top of page

NJË VËSHTRIM I SHPEJTË



NJË VËSHTRIM I SHPEJTË

MBI LIBRIN E BEQIR SINËS “ROB, NJË BIOGRAFI PËR DY KOHË”


Nga Enver Memishaj


Zonja e nderuar Tefta Çapaj – Mersini që e kaloi jetën në internim që nga mosha dy vjeçare, më dhuroi librin e gazetarit dhe fotografit te njohur Beqir Sina, i njohur nga mua edhe nga shkrimet për kushrinjtë e mi Qemal Lepenica dhe Pullumb Lamaj, në Amerikë, shkrime që i përfshiva në monografinë, kushtuar tim kushriri. (“Qemal Lepenica…”, Tiranë 2019, f.244 – 245)

Beqir Sina është nga Dibra, lindur në internim në Savër të Lushnjës dhe me banim në Amerikën e ëndërruar prej tij. Me këtë libër ai është nisur të tregojë biografinë e tij, por falë inteligjencës dhe përvojës jetësore ai në fakt na ka treguar biografinë e Shqipërisë komuniste dhe kjo është vlera dhe rëndësia e këtij libri dhe për këtë arsye duhet ta lexojnë të gjithë shqipëtarët, veçanërisht të rinjtë.

Për vendet e internimit, pra edhe për Savrën, kanë shkruar shumë, por libri i zotit Sina është një përshkrim i plotë, një analizë e plotë me fakte tronditëse të atij vendi ku vuanin pa faj familjet shqiptare.

Libri përmbledh në fakt dy libra: Jeta imë në Shqipëri dhe Jëta imë në Amerikë. Unë do të ndalem vetëm në librin e parë, çka paraqet një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë, pasi jeta në Amerikë është e njohur për shqiptarët që emigruan atje pas vitit 1990.

Pas arratisjes së të atit gjyshja e Beqirit, nëna e tij me një fëmi dy vjeç dhe me Beqirin në bark u internua në Savër të Lushnjës, atje pas tre muaj do të lindte Beqiri, ndërsa vëllai tij do të vdiste në moshën 12 vjeçe nga mungesa e mjekimit dhe urija, po atje në vuajtje dhe zemërdjegur do të vdiste edhe gjyshja e tij. Atje në mjerim do të kalonte Beqir Sina 30 vjet të jetës së tij (f.129)



Tregimi i vuajtjeve dhe tmerrevë të të internuarve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës na vjen tashmë nga një dëshmitar okular që mbi familjen dhe kurrizin e tij, kaluan ato tmerre dhe vuajtje që shqiptarët nuk i kishin provuar nga asnjë pushtues i huaj edhe nga fashistët dhe nazistët, por po i provuan nga komunistët shqiptarë.

Mjerimin e jetës në internim, në robërinë komuniste dhe të jetës së tij si rob i komunistëve, siç na e thotë autori edhe në titull të librit e përshkruan me realizëm mbi bazën e fakteve dhe provave, e përshkruan kaq bukur e me talent sa librin po fillove ta lexosh nuk e heq dot nga dora deri sa ta përfunosh.

Janë të shumta skenat që përshkruan autori për varfërinë, që nga uria dhe vuajtja e prindërve që nuk mund t’i kënaqnin fëmijët as me bukë thatë. “Nëna ime ishtë mësuar …, i merrte fëmijët me të mirë. Në këto raste ajo u jepte atyre ndonjë lugë sheqer…”, shkruan autori.

Sa e dhimbshme. Sot sheqeri pothuajse është falas edhe lypsit e vegjël kur të vinë në kafene dhe ti , u ofron një paket sheqeri e refuzojnë me përbuzje, ndërsa në atë kohë një lugë sheqer për fëmijët ishte gjë e madhe.

Më kujtohet zakoni i kohës kur shkonim për vizitë ditën e Bajramit dhe e zonja e shtëpisë një lugë kafeje me sheqer, na e hidhte në pëllëmbën e dorës!

