top of page

Një model mirësie… Mirënjohje!


Faruk Myrtaj


Noke Abilekaj



Novruz Abilekaj, më lejo të kthehemi, për pak, në të shkuarën, vetëm për pak minuta. Kinema "Minatori", Selenicë, Vlorë. Shqipëri…1974.

Nuk do të themi asgjë për të Tjerë. Thjesht më duhet të shpreh mirënjohjen për Ju. Pra, për ty, si vëlla, si njeri...

Kujtohem, isha ulur në radhën në të djathtë të platesë, me shokun e klasës F.Q. Ky, sikur ta parandjente atë që do ndodhte, pasi u ngrit Nëpunësi Civil për të folur, më preku lehtë parakrahun dhe, pothuaj si duke pëshpëritur, më tha:

"Tani...mos u mërzit ti, Faruk..."

"Të mërzitem unë...Po përse?!"

Ai që po fliste sikur recitonte një tekst mësuar përmendësh, e nisi duke sulmuar dikë tjetër, dmth prindin e një nxënësi tjetër, pastaj u shpreh:

"Le të mësoj sa të doj Faruk Myrtaj. Nuk merr dot të drejtë studimi nga Pushteti Popullor..."

Nëna ime, Ndjesë Pastë atje Matanë ku është, ishte diku në sallë me nënat e tjera. Sinqerisht, më duhet të pohoj se në atë moshë, nuk se kisha vëmendjen e tanishme, të mendoja dot për shqetësimin e Saj…Madje, të edukuar të besonim tek e mira dhe të shfaqnim sa mundnim veti njerëzore, me besim tek e mira edhe prej të tjerëve, nuk e gjykoja dot për kush-e-di çfarë atë që do vijonte për mua pas këtyre fjalëve…

Kishim ardhur në atë mjedis publik kinemaje për të marrë pjesë në një si "diskutim për të drejtat e studimit për universitet". Më pas do ta përqasnim me ato që ndodhën në Kinën Popullore përgjatë Revolucionit Kulturor Proletar: Aty, në kinema, populli do të shprehej se cili prej nesh, rioshëve të dlirë që ende po u gëzoheshim Diplomave të Pjekurisë, do të kishte të drejtë të nisej në Universitetin e vetëm Shtetëror.

Sot, kjo tingëllon e çuditshme edhe në Shqipëri, por rrallëkush prej emigrantëve në Perëndim (vec atyre ardhur si ne, nga Lindja e Kuqe) gjen energji të ta besoj nëse do përpiqesh t’ja shpjegosh këtë “leje masash” për një të drejtë elementare siç është arsmimi sipas meritës si nxënës, por jemi në vitin 1974…


Selenica

Sigurisht nuk do përmend askënd tjetër, Novruz i dashur...

Asnjë rëndësi s'kanë emrat tash-më. Aq më pak kur ndokush prej vëllezërve të mi, edhe më cilësor si nxënës, nuk arriti dot kurrë të nisej student...

Janë të falur të gjithë ata që sado-vonë, u ndjenë vetëqortues, qoftë edhe pa zë, qoftë edhe ta kenë pranuar veç me të afërmit a fëmijët e tyre, se nuk ndjehen mirë me shtysën drejt së ligës, që ajo kohë ua sugjeroi…

Por më duhet të të falenderoj ty, Novruz Abileka...

Nuk njiheshim asokohe. Nuk ishim dot këta që ishim sot, natyrisht! Të gjithë ishim të tjerë! Edhe ata që u ndodhën në simetri tjetër, as ata nuk do donin të ishin ata, madje që të përpiqemi të jemi deri në fund të vërtetë: ne nuk I dimë të gjithë hollësitë e asaj kohe, dhe të atyre ngjarjeve. Ose, edhe nëse I dimë, nuk jemi ende në gjendje t’I përmendim e t’I arësyetojmë dot meritueshëm…

