top of page

Nëna veç të tjerash është dhe estetika totale e një krijuesi


Petrit Ruka “Mjeshtër i Madh”

Nëna veç të tjerash është dhe estetika totale e një krijuesi

Intervistë me poetin Petrit Ruka për "Fjalën e Lirë"


Nga Fatmir Terziu


Histori e vërtetë? A ka një të tillë, a ekziston një e tillë? Jeta është mësuesi më i madh. Dhe kështu vetë jeta është një histori. Por, a është edhe kjo një e vërtetë? Sidoqoftë le ta themi se jeta është mësuesi ynë më i madh. Dhe si të gjithë mësuesit edhe ajo na rrëfen, na kallëzon, na udhëheq, me e nëpër hitori të shumta. Të vërteta? Ajo na jep madje edhe detyrën për të shkruar, krahas detyrave të tjera. Dhe na kërkon mes shkrimit jo pak herë… edhe një ese.

Një ese për dikë që na frymëzoi në jetë. Unë do ta shkruaja menjëherë për nënën time, nuk më duket se është e vështirë me tu parë. Se sikur të mos ishte për të, nuk do të isha as unë. Ajo ndriçoi zemrën time në një mënyrë të veçantë. Ndërsa jeta, në rolin e mësuesit tim lexonte esenë e ditës.

Ajo lexoi çdo rresht me theks dhe mori frymë hera-herës me hir, dhe jeta u mbush në lotë. Të gjithë lotët filluan të rrokullisen mbi fytyrën e saj. Kjo e bëri zemrën time të buzëqeshte, dhe u ndjeva vërtet mirë. Kisha shkruar një ese të vërtetë për një të vërtetë.

Tashmë edhe jeta e kishte mësuar dhe e kuptoi se eseja ime ishte vërtet, për nënën time, për një të vërtetë. Se rritja e një fëmije duhet të jetë një gjë frymëzuese.

Edhe pse jemi vetë prindër, nuk është e vështirë siç duket, që një e vërtetë të thuhet ashtu sikurse përjetohet në jetë.

Nëna na mësoi gjithçka mbi të thjeshtën, qoftë një të gabuar apo një të drejtë tek vetë e thjeshta. Ndaj të gjitha esetë për nënën janë një e vërtetë. Janë vërtet tek e drejta.

Ajo ka një ndikim të madh në jetën tonë, edhe kur atë e kuptojmë vonë. Përmes kundërshtimit të jashtëzakonshëm, por lidhjes së dashur, ajo na mëson zgjuarësi dhe jo përsosmëri. Histori të vërtetë.

Këtë besoj se e ndjen edhe djali që u përkëdhel nga nëna flladeve poetike të Tepelenës. Ndaj nëna është tek ai jo pak herë, ndoshta jo aq sa tek të gjithë, por thjesht e me vlerë. Në këtë pikë, lidhja e nënës me poezinë, të vërtetën dhe jetën na shpie në këtë bashkëbisedim:

F. Terziu: Ju e përshkruani bukur nënën tuaj edhe kur ajo ndodhi të jetë në udhën e ikjes “Ajo, lutej të shkonte, ne se linim të ikte”. Si e mendon pas leximit e rileximit këtë autori i kësaj poezie: “E shkreta nëna ime?”


P. Ruka: Faleminderiti dashur Fatmir që po më bën të flas për Nënën. Nuk besoj se ka gjë më të bukur në këtë botë se sa të flasësh për nënën. Kam hasur gjatë jetës sime njerëz krejt të zakonshëm që duke folë për nënë e tyre, gati sa nuk këëndonin, fjala u merr një peshë poetike, frazat u rrjedhin si të ishin vargje këngësh. Ja që kështu ndodh.

Momenti i ikjes së më të shtrenjtit njëri në jetë, Nënës, është nga më trondititësit për këdo, mendo pastaj për një poet. Do të kisha plasur nëse një ditë nuk do ta kisha shkruar atë poezi. E shkruajta që të shpëtoja, poezia këtë mision ka; të çliron nga ai lëmshi i madh i mbresave që e kemi përherë të madh në zemër. Poezia ia del ta zvogëloj atë lëmsh dhembjesh. U shkruajt shumë kohë më vonë se sa ikja e saj. Me sa duket procesi i fermentimit është një domosdoshmëri në çdo lloj krijimi, aq më shumë në poezi. Duhet të largohesh nga ngjarja, që ajo të të mos mbysë me detajet e saj të shumta. Si të thuash duhet të zërë mbi të një lloj avulli (prej mallit) edhe është kjo hukama mbi qelqet e kohës që e bën poezinë...