Autori nuk ndalet vetëm në analizën dhe përshkrimin e vuajtjeve në Savër, por ai është zgjeruar në tregimet e tij, çka flet për kulturën e gjerë që ka duke treguar nëpërmjet tregimeve familjare zakonet e traditat e mira të popullit tonë, zakone dhe ligje të cilat e kanë mbajtur popullin tonë përballë invadimeve dhe presioneve të pushtuesve të huaj.

Kështu p.sh. fejesën me Altinën ai na e tregon me emocione njerëzorë që prekin zemrën dhe mendjen e njeriut. Ndërsa na përshkruan dasën e tij që e bëri me lekë borxh ashtu si gjithë shqiptarët në atë kohë. Edhe autorit të këtij shkrimi ku erdhi dita të martohej e thirri nëna dhe i tha: “Enver vështro të keqen nëna dhe bëhu llotari që të bëjmë dasmën”. Ashtu bëra edhe unë. Llotaria ishte një shpikje e kohës bëheshin 10 vetë bashkë dhe çdo 15 ditësh që paguheshin njeri merrte rrogat e të 10 të tjerëve dhe kështu me radhë deri tek i dhjeti... Kështu veprohej në atë varfëri e mjerim të komunistëve, si në internim dhe tek ne që quheshim të lirë pasi Shqipëria ishte një burg i madh.

Ashtu siç tregohet në libër, por edhe siç na thotë vetë autori, qëllimi i tij nuk ishte thjesht të tregonte jetën e tij, apo të familjes së tij plot mundime, vuajtje e peripeci mbreslënëse, por “kujtesa na thërret dhe asnjë që ka sakrifikuar në këto vende të tmerrshme internimi nuk duhet të harrohet… Secili ka një emër. Secili ka një kujtesë… Vetëm kështu zemra ime do të qetësohet sadopak” (f.125 -126)

Dhe më tutje, në këtë libër, autori na jep listën e plotë të atyre individëve, apo familjeve që vuajtën të zit e ullirit në atë vend ferri si Savra e Lushnjës. Këta individë apo familje autori i përshkruan me realizëm, me dashuri dhe respekt dhe duket se edhe sot në botën e lirë atij i dhemb zemra për ata që vuajtën, dhe për popullin e tij.

Kjo duket që është edhe ideja kryesore që përshkon këtë libër, aq më tepër kur autori vë përballë kësaj jete të mjerueshme ku një popull i tërë jetonte nën shtypje çnjerzore, jetën e tij në Amerikë. Në “Shqipërinë e vogël prej më pak se 3 milion banorë kishte 23 burgje dhe 48 kampe internimi për të ashtuquajturit “armiq të popullit”. (f.118).

Ka shumë kapituj e tregime në këtë libër ku mund të lexohen me lotë në sy, si puna e rëndë raskapitëse në bujqësi, refuzimi për të shpëtuar jetën e një fëmije 12 vjeçar, vëllai Beqirit, duke e lënë të vdiste pa e mjekuar etj.

Një nga tmerret më të mëdha të asaj kohe ishte edhe shpikja djallëzore, çnjerzore: demaskimet publike, kur “armikun e popullit” e nxirrnin para turmës dhe turma e bindur e shan e poshtëron dhe e … pështynë. “Në Savër u bënë të paktën pesë demaskime publike publike, që ishte shumë për një kamp me rreth 500 të internuar. U demaskuan Bardhok Zefi, Lazër Radi, Vocërr Hoxha, Ahmet Laholli dhe Reshit Mulleti”. (f. 120)

Kjo ndodhte në vendin e internimit, po në Ndërmarjen e Përpunim Drurit në Vlorë në vendin e “lirë” çfarë ndodhte? Edhe atje u demaskuan publikisht Sefer Dauti megjithëse ishte anëtar partie dhe ish piloti me grua ruse Ilias Kelo, ndërsa Llazar Cekon nga Narta e pushkatuna në moshën 37 vjeçare, pasi ai kaloi kufirin dhe doli në Greqi, por u kthye me vullnet të lirë pas një muaji!

Pra ajo që ndodhte në vendin e internimit, ndodhte edhe në vendin e lirë, pasi Shqipëria ishte një burg i madhe i rrethuar me tela me gjemba.

