top of page

Një libër ndryshe për Arshi Pipën

Nga Ajete Zogaj 

“Unë mundem me heqë dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi; kjo âsht e mira mâ e naltë, madje e mira ime absolute […]. Kanë prangosë trupin tim, por nuk kanë mundë me prangosë mendimin tim. Dh e- gjâ vërtetë e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bâ pothuajse kufomë, atëherë mendimi ka fitue lirinë”. (Arshi Pipa)

Janë këto fjalët e profesor Arshi Pipës, të cituara nga autori Anton Nikë Berisha në hapje të këtij libri të veçantë e mjaft të realizuar, që i dhurohet lexuesit për njërin ndër figurat e ‘lëna në hije’ dhe jo shumë të njohur ndër ne.

Libri “Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë” duhet të vështrohet në dy rrafshe, të cilat komunikojnë dhe ndërlidhen shumë natyrshëm mes vete: Është figura poliedrike e Arshi Pipës si personalitet atdhetar e liridashës, studiues, këmbëngulës në idetë dhe në qëndrimet e tij të argumentuara, si dhe figura e vetë autorit (Anton Nikë Berisha) karshi këtij dijetari të spikatur, të kristalizuara e të dhëna aq bukur në faqet e këtij libri.

Në fakt Berisha ka zgjedhur një ‘rrugë’ krejt tjetër të trajtimit e studimit të veprës dhe figurës së Arshi Pipës, e veçantë, e natyrshme, mbase edhe shumë modeste, përmes letërkëmbimit, bisedës, trajtimit si kritik letrar dhe përzgjedhjes së poezive të dhëna në këtë libër e të cilat autori do t’i quajë ‘tronditëse’.

Librit i paraprijnë Fjala paraprake “Arshi Pipa përmes mendimeve dhe të dhënave burimore” ku autori shpalos miqësinë me Arshi Pipën, protagonistin kryesor të librit, si dhe me mendimet dhe me pikëpamjet burimore të Pipës, të shfaqura për herë të parë në këtë libër në mënyrë shumë autentike.

Janë tetë letra të Arshi Pipës dërguar autorit të librit, Anton Nikë Berishës, të cilat botohen për herë të parë pa asnjë ndryshim, si dhe tri letra të profesor Berishës dërguar Arshi Pipës. Këto letra tregojnë një kulturë të lartë komunikimi mes dy intelektualësh të shquar për pikëpamje të rëndësishme letrare, gjuhësore, kulturore e politike në të cilat po kalonte Kosova, por edhe bota shqiptare në përgjithësi.

Derisa në letrat e Arshi Pipës vërehet temperamenti i skajshëm i tij për shumë ngjarje e dukuri që i gjykon rëndë, si, siç thotë ai, gjuhën e ‘Kostallarit” ku thotë se lanë Bogdanin për “gjuhën e njësuar”, apo në mendimin e shfaqur në letrën: “[...] se kosovarët mund ta kishin fitue republikën e tyne me nji politikë ma t’urtë, jo provokuese nacionaliste si ajo që banë, dmth tue politicizue furishëm çashtjen e vazhdimësisë dardane – shqiptare, tue kopjue toskënishten kostallariane, dhe tue valvitë flamurin e fitores staliniste të Tiranës.”(f. 29). Pipa tregohet shumë i ashpër edhe në njërën nga letrat drejtuar profesor Berishës, duke u shprehur kështu: “Si nuk delka nji búrr n’atë Kosovë me qitë kushtrimin kundër krimit të gjuhës!” (f. 26).

Shumë përmbajtësore janë edhe tri letrat e Anton Nikë Berishës dërguar prof. Arshi Pipës. Sidomos, përgjigjet elokuente, të matura e të urta të profesor Berishës, për çështjet e ngritura nga letërkëmbimi me Pipën, për gjuhën e njësuar dhe çështjen e pazgjidhur të Kosovës, dëshmojnë për një letërkëmbim korifejsh të mendimit prej intelektualësh të vërtetë!

