Njerëzisht në dashuri


Fatmir Terziu

Lëngu i jetës

Nga Fatmir Terziu


Sonte do të trokas tre herë në gotën tënde,

trokitjen e parë e kam për arsyen,

trokitjen e dytë për ndjenjën,

trokitjen e tretë për vetveten

që të gjeti Ty e dashur,

të trokas me dashuri tërë jetën.


Dhe nëse gota do të dridhet,

me lëngun e jetës

e gjithë forca ime do të mblidhet

për të rikujtuar të gjithë kotësinë e fjalëve,

ndërsa të shtrëngoj fort midis krahëve.


Sytë në dashuri


E di, që do të habitesh të më arsyetosh, e di

e di, se gjithmonë kur vjen pyetja, dhe kur vjen puna e di

Dante e përshkruan këtë, era vërtitet në sy.


Këmbët janë të ndjeshme, ata s’mund të ikin as të rrinë

është një metaforë që e mbush me nur poezinë

gjithnjë vjen, dhe kur vjen puna e di

kjo është një kushtetutë vetëm për dashurinë,

një kod magjik që zbërthehet vetëm në sy.


Era i bart sytë si këmbët atje ku duan të shkojnë,

megjithatë, duken të ashpër për të huajt që u ngulen me helm,

janë si një dritë: gjithmonë vjen, dhe kur vjen puna ata e dinë

është kjo dritësi, për të fiksuar dhe për të mos lënë të shkojë dëm

të gjithë xixëllimin që lind dhe prodhon dashurinë.


Nga pesha e dashurisë dridhemi në këmbë

në zemër e zjarrmojmë, me sytë e bekojmë.


E di, që do të ngutesh të më gjykosh, e di

e di, se gjithmonë kur vjen pyetja, dhe kur vjen puna e di

Dante e përshkruan këtë, era dridhet në sy.


Më thuaj ëndërr?


Ej ëndërr të kanë parë njerëzit e rrugës tjetër,

shtëpisë matanë,

rrugicës së vjetër?


Ej ëndërr a ke zgjuar njerëzit e mi atje tej,

nënë e babë,

vëlla e motër?

Më thuaj ç’të thanë?

A ke zgjuar moj ëndërr më thuaj,

të dashurën për të cilën vuaj?


Të kanë parë ëndërr njerëzit e këtij qyteti,

ty që bën dashuri netëve me statujat e sheshit,

si njeriu i harlisur mjegullës së dendur,

ku çdo gjë brenda tij ka vdekur.


Ti ëndërr gjëmon si brenda njeriut,

e ftohtë, e zjarrtë e trishtë,

se ende nuk ke shtruar tryezën tënde,

të pijnë të gjithë ëndërrimtarët, të shkretët

që ty të besojnë përditë.


Njerëzisht në dashuri


Qielli është blu dhe i ndritshëm dhe i lirë

poshtë tij është një botë e ngjyrave

në të ngrysur, në të mugëtuar, në të gdhirë

ka dhimbje dhe trishtim, zemërim dhe lëndim,

por ka edhe lumturi

para, dragonj dhe monstra që na kontrollojnë,

pra hapni sytë dhe shikoni tani,

njerëzisht Ju jeni plot dashuri.


Sepse dashuria nuk është e verbër për njerëzinë,

të verbër janë ata,

të cilët kurrë nuk e njohën dashurinë.


Nënshkruam një dashuri


Kujtoj fjalët e dashur. I mas

si të masja kohët në ëndrra,

kur i thurrja dashurisë për çdo vajzë që takoja,

thirrjet, të qeshurat, ritmet e mundura,

thuaj propozimin tënd e mësova përmendësh,

thuaj dashurinë tuaj e mbajta në zemër.


Eh, kohë të shkuara,

trokisni këtu,

për të thënë se ajo është e vetmja memorje,

për ju.


Kur ajo buzëqesh,

kam kapur thelbin e vesës së syrit të saj.

Dhe në çdo palë të fundit,

lexoj një vrull,

ngrohtësinë e saj më të madhe,

në anën tjetër mbeta një pullë,

që zarfohet pas mesnate.


Mbylli sytë e tu,

dëgjo lotët e dikujt që kthehen në pluhur,

bashkë e bëmë jetën pranverë,

një arsye pse buzëqeshëm në kohën e duhur,

ku gëzimi i dhimbjes u tregua vetëm një herë.


Porta në Memorje