top of page

NJË PËRVJETOR DHE NJË TAKIM


Kozma Gjergji

NJË PËRVJETOR DHE NJË TAKIM

Tregim nga Kozma Gjergji


      Toqen e mbanin organizatorin më me fantazi për krijimin e një skenografie sa më revolucionare në përkujtim të ngjarjeve historike dhe për veprimtaritë e politikës ditore. 

        Kur pëlqehej nga gjerarkët, atë e përgëzonin me rrahje të shpatullave dhe me fjalët: ”Bravo shoku Toqe! “, ndërsa kur kishin vërejtje mjaftoheshin vetëm duke i ndryshuar gërmën e parë emrit të  tij, në :”Bravo shoku Loqe! “.

          Aparatçikë si ky, kopje të të njëjtit model pune të skematizuar e tejet bajate, kishte në çdo komitet partie. 

           Meqënse vlerësohej si violinë e parë, e dërguan në rrethin fqinj të ndihmonte në përgatitjet për kremtimin e jubileut të ndarjes së tapive të tokës.

            Siç e kërkonte dhe rëndësia e ngjarjes në të do vinte një nga udhëheqësit kryesorë. Kështu që dhe kujdesi e përkushtimi qenë maksimal. Krahas ngritjes të një mjedisi flakërues, i tëri në të kuqen e revolucionit dhe me simbolet e përshtatshme, vëmendje e posaçme iu kushtua pjesëmarrjes së njerëzve, shpërndarjes së militantëve më të zjarrtë që nga rreshtat e parë e gjerë në thellësi, brohoritjeve e duartrokitjeve gjatë dhe në përfundim të fjalës së partiakut të lartë.

              Ky preokupim i shtuar ishte diktuar, veçanërisht, së fundmi nga kriza e tejskajshme, e cila sa vinte e më tepër po i ftohte njerëzit me regjimin. 

               Kur çdo gjë u bë gati sipas parashikimit, ata që u angazhuan shkëlqenin nga kënaqësia, përfshi dhe marangozin, i cili vetëm gozhdë nguli. Tashmë gjithçka ishte në pritje. 

                E para ia behu banda muzikore  me tingujt e gëzuar e solemn si preludi i festës. Pastaj nisën të vijnë njerëzit palë -palë, kryesisht kooperativistë. Në pak kohë e mbushën gjithë sheshin. Çuditërisht, tek ata, në vend se të vlonte gjallëria e hareshme, zotëronte një heshtje e zymtë, si të qenë mbledhur për ndonjë varrim. I tregonin tribunës fytyrat e menduara ngjyrë dheu e ndryshku dhe sytë e kapitulluar pa një xixë entuziazmi. 

                 Ata pritën me indiferentizëm ardhjen e udhëheqësit shoqëruar nga të vetët dhe drejtuesit lokalë. Ishte një burrë i bëshëm si hipopotam e me kapelen si të gardistëve kinezë. 

                  Shumë i qeshur e gjithë përzemërsi ai përshëndeti e shtrëngoi duart me këdo, duke ngulmuar t’ia ndizte flakët e gazit të festës. Teksa vërente mosinteres e guakëri mendoi se atyre baruti u kishte marrë lagështirë. Dëgjoi ta përcillnin deri në tribunë vetëm ca prrrrrëëë… prrrrrëëë.. .  të rralla duartrokitjesh, që iu dukën si pordhët e ndonjë gomari aty pranë. 

                 Tentoi sërish kur u vu para mikrofonave, me ca gjeste prej dirigjenti, si të shkruante në ajër vargjet më ndjellës. Iu përgjigjën as sa çereku i atyre që e shndërronin çdo shesh në det të stuhishëm. 

                  Shpresonte ta ndryshonte situatën me fjalimin, prandaj e filloi menjëherë. Me tone mburravece ai bëri propagandë për fitoret, bollëkun, mirëqënien…, ndërsa pjesmarrësit e ndiqnin sikur të mos kuptonin asnjë fjalë nga ato që iu thoshte. Ç’farë nuk shkonte?! Ç’të ishte?!.I erdhi shpejt në ndihmë një nga ato përgjigjet e gatshme: Kishte munguar me  ta puna edukuese, bindëse, sqaruese, por nuk përjashtohej edhe penetrimi i frymës armiqësore… 

                  Ky tutkun, ashtu si gjithë sëra e tij hamse, as e çonte hiç në mend, që atë sjellje e diktonte barku i uritur, duart e pa shpërblyera, vatra pa zjarr, tryeza bosh… 

