top of page

NUK FIKEN KUJTIMET


NUK FIKEN KUJTIMET

Nuk fiken kujtimet si cigarin të fikësh

Në tavëll duhani të pagojë,

As dhimbjes e ndarjes t'i ikësh

E syri mos ngutet të lotojë.


Mbi krahë avioni atdheut ikur

Shpirtin pahiri një brengë e bren,

E digjet përbrenda si cigar i fikur,

Një bulëz loti dhimbjen rrëfen.


Shfaqen kujtimet lulnajë buqete

Ta mbushin shpirtin gazmend,

Po ndodh të nisen dhe me vrull shigjete

E pa plaguar nuk të lenë vend.


Te vendi i huaj ku mbajmë frymën

Brenda shpirtit gjallon një pendesë,

Si nata e errët e fsheh vetëtimën

Në gjoksin e plagosur të një resë.


Kujtimeve, jo, nuk u ikim dot

As siparin një çast t'ua ulim,

Spirancën hedhim në shpirtin port

E të penduar kryet përulim.


KUVEND FILOZOFËSH

Filozofi Aristipas tërë një jetë

Mbretit i shërbeu me devotshmëri,

Një çast kur Diogjenin ka zatetë

Me tasin e thjerrëzave në prehrin e tij

Nis e i qan hallin:" O mik i shkretë

Mbretin ti, në se do kishe mburrë

Këto thjerrza s'do i shijoje kurrë!"


"Fjalën mos e lodh! - i gjegjet Diogjeni

Pjates me thjerrza t'i falemi përherë,

Si njerëz do të kemi më vlerë,

Më shumë nder e dinjitet do kemi,

Dhe të përulur asnjëherë.

Ndaj mbretit ia kam mbyllur atë derë..."


E NËMURA

"Të humbtë varri!- u nëm dikush me ngulm

Kur tjetrin inat i skajshëm e kapërtheu,

I nëmuri iu gjegj sulmit me sulm:

"Pa varr mbeturkanë, Akili e Odiseu

Por lavdinë e tyre mbuluar s'e ka dheu.

Mbushur frymëzin Homeri i pa sy

Lavdinë e pamort këndoi për të dy!"


NJË DORË MIKU

Një dorë miku mbi supe

Kur vetëdijen e humb

Heshtazi e ndjej se më lutet

Mendimin e mbrapshtë ta shkund.


NUK E LODHI

Kur Zoti e krijoi njerinë,

Atë nuk e lodhi ideja

Të veçonte për turmën barinë

E të shumtët të ishin kopeja.


Ndaj për gabimin Tuaj o Zot

Ne vegjëlia vuajmë dhe sot...


SHQIPONJË SHQIPËRIE

Të ngjit majëmalin më ka ndodhë

Të shkel hapësirat gjeologjike,

Dhe dihet, mali më ka lodhë

Se ngjitjet, njeri, janë epike.


Ngadhnjyes një çast jam ndjerë

Këtu tek kjo majë lartësie,

Por mrekullisht një shqipe krahënderë

Më zbriti hijen e saj mbi krye...


Dhe ishte shqiponjë Shqipërie.


20 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page