Ja se si përgjigjet Berisha në letrën e tij drejtuar profesor Arshi Pipës: “[...] nuk e mohoj fajin tim, qoftë ai edhe ma i rândi i mundshëm (edhe pse kur u mbajt Kongresi i drejtshkrimit unë sa kisha mbarue fakultetin dhe nuk më pyette kush, siç thonë as për të gjallë), por mendoj se para se të bâhet pyetja “Si nuk u gjetka atje as edhe një intelektual që t’i dalë zot traditës kosovare të shkrimit...” duhet me u përgjigj ma parë (nëse pranohet ndonji kiearki) pse ndodhë ashtu – të dyja si çashtje jashtë gjuhësore. Në qoftë se e shqyrtojmë të dytën me urti dhe me gjakftohtësi, atëherë e para është e sqarueme dhe ashtë e tepërt të shtrohet. Ma thotë mendja se puna e pranimit të gjuhës së njësueme duhet me u pa në dritën e asaj thânjës së njohun “Për inati t’imes re, dektë êm bir!, si dhe përgjigja “Për punën e republikës së kosovarëve “me nji politikë mâ t’urtë” [...] due me ju thanë krejt shkurt: duhet të përmbyset mendësia serbe bashkë me mitologjinë; të ndodhë një kataklizmë e pazakontë e ata të pranojnë nji republikë të Kosovës. Se një politikë e urtë e kosovarëve shqiptarë (qoftë edhe ma e urta në historinë e njerëzimit) do të mundësonte republikën e Kosovës ashtë një utopi e mirëfilltë. Ndoshta ne kosovarët, pa të drejtë, i shohim punët e Kosovës ndryshe nga të tjerët. Dhe kjo, s’do mend i ka arsyet e veta.”(f. 38-39).

Një vend të rëndësishëm gjithsesi zë edhe biseda e zhvilluar nga Anton Nikë Berisha me Arshi Pipën, bisedë kjo e zhvilluar dhe e botuar për herë të parë në Kosovë, por edhe origjinaliteti i përgjigjeve në gjuhën gegnishte që shkruante prof. Pipa e jo “në gjuhën e Kostallarit” siç thoshte ai e botuar në “Shkëndija” të Prishtinës në prill të vitit 1991 (f. 8-9), autori nuk lë pa vënë në dukje edhe rolin e madh që pati Martin Camaj në njohjen e tij me Arshi Pipën dhe idenë e dhënë nga ai për bisedën me prof. Arshi Pipën (pas një bisede që Berisha e bëri me Camajn e që pati jehonë në Kosovë).

Biseda me Arshi Pipën (që sjellet pa asnjë ndërhyrje), letrat e botuara për herë të parë, pozitë Kosovës dhe Kanali, si dhe një studim i Pipës për Fishtën, dëshmojnë për thellësinë e mendimit e krijimit të një vepre të arrirë e shumëdimensionale, edhe pse jo shumë voluminoze (93 faqe tekst).

Këtë e dëshmon më së miri vlerësimi që profesor Berisha i bën Arshi Pipës në fjalën paraprake: “Arshi Pipa ishte njeri i mendimit të lirë, dhe se ky libër është dhe një peng i përvuajtur i mirënjohjes për profesor Arshi Pipën për veprimtarinë e gjithanshme të bërë për botën tonë shqiptare, veçmas për veprat poetike që ua kushtoi Kosovës dhe shqiptarëve të saj” (f. 9-13).

Lexuesi, po dhe i studiuesi i letërsisë, përmes këtij libri ka mundësi të zgjerojë njohjet e tij për Arshi Pipën, për gjuhën e njësuar dhe dilemat rreth saj, për Fishtën dhe strukturës e vargut shqip si dhe të lexojë e të tronditet me dy poezitë e tij të fuqishme: Kosovës dhe Kanali dy krijesa që flasin më shumë se mijëra fjalë.

Përmes librit “Arshi Pipa krijues i mendimit të lirë” dëshmohet dija shumë dimensionale e autorit Berisha në shpalimin dhe ndriçimin e figurës komplekse të Arshi Pipës si njeri, intelektual me talent të rrallë, antikomunist e antistalinist, i burgosur e i persekutuar, por asnjëherë i nënshtruar ndaj diktaturës.

Libri shquhet për gjuhën e pastër e të pasur, për stilin e veçantë, dhe herë – herë na duket se po lexojmë dukuri të kohës jo shumë të largët. Autori i kushton shumë kujdes saktësisë së mendimeve e të dhënave, në të gjitha letrat që këmben me profesor Pipën; shënon datën, vitin madje në disa prej tyre dhe numrin e telefonit, çka dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e punës dhe saktësisë, e që mund të shërbejnë dhe si model i çmuar se si duhet të punohet me përkushtim.


19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page