                  Në hall të madh ishte vënë kameramani i TVSH-së, të  cilit për të ilustruar fjalimin e udhëheqësit i duheshin patjetër shuplaka të kënaqura që përplaseshin furishëm, gojë të ngopura që brohorisnin me krenari, fytyra të ngazëllyera nga jeta e lumtur… 

                  Nuk po i gjente dot. Si t’ja bënte? Eprorët s’e falnin, s’i pranonin kurrsesi çfarëdo arsye. E dinte mirë ç’e priste  nëse paraqiste nga afër ato fytyra të majmunzuara, aktakuza tronditëse të mjerimit komunist. Për më tepër ishte dhe i ndëshkuar e vënë në shënjestër për nxirrje të realitetit socialist. Iu ndërmend si therje koke kërcënimi më i fundit i drejtorit :”Ajo kamera e jote na kthen pesëdhjetë vjet mbrapa…  Nëse vërtetohet se e bën me qëllim, ty të zë ligji për agjitacion e propagandë… Domethënë burgu… “

                 Teksa mendonte këto i mërzitur,  krejt rastësisht i kapën sytë më tutje  një grup fëmijësh të përfshirë në lojën e këndshme, se kush e hidhte shurrën më larg. “Eureka! “ thirri së brendshmi. Menjëherë i vuri në fokusin e kamerës. 

                  Sapo ata e përfunduan garën, ashtu rrëmujshëm e me gëzimin e shpenguar të moshës, ia dhanë vrapit  drejt njerëzve për të ndjekur festën. Shpëtimtarët e vegjël iu dukën si vogëlushët e lumtur të Danimarkës e Kalifornisë. I fiksoi në  dhjetra e dhjetra plane, të cilët do të bëheshin stolia e kronikës dhe e reportazheve të gazetave. 

                   Udhëheqësi pasi mbaroi fjalimin zbriti nga tribuna. Nuk mori nga makina për tek dreka që e priste, por shkoi e u fut midis të pranishmëve të ndiqte koncertin. U bë njësh me ta për t’ju shprehur me atë gjest se: “Unë jam ju…. Unë jam i juaji…. “

                   Koncerti e ndryshoi krejtësisht atmosferën. Njerëzit i mirëpresin e i duan këngët, vallet, meloditë…  Po i pëlqenin dhe partiakut të lartë, sidomos ato me vargjet-parrulla. Duartrokiti fortë e iu tha atyre pranë, se s’kishte gjë më të mrekullueshme sesa kur popullit i këndonte zemra. I bëri përshtypje veçanërisht një këngë rrëqethëse, që të këpuste shpirtin. Pikëllim shiu dhe fushe, sikur vajtonte vetë varfëria dhe i lutej qiellit ta shpëtonte. 

                     I emocionuar udhëheqësi pohoi, se ajo këngë ishte si një pus i thellë plotë me dhimbje, veç duhej korrigjuar urgjentisht teksti. Ashtu si melodia edhe vargjet duhej të flisnin vetëm për të kaluarën e jo për të sotmen, sepse siç ishte bënte efektin shkatërrues të minës në shpirtin e dëgjuesve. 

                       Ai e vlerësoi shumë kronikën që u dha në mbrëmje në TV. Sipas tij në të qenë harmonizuar bukur: Populli i kënaqur - zot i të mirave, fëmijët e lumtur - e ardhmja, dhe tribuna- udhëheqia që printe me grushtin lartë si busull. Megjithatë kjo nuk ia ëmbëlsoi sadopak hidhërimin që i shkaktojë mungesa skandaloze e entuziazmit në festën e jubileut të ndarjes së tapive të tokës. E bëri çështje dhe udhëzoi të analizohej thellë dhe përgjegjësit të ndëshkoheshin rëndë. Për rrjedhojë u zbrit nga detyra sekretari i parë dhe u shkarkuan sekretari për ideologjinë bashkë me katër aparatçikë. 

                    Ishte e sigurt që i njëjti fat e priste dhe Toqen. Për çudinë e të gjithëve ai ia doli ta kapërcejë greminën mjeshtërisht me një autokritikë të fortë e duke ua hedhur krejt fajin atyre të rrethit fqinj. 

