin bërë dhuratë kur u mbyll viti shkollor. Mu afrua Muharremi, vëllai më i madh i Selimit, me njëshkop të shkurtërnë dorë.

-Kam një fjalë me ty, - më tha.

-Thuaje.

-Selimin, nuk sos që e vodhe, por edhe e rrahe.I theve hundën dhe i nxive synë. Mos pandeh, që ne e kemi harruar dhe, do të ja hedhish pa lagur.

Pa pritur përgjigjen time, më dha një goditje të fortë me shkop prapa kokës. Rashë pa ndjenja mbëdhe. Kur u përmënda ishin djemtë e tjerë që ruanin delet e tyre, më ngritën dhe më fshinë gjakun. Muharremi kishte fryrë.

Këmbët s’më mbanin dhe më merreshin mendtë.

Më përcollën në kasolle. Te vendi i goditur ishte ngritur një bullungë, lëkura e kokës ishte çarë dhe kishte rrjedhur gjak. Më dhëmbte e me cukste.

Nëna më mori për dore dhe shkuam në shtëpinë e tyre. Atë shtëpi e qeveriste zonja plakë Zyhraja. E bëshme nga trupi, e veshur me të zeza me ca sy të ftohtë, fytyrë të ngurtë e me rrudha. Na priti në hajat.

-Pa shih ç’mi bëri djalit, Muharremi juaj ,zonja Zyhra. Ata i ka vrarë Zoti që kur I la pa baba. Ti e di, po i rrit me njëmijë halle, ngrënë e pangrënë, veshur mosmëkeq, hysmeqarë në dyert e botës.

Zonja plakë nuk foli, më tërhoqi ndaj vetes, më rrotulloi, hapi flokët që ishin mpiksur nga gjaku dhe pa plagën.

-Besomë,Ervehe, më vjen vërtet keq. Nuk është mirë , po ja që ndodhin. Ç’ti bësh, mëndje kalamajsh. Mos ja u vërë re. Këtij timit ja rregulloj unë qejfin- tha dhe thirri që të vinin aty djemtë e nipërit. Ishin shumë dhe u mbush hajati. Muharremin e kapi nga veshi- Shiko mor budallë, mund ta kishe lënë top në vend birin e botës- dhe i dha një shuplakë, mu duk aq lehtë sa për të thënë që e goditi për ta qortuar,—dhe dëgjoni mirë: me këtë djalë jetim dhe të vëllezërit e tij, këtej e tutje s’keni punë, s’do tu prekni as një qime floku. Përndryshe u piu e zeza. Morët vesh! Hajd, hiqmuni sysh. Ata u shpërndanë si pulat kur u bie skifteri.

Me kaq ,zonja Zyhra e quajti sherrin të mbyllur.

Shkuam në infermieri. “Doktor” Demiri, ma qethi flokun rreth plagës, pastroi gjakun, ma lyeu me jod që më përcëlloi dhe më vuri sipër nja garzë me pudër të verdhë që e karfosi me dy shirita leukoplasti. Kaluan goxha dit që të më përthahej.

Kam pyetur veten: ligësia lind me njeriun apo është një ves që ngjitet gjat jetës?Thonë që vesi del me shpirtin!

Tiranë, prill 2022.

33 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page