top of page

NJERIU ME RROBA JESHILE



TREGIM NGA MYSLIM MASKA

Pa hajde moj Meri, hajde moj motra ime ta shikosh sa e bukur është kjo lulekuqja që ka mbirë tek sofati i portës tonë. Si doli mes gurëve? Pa shikoji si dridhen petalet, sikur duan të flasin, por s’munden. Më duket se edhe lulet edhe gurët edhe drurët, e gjithë

bota, gjithësia, ështe nje qenie e gjallë, na flasin, por është faji ynë që s’i kuptojmë. Çfarë duan të na thonë vallë?

- Ku di unë e shkreta, dy vjeçe më e madhe se ty jam.

- Po këto rruaza vezulluese mbi petalet e lulëkuqeve? , - pa shikoji si harbojnë e ndrijnë!

- Ndoshta janë lotët e yjeve që bien mbi petalet e luleve, se yjet çmenden për bukuritë. Kështu më thoshte gjyshja sa herë më mbante në prehër, kur më tregonte përralla dhe më krihte flokët.

- Po Ai, për të cilin të gjithë njerëzit flasin se netëve kur erret, del nga errësira, si një “Ëngjëll” dhe shetit nëpër fshat. Flet me zë të lartë dhe qesh me ironi dhe bërtet. Duhet të ketë një hall të madh! Thonë se e kanë dëgjuar , por s’e kanë parë. Është e vërtetë? - kush është Ai?

- E ku di unë, aq sa di ti! Lëri këto e kuturisu me veten. Kur të jesh me delet atje lart, tek kodra në krye të fshatit mendo sa e si të duash për të. Por gjersa thonë s’është pa gjë.!

- Hajde, nxirri delet dhe qengjat nga katoi se u bë vonë. Patjetër dhe qenin, Bobin. Babai dhe mamaja torturohen tërë ditën për të na rritur e veselitur. Dhe jemi pesë fëmijë. Ne të dy jemi më të mëdhenjtë. Unë do ndihmojë për punët e shtëpisë, ti me bagëtinë. Mos harro, merr dhe librat me vete. Të bësh mësimet për të nesërmen.

- * * *

- Ajo reja sipër meje m’u bë si çarçaf qumështor, më ngrohu, më perkëdheli dhe iku, që të vinte ylli mbi gjoksin tim. Një yll imadh mbi një gjoks çilimiu. Më shkrifëroi, më mbushi me magji dhe dritë. Dhe pashë gjëra të mrekullueshme dhe të tmerrshme si ato që më thoshte gjyshja kur më tregonte përralla. Dhe sikur vdisja dhe sikur ringjalleshja. Përralla thosha me vete, përralla. Por kur gjashtë qengjat bridhnin dhe harbonin, vallzonin në qiell, blegërinin, këndonin dhe kërcenin hop – hop së bashku me retë e vockëla bardhoshe, jeta mu duk shumë e bukur dhe u përlota.

Bobi po më lëpinte në faqe, u zgjova. Ishte errësuar. U tremba. U tremba shumë, se do kaloja tek varrezat e vjetra, aty ku kishte shtëpinë “NJERIU ME RROBA JESHILE”. Dhe isha trembëdhjetë vjeç. Dhe vërtetë, sa u futëm tek varrezat, delet u trëmben dhe u kthyen mbrapa. Bobi, duke kuisur, me bishtin ndër shalë erdhi më kapi me dhëmbë tek cepi i pantallonës dhe më tërhoqi mbrapa.