                    Shkarkimi do t’i vinte fare kot, pakëz më vonë, nga një prej takimeve rutinë për fushatën e mbledhjes së prodhimeve bujqësore të stinës. Meqenëse atë takim e kishte kërkuar vetë kryetari i pushtetit të rrethit në zonën e banuar në shumicë nga komuniteti rom, përgatitja iu ngarkua Toqes. Kujdesi shkoi deri tek përcjellja e porosisë çdo pjesëmarrsi për t’ju përmbajtur rreptësisht tematikës, për të shmangur kërkesat e ankesat personale dhe mbajtur sa më larg zevzekët, sherrxhinjtë, llafazanët e provokatorët. 

                   Takimi nisi mbarë. Kryetari për t’u treguar sa më i afërt i pyeti pjesmarrësit për shëndetin dhe pasi mori përgjigjen në kor “Mirë” dhe”Shumë mirë”, i kënaqur filloi ligjëratën.  

                   Është koha, u tha, të finalizojmë mundin e djersën e kaqë muajve dhe me përqëndrim forcash të mbledhim e dorëzojmë në  shtet prodhimet… Më tej ngjiti e kapërceu malet e sukseseve dhe zbriti në fushën përplot lule të demokracisë proletare, e cila ndryshe nga ajo borgjeze e dëgjon zërin e masave. Prandaj, vijoi, ju ftoj të gjithëve të jepni mendimet e sugjerimet tuaja sesi ta realizojmë fushatën me rendimentin më të lartë dhe koston më të ulët, si të parandalojmë dëmet, firot dhe ruajmë  prodhimet nga zjarri e vjedhjet... 

                   Takimi, si dhe herë të tjera, degradoi vetëm në kërkesa e ankesa të shumta si, për mungesën e vajgurit e artikujve bazë, mosfurnizimin e rregullt të dyqaneve… 

                    Kryetari u tregua i duruar, tolerant, mirëkuptues dhe u zotua t’ua zgjidhte.Megjithatë kërkesat e ankesat nuk reshtnin. Këmbëngulte t’i jepnin fjalën në mënyrë të veçantë një mesoburrë. Ngrinte e ulte të dy duart dhe thërriste “Me leje…. Me leje… “, ndërsa drejtuesi i takimit e injoronte. Iu desh vetë kryetarit t’ia jepte fjalën. 

                    Mesoburri u ngrit menjëherë në këmbë bashkë me të bijën rreth të  pesëmbëdhjetave dhe duke treguar me dorë nga ajo pyeti: “Mbanë rr..çkë kjo shoku kryetar?!...“

                    Shpërtheu një e qeshur e papërmbajtur e zhurmnajë e madhe. Kryetari s’arriti dot ta dëgjonte se çfarë tha, prandaj iu kërkoi të pranishmëve : ” Ju lutem qetësi…  Ta dëgjojmë shokun... “

                    Mesoburri e përsëriti edhe dy-tre herë pyetjen. Ndërsa të gjithë gajaseshin, kryetari u vrejt dhe u bë shumë serioz. S’dinte ç’të thoshte. Mërmëriti me vete: “Bah, ç’mut pyetje që bën ky budalla me brirë!” Gjatë tërë karierës kurrë nuk ishte ndeshur me pyetje kaqë të sikletshme. Ç’dreqin t’i thoshte faqe tërë popullit?! U nervozua: Ç’mi sjellin të tillë idiotë në takim?! Mund të ma kenë bërë qëllimisht për të më diskredituar... Iu kujtua Toqia. E kërkoi me sy dhe e gjeti. E vështroi rëndë-rëndë e me kanosje. 

                      Toqia duke e ndjerë rrezikun i bëri shenjë atij që ishte në krah të kryetarit ta sqaronte. Ai veproi menjëherë. I tha se personi ishte një arixhi, vajzën e të cilit e dashuronte një djalë. Meqenëse ky s’ishte dakort  ai për ta bërë të tijën e përdhunoi. Me pyetjen don t’ju thotë, se a ka moshë e bija për të tilla gjëra, dhe për krimin kërkon nga ju të urdhëroni arrestimin e atij. 

                     Kryetari, tashmë i sqaruar, e qetësoi ankuesin me premtimin se do të ngarkonte shokët t’ia zgjidhnin. 

                     Takimi u mbyll i qeshur, por jo zemërimi i kryetarit. Ndër gjërat e para që bëri më pas ishte shkarkimi i Toqes. Ky ndëshkim i tij, krejt i pafaj, vetëm për pyetjen e arixhiut tregohej e ritregohej gjithandej si barsaletë. Kjo ia bëri emrin shumë popullor. 


278 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page