Në labëri fjala "e shkreta nënë" i shkreti baba, motër etj, ka një shumësi nuancash kuptimore të pafundme. Kur gjeta titullin, më duket se gjithçka u bë e lehtë. Dhe ja, një mundim i gjatë më në fund u bë "këngë", poezi. Unë mendoj se fjala këngë është më e denjë se sa fjala poezi, po ne i jemi nënshtruar një fjale me "internacinale". Më vjen shpesh keq që ne nuk e kemi të plotë vetëdijën se shqipja jonë i ka të gjitha fjalët e duhura për cdo fenomen dhe ndjesi. lasushi që e kish të lartë këtë ndjenjë, shumë poezi i emërton Këngë, p.sh "Këngë pleqërishte" etj. Por letë kthehemi tek poezia e ndjesë në se po zgjatem. Ishte vërtetë një përjetim i çuditshëm ajo vuajtja e saj e gjatë tre ditëshe në koma. Ne nuk e linim të ike me gjithfarë marifetesh shkencore. Por thellë në vetëdije, unë, më i vogli i saj, e ndjeja se ajo donte të ikte. Ishte një vendim i tmerrshëm po në fund unë e mora.

.......

Në koridor me mjekun, aty sy më sy,

u pamë tërë një jetë ….

vendosëm për Po!

Nisu astronomia ime e bukur drejt yjeve

Digj lotët e mi për t’u ngjitur ku do...

Ishte një ferr ai vendim, por unë duhet ta prisja atë kordon dashurie (oksigjeni) ashtu siç kish bërë dhe ajo në lindje. Në një farë mënyre tashmë duhet ta rilindja unë duke i dhënë lirinë e pafund të amëshimit. Misioni i saj kish mbaruar. Dhe ajo, si të gjithë ne, një ditë, (ashtu siç thotë diku Borhesi) përfundojmë në një histori, në një libër...

Ja këto besoj se kam mundur t'i them tek kjo këngë për të.

Në fund të fundit ishte vajtimi i saj me ligje që vonoi pak, por shpesh loti i burrit shpërthen me vonesë...


F. Terziu: Dhe ndodh që ta shohim nënën ashtu në ekranin tonë të qelqtë të memorjes, jo pak herë bardhë e zi. Në këtë ekran na mungon, por të paktën e kemi një fotografi. Dhe atë e prodhon dashuria e pavdekshme, jo shteti që e mban atë si robinë. Pikërisht ashtu sikurse ju e thoni Nëna foto nuk ka veç asaj të pasaportës/që gjendet dhe në varrin e saj, ku u fal./Shteti veç njëherë e dërgoi fotografin /për robërit e tij/deri lart në mal…”


P. Ruka: Po, pas ikjes së saj përpiqesha të rendisja kujtimet për të. Se këtë punë bën malli për të ikurit, natë e ditë sistemon arkivat në mendje. Dhe shpesh pyesja, po fotot, fotot e saj ku janë. Një ditë zbulova një pasaportë të vjetër të saj dhe pashë atë foton e vockët bardhë e zi të pasaportave tipike të socializmit... Dhe edhe pse e dija, ndonjëherë të duket sikur përplas kokën pas një muri kur një send a pyetje të zbulon një botë të tërë të fshehur atë harruar në mendje. E titullova fare thjeshtë "Nëna foto nuk ka" Dhe shpresoj t'ia kem dalë mbanë për të thënë se ato janë vetë sakrifica, nënat nuk kanë nge për foto, nuk kanë nge as për të vdekur kur lindin fëmijë. Ishin kohë aq të varfra, sa njeriut i merrnin dhe mundësinë e fundit, kujtesën, kujtesën që mund të fiksohet në ca foto. E di mirë si mësues i fshatrave malore pesëdhjetë e ca vite më parë se mijëra e mijëra njerëz lindnin e iknin nga kjo botë veç me foton e pasaportës. Një dhembje e madhe. Fotgrafët kalonin njëherë në dhjetë vjet a më shumë, kur bëheshin regjistrimet e reja të popullsisë dhe letërnjoftimet e tyre. Nëna ime si grua fshati pati të njëjtin fat. Ato, (ata) iknin nga kjo botë pa lënë pas as fytyrën e tyre në letër. Fotot e tyre ishin shkrepur ujërat e iknin poshtë drejt detit duke u nisur nga krojet dhe përrrenjtë e fshatrave... Besoj se këto thotë poezia ime. me pendimin tim në fund, se përse unë kur u bëra kineast, nuk i bëra ca foto. Të kem harruar? Jo, është thjesht destini i saj, Duhet të ikte si mijëra të tjerë, pa tradhëtuar një rit të lastë fatkeq të këtyre viseve e të fatit të trishtë shqiptar...


