top of page

Fatmir Terziu: NË KUJTIM... Dhimitër Anagnosti...

ree

NË KUJTIM

Nga Fatmir Terziu


Dhimitër Anagnosti: Jam kthyer... te vetja! Ja ku është!


U ndamë me një nga gjigantët e kinematografisë shqiptare, imazhit të bukur në piedestalin e imazhit artistik.

 

Më 1 shtator 2025, ndërroi jetë një nga gjigantët e kinemasë shqiptare, si dhe një mjeshtër i imazheve, ose „i imazhit“, siç i pëlqente të shprehej shumëkush që e njohu, e ndoqi, e vlerësoi, e çmoi në art e komunikim, në sfidë e në profesionalizëm kinematik. Ai u largua nga kjo botë, dhe dheu e imazhi i ikjes pëshëpritën me një zë. Një zë që po sfidon të prezantojë dhimbjen e kësaj ikjeje. Kësaj ikjeje që vetë fjala e artit do ti shtonte më shumë timbër. Në të, ky timbër, me këto pak vargje ndoshta më shumë se të gjitha tingëllojnë tronditësisht alegorike, dhe mbeten si një „testament“:

 

Nuk mund t'u them lamtumirë të gjithëve -

ikjet me nxitim nuk presin.

Ikjet me dihatje fishkëllejnë

mbi vargje përgjatë kryqëzimit të gjatë.

 

Nuk mund t'u them lamtumirë të gjithëve -

ironia luan në sytë e mi.

Dhe duke arritur në fund të botës i vetëm,

kthehem përsëri... te vetja. Kaq është.

 

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën "Fan Noli", duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme „Nata e trokitjeve në xham“. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit "Gjoleka, djali i Abazit", film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze u nderua me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10-të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjeti të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin u zgjodh edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996). Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Atëherë ai u tha shokëve të tij të mirë e të ndershëm: „Jam kthyer... te vetja! Ja ku është!“

Vetvetja ishte gjëja më e shtrenjtë e tij. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë. Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve. Filloi punë si operator në Kinostudion "Shqipëria e re" në 1961, me filmin "Debatik" (1961) e më pas me filmin "Toka jonë" (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra "Gurët dekorativë". Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, "Komisari i dritës" dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin "Dueli i heshtur".

Dhimitër Anagnosti lindi më 23 janar 1936. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 - 1960 ndoqi Institutin Kinematografik "VGIK" të Moskës, ku u diplomua për kinooperator. Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin "Njeriu kurrë nuk vdes", një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Një djalë nga Vunoi i Himarës arriti majat e aktrimit dhe jetoi disa dekada përkushtimi, në nder të Artit - armës më të fuqishme! Zoti i kishte dhuruar një qëndrim dhe një talent që e bënte të dukshëm dhe dinjitoz në imazhet përmes të cilave ai e mishëronte këtë art. Dhe mund të tingëllonte jo vetëm frymëzuese, por edhe e pamëshirshme - në vetën e parë!... Ai ishte mbeti dhe do të kujtohet si kineasti i njohur, që vërtetë u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, por që mbeti i vlerësuar si një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX. Filmat e tij janë ndër të paktit që edhe sot paraqesin interes nga ana artistike.

Kjo është arsyeja pse talenti i tij do të vazhdojë të tingëllojë në mendjet e të gjithë atyre që e kanë parë të paktën një herë në skenë, ose në ekran. Ai do të vazhdojë të jetojë përmes vlerave në filmat që na la, dhe të cilat ne do t'i rimendojmë ende ndërsa ai udhëton në rrugën e tij të padukshme drejt... „vetes“ në Përtej!

 

Veprat artistike:

 

Gjoleka, djali i Abazit (2006)

Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)

Përrallë nga e kaluara (1987)

Gurët e shtëpisë sime (1985)

Kujtime nga Gjirokastra (1983)

Vëllezër dhe shokë (1982)

Në shtëpinë tonë (1979)

Monumenti (1977)

Lulëkuqet mbi mure (1976)

Kur hiqen maskat (1975)

Cuca e maleve (1974)

Përjetësi (1974)

Motive nga dita e diel (1973)

Malet me blerim mbuluar (1971)

Parafabrikatet (1970)

Plagë të vjetra (1968)

Duel i heshtur (1967)

Komisari i dritës (1966)

Njeriu kurrë nuk vdes (1961)


I qoftë Dhéu i lehtë!


(Fatmir Terziu, Londër, 1 Shtator 2025)

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page