top of page

NUK MUND TË HESHT KUR “ATË QË NUK E BËNË BARBARËT, E BËNË BARBERINËT”


INTERVISTË ME SHKRIMTARIN SHPENDI TOPOLLAJ


NUK MUND TË HESHT KUR “ATË QË NUK E BËNË BARBARËT, E BËNË

BARBERINËT”


Gazetari: Si kaloi periudha e karantinës për njërin nga shkrimtarët më prodhimtarë?


Shpendi: Umberto Eko, duke perifrazuar T. Xhefersonin ka thënë se “Ne jetojmë për librat”. E ku më mirë se në izolim, gjen pasqyrim kjo thënie për një shkrimtar. Dy ditë para se të niste “fshehja” nga koronavirusi, botova librin me studime dhe kritika letrare “Dantja… dhe të tjerë”, dhe si vazhdim i saj nisa të shkruaj librin tjetër “Shenjtorët e letrave”, i cili u botua para ca ditësh, nga shtëpia botuese “2MPrinting” Durrës. I kam analizuar nga këndvështrimi im, shumicën e korifejve të letrave, duke nisur nga Virgjili, Horaci, Petrarka, Bokaçio, Shekspiri, Servantesi, Gëtja, Balzaku, Hygoi, Cvajgu, Tolstoi, Pushkini, Lermontovi, Gogoli, Dostojevski, Tueni, Mopasani, Esenini, Eminesku, Shollohovi, Ahmatova, Hasheku, Markezi etj. etj. deri te Lasgushi ynë, Fishta, Kadareja, Pipa, Agolli me shokë. Nuk ka qenë aspak e lehtë, por duke kërkuar mirëkuptim për mungesën e modestisë, besoj se ia kam dalë me sukses të plotë.

Gazetari: Ti ke shkruar në të gjitha gjinitë. Po aktualisht me se po merresh?

Shpendi: Nuk isha marrë vetëm me dramaturgji, ndaj po shkruaj një dramë me titullin “E përdala”. Është jeta e shkurtër dhe shumë e ngarkuar me paragjykime e një vajze, që unë e kam pas botuar si novelë dhe për të cilën maestro Zhani Ciko është shprehur: “Tingujt vajtues të një violine nuk të ndahen teksa ndjek fatin e trishtë të një vajze të bukur dhe të pafajshme që nuk pranoi të braktiste djalin e saj si Kiona mitologjike, por vuajti pasojat e absurdit luftë klasash”.

Gazetari: Tani, desha të kaloj te një temë tjetër, por që ka lidhje si me letërsinë në përgjithësi, ashtu edhe me dramën në veçanti; shembja e Teatrit Kombëtar në atë formë që u bë.

Shpendi: Më lejo të shtyhem pak në histori. Në vitin 25 para erës së re, gjenerali Marko Agripa, beniamini dhe dhëndrri i Augustit, ndërtoi Panteonin e famshëm, të cilin pas plot 150 vjetësh e rikonstruktoi perandori Publio Adrian i shquar për ndërtime veprash të mëdha. Mirëpo, kur Mafeo Barberini u bë Papa Urbani i VIII - të dhe urdhëroi heqjen e llamarinave prej bronxi nga ky Panteon për të dekoruar kolonat e Rrëfimit të Katedrales së San Pietros, në popull lindi shprehja ironike “Atë që nuk e bënë barbarët, e bënë Barberinët”. Po mirë, po pyes unë tani; sikur arkitekt i këtij teatri të qe Bruneleski, Bernini a Boronini, beson se do guxonte kush ta shkatërronte? Në Rusi kanë rujatur me seriozitet jo vetëm Ermitazhin, por edhe një kasolle kashte në Razvil, ku kishte qëndruar pak ditë Lenini. Në Angli, interesohuni dhe do shihni se ka një shtëpi, në pllakën e së cilës shkruhet se këtu, në këtë periudhë, ka jetuar filan hajdut. E dini ju se kur u nxorrën nga liqeni Meni dy anijet e Neronit, jo vetëm që u bë një muzeum i tërë, por edhe pasi e bombarduan gjermanët dhe thuajse nuk mbeti asgjë, ai muze, vazhdon të ekzistojë vetëm me ca copa drurësh që mbetën pa u djegur. Pra, historia është histori. Shihni numizmatikën. Për asgjë nuk duhen ato monedha të ndryshkura, por sa vlerë kanë për historinë që mbajnë në vetvete.

Gazetari: Me sa kuptoj, juve nuk u ka lënë shije të mirë prishja e teatrit Kombëtar. Ishte e papritur kjo?