F. Terziu: Ato që më së shumti shfaqen përtej imazheve në qasjen e tyre memoriale, janë të padukshmet e lidhjes me nënën. A ka të tilla ndjesia poetike e Rukës?


P. Ruka: Duhet të jenë së paku pesë gjashtë poezi që kam shkruar në jetë për nënën. Dhe e di që nuk e kam rrokur dot shpirtin e saj të madh në këngë. Ishte një grua e jashtëzakonshme, e butë, shpirtbukur dhe shpesh në fëmijëri na mblidhte të këndonim rreth oxhakut. Kurrë se kam kuptuar dot pse e bënte këtë në tërë atë varfëri. Në poezinë time nëna është shfaqur shpesh, ndonjëherë dhe atje ku as vetë nuk e kam besuar se mund të ketë vend. Me sa duket lidhjet me të, (ato të padukshmet për të cilat po më pyet,) e sundojnë mendjen time fund e krye. Sado e çuditshme të duket ajo mbizotëron në artin e çdo poeti, sepse nëna veç të tjerash është dhe estetika totale e një krijuesi. Po, po tërë estetika e tij krijuese, sepse prej saj të ka rdhur gjithçka, gjuha, gjendjet emocionale, shijet. Nëna është akademia e parë estetike e krijuesit, poezia dhe romani i parë i yti.

F. Terziu: Nëse do të rilexonim poezitë e shkruara ku është raporti i nënës me tërësinë e vetëekzistencës në jetën e poetit?


P. Ruka: Raporti është totalisht sundues. Mbase duket e vështirë për t'u spjeguar, por në nënvetëdijë, një bir, pa e ditur as vetë; është tërë jetën para nënës si para një gjykatësi, jurie, provimi. Madje edhe kur shkruan. Më kujtohet se sa herë doja së largu a së afërti ndonjë vajzë në rininë e hershme pyesja veten: a do ta pëlqente nëna ime këtë vajzën që dua unë po ta shihte. Nuk e di pse ndodh kjo, nuk ka spjegim. Mbase thellë në vetvete në nënndërgjegjen tënde vlen edhe për krijimtarinë. Mund të dëgjohet si një marrëzi. Por unë e besoj se kjo ndodh. Dhe ja përse ngul këëmbë që nëna është sundimtaria e plotë e tërë jetës së një njeriu. Me sa duket, një lloj "matriarkati" shpirtëror vijon akoma në jetën e njeriut pa e ditur as ai vetë.


F. Terziu: Shpeshherë jeta është një rreth ku hyjnë e dalin lindja, jeta dhe vdekja. Aty natyrisht është vendlindja, Tepelena

P. Ruka: Ah, Tepelena. E di që do të ngjaj një i marrë, por unë do të vdes me bindjen se është një nga viset më të begata dhe fatdhënëse të Shqipërisë. E di sapo e them këtë mendoj pyetjet e zemëruara të të tjerëve. Po çka Tepelena për tu mburrur? Ashtu, plot gremina, shkëmbinj e vogël dhe e varfër. Po, por duhet të lindësh e të jetosh aty të kuptosh se ka peizazhe fantastike. Nuk di sa e dinë, po ku gjendet një vis kaq i vogël të ketë në atë një pëllëmb vend pesë lumenj që i përdridhet si gërsheta vashe njeri - tjetrit?

Ujërat janë vetë bukuria tronditëse e një vendbanimi. Dhe pastaj folklori, kënga labe. Në Tepelenë kapen mushkritë e Labërisë, Tepelena është Big Bang- i folkorit shqiptar. Ngjaj i tepëruar? Po mirë, hapni përmbledhjet folklorike dhe binduni se aty kanë lindur më shumë se gjysmat e kryveprave folklorike, nga "Mbeçë more shokë mbeçë" e deri tek "Ndrinte si bora në hënë." Për të mos u futur tek këngët historike se aty mbytesh e ngre duart përpjetë...