Jeta në interin ishte jeta në Baraka, mbuluar me eternit, asbestin kanceroz, dhe jeta zhvillohej në shoqërinë e mijve.”Arat përqark ishin plotë me minj… Më ndonjë vend kur tavani ishte çarë nga shiu, miu binte nga çatia në mes të dyshemesë… Në vitin 1980, barakave iu shtua asbesti, një material kancerogjen… Në Savër kanë vdekur shumë njerës nga kanceri, por ne nuk e denim nga vinte”. (123 dhe 125)

Ky ishte komunizmi i Enver Hoxhës. Me ndihmën e Kinës në Lushnje dhe në Vlorë në krah të fabrikës së çimentoe “Vladimit Iliç Lenin”, u ndërtua fabrika e eternitit, pra dukej sikur Lenini nuk ishte kënaqur me vuajtjet dhe tmeret e Enver Hoxhës, por duhet t’u linte trashëgim shqiptarëve edhe kancerin e mushkrive.

Pas demaskimit publik një tjetër akt çnjerëzor i komunistëve, që na përshkruan z. Sina ishte përpjekjet që ata bënin që familjarët të spiunonin njeri tjetrin. Komunistët arrestuan dhe dënuan për herë të tretë Musën, xhaxhanë e Beqir Sinës. Pas arrestimit thirrën në hetuesi të shoqen e Musës, Beqirin dhe nënën e tij dhe u kërkuan të tregonin se çfarë kishte biseduar Musa me ata dhe duhet të tregoheshin të sinqertë, pasi Musa kishte treguar…

“Në këtë e sipër, një polic që rrinte në këmbë e qëlloi gruan e xhaxhait me një shpullë të fortë… Më vonë ajo do tregonte se nga ajo anë kishte humbur dëgjimin… Nuk kaluan as pesë minuat dhe polici u rishfaq në derë me xhaxhain. Musës ia kishin lidhur duart nga prapa… Ishte i hequr në fytyrë dhe dukej i vrarë në shpirt. Nuk e kisha parë kurrë me kokë të qethur dhe kjo, me sa kuptoj, duhet të ishte një tjetër formë poshtrimi…” (f.145 – 146)

Më duhet të theksoj se në vendet demokratike edhe në Shqipëri sot, mbrojtja e karakterit dhe dinjitetit të njeriut është e sanksionuar në kushtetutë.Nuk ke detyrim dhe nuk mund të dëshmosh për njeriun e afërt. Edhe një detaj tjetër nga tregimi Beqir Sinës. Të burgosurin e poshtërojnë duke i qethur kokën. Po përse sot koka e qethur ka dalë në modë? Aq më tepër koka e rruar një shëmti dhe munges karakteri.

Një i internuar pasi lexoi librin i tha autrit të këtij shkrimi: “Sa mirë e paska ditur dhe e ka treguar historinë time Beqir Sina”

Kaq mjafton për vlerat e këtij libri i shkruar me mend dhe me zemër sa që të duket sikur Beqir Sina tregon historinë tënde.

* * *

Nëpërmjet jetës së tij Beqir Sina ka treguar jetën në Shqipërinë komuniste e përshkruhet me realizëm, me talent dhe zgjuarsi.

Duke treguar biografinë e tij autori thellohet në histori, në të dhëna historike, siç është rasti i historisë së Savrës çka rrit vlerat e librit dhe e bën atë më tërheqës për një masë të gjerë lexuesiht.

Në libër tregimet e tij bëhen plotësisht të besueshme për lexuesin, pasi në shumë raste autori i drejtohet shkencës së statistikave për të provuar padrejtësinë, shkeljen brutale të të drejtave njerëzore, vuajtjet, burgjet dhe tmerret që komunistët ushtruan me dhunë mbi popullin shqiptar.

Rëndësinë dhe vlerat e këtij libri janë evidentuar edhe nga gazetyari i njohur Ilir Ikonomi, që la bërë recensën e librit.

Treguesi i emrave në fund të librit tregon për një punë serioze të autorit dhe që kalon vlerat e një treguesi të thjeshtë.



12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page