-Mos u tremb – më tha. Ti je i madh tani, 13 ose 14 vjeç, aq sa ishte çupa ime. Më përkkëdheli shpatullat dhe më puthi flokët. Të them të drejtën s’ndjeva asnjë prekje, ndjeva se nga poshtë po njomesha. Ta them këtë – vazhdoi - që t’ua thuash të tjerëve, megjithëse e gjithë krahina e di, se kjo është bërë tashmë si një legjendë. Kur isha i ri, u dashurova marrëzisht me Nelin. Po kështu e deshte dhe Hasani. Pak më i madh në moshë se unë. Pas 12 viteve, kur vajza ishte 11 vjeçe, për arsye ekonomike shkova në emigracion në minierat e qymyrgurit në Francë. Kthehesha një muaj çdo vit. Aty nga viti i pestë më vjen një letër fatale nga ime shoqe: “Vajzën e përdhunoi Hasani. Vajza s’e duroi dot poshtërimin, vrau veten”. Bleva një pistoletë dhe u ktheva si i çmendur. Kishte marrë vesh, më bëri pritë dhe më vrau. Kanë kaluar dhjetra e dhjetra vjet qysh atëherë. Sa herë ka shira me gjëmime dhe vetëtima dalë dhe e kërkoj. Do ta gjej , kudo që të jetë, do ta ngre nga varri, do ta vras, dhe vetëm atëherë, do prehem i qetë dhe do të udhëtoj përjetësisht si të gjithë njerëzit e kësaj bote. Unë s’jam për DHUNË, por dhunës duhet t’i përgjigjesh me dhunë, ndryshe të fyejnë, të poshtërojnë, të shtypin me këmbë, të pshurrosin, gjersa s’ka ligje. Ai po ngashërehej, unë po qaja.

Kur bëra dhjetë – pesëmbëdhjetë hapa dhe ktheva kokën mbrapa, Ai qe zhdukur.

* * *

Kur mbërrita në shtëpi, Babai, kur pa gjendjen time, shumë i tronditur, më puthi duke më thënë: Të zuri gjumi dhe dhëntë bënë zarar në të mbjellat e fqinjëve? Apo dikush të qelloi? Më thuaj që t’ua ndreq qejfin. Jo! – i thashë unë dhe ja tregova të gjitha.

-Të është bërë nga frika.

-Jo! Pse delet u kthyen mbrapa dhe ikën të trembura? Po Bobi që më kapi tek cepi i pantallonave dhe më tërhoqi mbrapa me bishtin ndër shalë?

Këtë çast vjen Mamaja e shqetësuar. Kur Babai po i tregonte se ç’kishte ndodhur, unë përfitova nga rasti, shkova menjëherë në banjë, u lava dhe u ndërrova.

Kur dola nuk pashë ASGJË!... As shtëpi, as avlli, as portë.

Baba, Mama ku jeni? - Jam vetëm, kam frikë…DIKUSH më puthi në faqe dhe flokë, më përkëdheli nga shpatullat. Ishte Meri, motra ime. Po ti harrove, më tha, që ne s’jemi më në këtë botë? Termeti tetë rihter na hëngri të gjithëve. Tani e kemi shtëpinë atje lartë, tek “NJERIU ME RROBA JESHILE”. Ecja bashkë me motrën dhe më dukej se më qante dhe shpirti dhe trupi.

ATHINE , 12 DHJETOR 2021, MYSLIM MASKA.

 
 
 

4 Comments


mich.maska
Dec 20, 2021

I nderuar shkrimtar, faleminderit per analizen e ngrohte dhe dashamirese per tregimin tim.

Ju uroj suksese dhe GEZUAR VITIN E RI 2022. NDERIME, Myslimi, Athine.

Like

sotir.mimi
sotir.mimi
Dec 20, 2021

Xingografia:

Fantazia fëmijërore, shpesh për të mos thënë gjithëmonë, vjen herë si një këngë ninulle me të cilën shpiem vogëlushët në gjumë e herë si një dialog miniadoleshent, por domosdoshmërisht me rregullin e pashkruar të një poezie fjalësh të cilat pa tjetër sjellin melodi. Kjo gjetje nga autori M.Maska vjen në këtë tregim si një nga risitë e shumta që përherë Ai do të na befasojë. Urime dhe GËZUAR VITIN E RI, 2022! / Xingografia!/ Athinë.


Like

mich.maska
Dec 15, 2021

I nderuar shkrimtar, poet, mik. Z, Gjergji. Te gjithe jemi pjeseza dramatike te kesaj bote. Femijeria dhe pleqeria jane nje simbioze e pa spjegueshme. faleminderit per komentin lakonik.

Gezuar festat. Te fala, Myslimi, Athine.

Like

Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
Dec 15, 2021

Një copëz botë e populluar dhe me krijesat e fantazisë krejt të pafajshme

të fëmijës, për t'u folur më tepër të mëdhenjëve. Kjo mënyrë rrëfimi jep mjaft dorë.

Pikaso thoshte përafërsisht: Kur isha i vogël përpiqesha të pikturoja si i rritur, kurse

tani në moshën madhore përpiqem të pikturoj si fëmijë. Gëzuar festat, K.Gjergji.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page