Ja pse e quaj veten me fat. Vetëm nëpër dasmat e fëmijërisë, një fëmijë tepelenas bën aq shkollë letërsie, dëgjon aq shumë poezi, sa as në shkollat më të mira nuk do ta kishte këtë fat.

Ndaj edhe Tepelena në poezinë time hyn e del pa asnjë lloj "dogane". Nuk kam çi bëj, më urdheron si t'i teket.

F. Terziu: Ku mund të ndalet forca poetike tek e vërteta e gjithëgjendshme e Rukës…, nëse ndodh të jetë një e vërtetë tek vetë kjo lidhje.

P. Ruka: Poezia është tashmë i vetmi gëzim i madh i jetës sime. Nuk e kuptoj dot tani se si do të ishte jeta ime pa të, nuk e di... E dua këtë vuajtje të pafund, që është një lloj egzistence shpirtërore. Dhe sa më shumë përpiqem t'i afrohem kësaj të vërtetës së gjithëgjendshme, për të cilën më pyet, aq më shumë e ndjej se jam i pakënaqur me veten. Do të desha të kisha shkruar më shumë e më mirë. Dyshimi është një nga tharmet jetike të të shkruarit, pa të cilin nuk ka krijim, nuk ka poezi. Nuk de di në se ka një të të vërtetë tek lidhja me poezinë, por kërkimi i saj është një vërtetëe madhe më vete. Ashtu siç ndodh me lirinë për të cilën miku im i dashur Pëllumb Kulla shkruan diku se: "Pritja e lirisë është më e bukur se vetë liria." Edhe me procesin e krijimit kjo ndodh. Thjesht je në kërkimin e pafund të kësaj të vërtete që i jep një kuptim të hatashëm tërë jetës tënde.


F. Terziu: Ku ka një lidhje të tillë ka edhe një mesazh për të gjithë, ndoshta dhe edhepër “Fjalën e Lirë”…


P. Ruka: Fatmir i dashur, tani po deshe, mbylli veshët se do të lëdvoj. Po ti mos u skuq. Unë pothuajse të kam ndjekur rregullisht. Ti ke bërë aq punë për promovimin e letërsisë shqipe, me "Fjalën e Lirë" sa këtë nuk do ta bënte dot një Institut i tërë. Kam lexuar qindra shkrime të tuat për letërsinë, krijuesit dhe botimet e raja shqiptare. Më gëzon shumë kjo gjë, shumë. Aq më tepër në këtë shkurrnajë shkrimesh të kota gjithandej ku futen me një guxim të marrë edhe amatorë që japin gjykime për të vënë duart në kokë...

Jo vetëm thellësia dhe profesionalizmi i shkrimeve të tua, por mbi të gjitha ky akt si akt dashurie. E bën këtë që nga jashtë Shqipërisë, duke qënë i lidhur me letërsinë shqipe më më mirë se sa ne, që jetojmë këtu. E bën që këtë nga Londra dhe mua më kujtohen shoqëritë e dikurshme letrare të Rilindjes, në Rumani, Sofje, Egjipt, Boston. E bën i vetëm, pa asnjë interes sepse të shtyn nga brenda dashuria për vendin tënd dhe shpirtin e tij. Nuk janë lëvdata, janë bindjet e mia. Ata që e dëgjojnë për herë të parë le t'i futem kërkimit me një searchqë të binden se sa mijëra faqe ke shkruar ti për letërsinë shqipe. E po unë nuk kam se si të mos e them këtë, nuk kam se si të mos krenohem me ty, edhe pse fizikisht nuk njihemi pthuajse fare. Thjesht dua të nderoj Institucionin e Mirënjohjes, më të dobëtin e më rakitikun, të cilin nuk ka ngritur ende shoqëria shqiptare. Ja, edhe kjo intervistë është një dëshmi tjetër për këto që thashë, edhe pse unë intervistat i kam frikë. Nuk para besoj shumë se mund të komentohet poezia e aq më shumë të flasësh për krijimtarinë tënde.

Të falemnderit!




Sarandë 2016, Trirema Poetike: Petrit Ruka, Ilirian Zhupa, Agim Mato, Fatmir Terziu

251 views12 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page