Shpendi: Nuk ishte aspak e papritur, pasi po ngjet ashtu sikurse thonin romakët e vjetër “Abussus, abussum invocat”, pra “Humnera thërret humnerën”, ose më shqip, njëri gabim pason tjetrin. Këto gjëra nuk bëhen as me teka, as me inate, as me koka të nxehta, as me hakmarrje dhe as me prepotencë. Burrat e shtetit duhet të jenë gjakftohtë, të urtë, paqësorë e pajtues, pra ta gjejnë fjalën me popullin e vet. Kapriçiot janë krejt të panevojshme. Lexojen Konfucin dhe shihni sesi ka thënë ai para 2500 vjetësh; se mund të kesh shumë vlera, por ato nuk vlejnë asgjë po qe arrogant. Po pse, me provokime, me nxitje tensionesh do vejë kjo punë te ne? Ajo thënia e Ciceronit më duket “Të më urrejnë, por të ma kenë frikën” është shumë e tejkaluar. Si mund të sillet një shtetar si Bu Ugu primitiv i novelës së Xhek Londonit “Forca e të Fortëve”, për të cilën kam shkruar edhe te “Shenjtorët e letrave”? Si t`i kundërvihesh brutalisht Robert Budinës me të gjithë ata që heroikisht dhe demokratikisht e me mençuri luftuan për të mbrojtur vlerat tona? Vetëm tanket nuk u përdorën kundër tyre, pas disa veprimeve krejt të dyshimta dhe të papranueshme nga jurisprudenca dhe rregullat e ligjet e shtetit. Më keq se atëherë, kur godinën, pronë e Shkrimtarëve dhe Artistëve e rrëmbyen brutalisht për ta bërë Ministri Kulture. Dhe askush nuk foli. Se te ne, askujt nuk i bije mendja për kulturë e art, për poetë, shkrimtarë dhe artistë.

Gazetari: Si e gjykoni ju, që mësë shumti, mendimet e specialistëve, grupeve të interesit dhe intelektualëve shpërfillen.

Shpendi: Po a nuk e vini re ju se zëri i zgjuar, plot kurajë dhe atdhetarizëm i poetit Kim Mehmeti, oshëtin në shkretëtirë? Se po t`i merrnin në konsideratë mendimet e tyre, do gjendeshin zgjidhje, rrugë e mundësira për t`u bërë më e mira. Fjala vjen; a nuk mund të ndërtohej teatri i ri te godina tani karikaturë e ish Muzeut të Diktatorit që i mbeti emri Piramida. Po atje ku ai ka pasur monumentin? Apo te zgjatimi i bulevardit drejt stacionit të trenit, ku ka hapësirë sa të duash në të dy krahët. Por jo; O nuse si e Çeços, o s`ka. Apo në Durrës, milionat e Eurove të shpenzuara te Velierja që i ka zënë pamjen detit, mos do të qe më e arsyeshme të përdoreshin tek Amfiteatri që ka mbetur për turp. 30 vjet dhe nuk kemi hequr dot ca shtëpi e ca tonelata dhe. Themi pastaj se Durrësi është qytet turistik. Por, a na ka shkuar mendja se çfarë mendojnë ata për ne, kur nuk ja dimë rëndësinë kolosale një vepre madhështore, me të cilën do të mburrej çdo vend i Evropës?

Gazetari: Personalisht si ndihesh nga kjo?

Shpendi: Si të ndihem. Unë nuk pretendoj që mendimi im është fjala e fundit, por ama njerëzit duhen dëgjuar edhe kur nuk janë në një mendje me ty. Kjo t`i ngre vlerat. Në të kundërtën, kalohet në voluntarizëm. Ose bije në atë gjendjen e dëmshme, për të cilën kam shkruar te një libri im me kritika, duke marrë shkas nga shprehja lapidare e Cvajgut “O pushtet me vështrim prej Meduze”. Ata që drejtojnë një vend, duhet t`i hedhin pas krahëve cenet e karakterit dhe ta përshtasin atë në pajtim me kërkesat e detyrës që e kanë kërkuar dhe u është besuar. Manxoni dikur thosh se “Një jetë e tërë me merita nuk mjafton për të mbuluar një veprim të dhunshëm”.

Gazetari: Po heshtjen ose si të thuash indiferencën e të huajve, si e shpjegoni.

Shpendi: Nuk më takon mua të flas publikisht për këtë, por mjaft me iluzione. Ne jemi një vend dhe një popull sovran dhe i pavarur nga askush. Mjaft i fetishizuam përulësisht të huajt dhe ambasadat e tyre. Politikanët që nuk i dalin dot për zot Shqipërisë, le ta lëshojnë vendin dhe të mos bëhen shkaktarë që të humbasim edhe gjënë më të shenjtë që një popull ka; dinjitetin. Vendin tonë të lirë, ta bëjmë vetë ne edhe më të mirë edhe më të lirë. Por gjithmonë duke mos harruar atë shprehjen e fituesit të disa çmimeve ndërkombëtare, Salman Ruzhdies se “pazari i mendimeve të kundërta është vendi nga buron liria.

Gazetari: U faleminderit për bisedën!

Shpendi: Edhe unë u jam mirënjohës që më zgjodhët.

38 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page