NUK ISHTE AKSIDENT POR VRASJE ME DASHJE ZOTI RAMA
Në vend të një letre të hapur kryeministrit që dinë të vizatojë por nuk din të mendojë
Në paragrafin e parë të fjalës VRAS shkruhet “E bëj një njeri të vdesë duke e qëlluar me armë a me ndonjë mjet tjetër, i marr jetën...”
Preke në plagë zoti Rama, preke rëndë. Nuk është aksident por VRASJE ME DASHJE. Hape fjalorin e gjuhës shqipe dhe lexoji të gjithë paragrafët shpjegues të fjalës aksident. Asnjë shpjegim nuk lidhen me ngjarjen që çoi në vdekjen me plumb në zemër të një të riu vetëm 25 vjeç... ASNJË... Është vrasje zoti kryeministër, VRASJE E PASTËR. Në paragrafin e parë të fjalës VRAS shkruhet “E bëj një njeri të vdesë duke e qëlluar me armë a me ndonjë mjet tjetër, i marr jetën...” Polici jot zoti kryeministër e qëlloi me armë, derdhi mbi djalin e ri jo një por dy plumba... I mori jetën... Në Dibër, në të nëntë malet e saj dhe në topallti, kur njerëzit shkojnë për krye shëndoshë, për të hequr dhimbjen, tërë rrugës bluajnë fjalën që do të nxjerrin nga goja. E bluajnë imtë, e bëjnë pambuk, pupël, që mos vrasë por të japë kurajë, të ngrohë zemrën e të heqë barrë mbi supe e në shpirt. Ta them sinqerisht, në kufijtë e tetëdhjetë vjetëve të jetës sime dhe të përvojës prej më se gjashtë dekadave si person përcjelljes së fjalës në publik, se momenti më dramatik i njeriut është kur hedh fjalën në një konak dhimbje e zije. Oh sa dhimbje ndjen... Ju me stafin tuaj (larg qoftë që në këtë mes të ketë qenë dibrani që ti e mban si “sugar ligjesh”) në vend që të shëroni plagën e madhe të Qazim Rashës, të Rashave mbarë e gjakut të tyre që humbën lofkën e zemrës, hape një vijë të madhe gjaku me fjalën kob...VDEKJE AKSIDENTALE. E si mund të jetë aksidentale vrasja e Klodianit kur polici, pa iu dridhë dora e tërhoqi këmbëzën (në Dibër thuhet se nuk mjaftojnë as dy pendë qe për ta tërheqë), jo një por dy herë dhe i mori jetën? Dhe një gjë tjetër zoti kryeministër. Mësoje dhe mbaje mend mirë. Në Dibër, në raste dhembjeje, nuk shkohet me dhurata por me një paqetë cigare. Nuk shuhet plaga e Qazim Rashës dhe e njerëzve të tij as me shpenzime e as me pensione e qeveritare. E ke ofenduar rëndë Qazim Rashën dhe djemtë-burra të tij. Dhe jo vetëm atë por Dibrën mbarë. Unë i qëndroj në krah Qazimit dhe bijve të tij. Po qe se ai është ngushtë Dibra ka zakonet e veta shekullore që dinë ti lehtësojnë shpirtin dhe jetën. Mësoji ato, ti dhe tërë soji politik shqiptar...
Abdurahim Ashiku
Athinë, 15 dhjetor 2020
Comments