Tanimë e kemi më kollaj t’i harrojmë se t’i vendosim në rrethant atëherë auktorët e tyre! Se të gjithë jemi ndryshuar. Ndaj dhe arrijmë të flasim: të mund të krijojmë gjendjen, tolerancën mes veti, që të mund të merremi vesh se ç’ndodhi e pastaj të mund të merremi vesh për ç’duhet të bëjmë sot. Ne dhe fëmijët tanë. Parimisht sot është shumë më e lehtë, përderisa dikush, si ti- dhe jo vetëm ti (unë e dëshmoj në përvojën time të gjatë: një varg njerëzish më ndihën të përshkoj udhën si fat- pra dikush u përpoqë ta bënte edhe Dje…

Të jemi sa më realisht të vërtetë sot: ajo kohë absurde, sot, jo se na dukej aq e tillë dhe aq brutale, dikur. Tek e fundit, themi sot, tërë pushtetet janë më të dhunshëm seç predikojnë. Edhe sot e kësaj dite te tille jane! Jo më ajo kohë që arriti dhe e mbiquajti veten “diktaturë…” me Kushtetutë. Me Sekretarë të Parë në vend të Zotit! Të kuptuarit e realiteteve dhe të identifikuarit e paudhësive është gjithnjë proces…

U ngrite, Novruz Abileka, dhe the pak fjalë.

Vetëm më vonë, kam dëgjuar se ç’lehtësim ke blatuar tek Nëna ime e mbetur pa frymë nga Fjalët që u thanë për të ardhmen e Birit të saj, që isha unë…

Njerëzit në presidiumin e takimit popullor heshtnin…Nëna ime, në jetë të gjatë përkrahë Tim Eti, dinte ta lexonte heshtjen e tyre, por ne fëmijët e tyre, unë aty në atë sallë kinemaje, ende jo!

Ndaj ato dy fjalë të tuat, Novruz, që pasi arritën fluturimthi tek Nëna ime, erdhën ca ngadalshëm edhe tek unë.

Vetëm më pas u bënë çdo ditë e çdo vit më të bukura...Sa më shumë kuptonim kohën e shkuar…

Sigurisht nuk do ta ktheje dot rrotën e fatit në të kundërtën. Por ti, prej atij momenti e përgjithnjë mik i nderuar, dëshmove praninë e Njeriut. Dëshmove, edhe për të rastësishmit në atë sallë, se rron’ ore rron e mbetet Njeriu!” Njeriu përpiqet të shfaq pjesën më të mirë të qenies së tij, si detyrim ndaj Familjes, Mjedisit, Fëmijëve të vetë. Dëshmove Veten, Novruz Abilekaj...

Kjo ka ndodhur 45 vjet më pare, pra në shekullin tjetër! Por s’është keq të thuash, gjithnjë, të gjithëve që kanë ofruar mirësi, qoftë edhe përmes një fjale, Faleminderit!

Pas pothuaj një gjysmë shekulli, te dy emigrantë, e duam, na dhimbset Atdheu njëlloj, u bënë vite që komunikojmë on line.

Asokohe nuk ndodhi të shoqëroheshim, edhe për diferencë moshe. Kam idenë e tanishme se edhe nëse do ndodhte njohja, nuk se do ndryshonte gjë! Tashme jemi miq me status të veçantë. Që këmbejmë shumë opinione sa më të hapura. Me sinqeritet , jemi edhe kolegë. Rrëfejmë, tregojmë, shkruajme, ngulmojmë të kthejmë në letërsi edhe atë që jetuam. Duam të lexohet e shkuara e Njeriut në ditë të rrepta, por edhe të njeriut sot, në ditë që janë më të lira, por jo më pak të vështira...

Ti, Novruz ke proza e poezi të vecanta, ke edhe një libër esse virtyti me titullin “Enveri në Jetën Time”. Për shkak të asaj që kishte ndodhur midis, që nga Kanadaja ty në Greqi të shkrova: “Ç’ne…Enveri në jetën tënde, o Noke?!”

Sepse, në moment mu kujtua që në një radhë shkrimesh të mia, por edhe në ndonjë vjershë, koha e asaj kohe sigurisht kishte hyrë…Qoftë edhe në padëshirën tonë, që le ta themi sërish: nuk se ishte po ajo që është sot…

Gjithnjë kërkohet edhe ca më shumë dinjitet.

Ti, Novruz, e shfaqe...45 vite me parë.

111 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page