Një profil krejt i veçantë muzikor


Lirie Rasha, këngëtarja me zërin unik, si flladi i bjeshkëve të Korabit Nga Gëzim LOKA Udhëtimi drejt këngës së këngëtares së mirënjohur dibrane Lirie Rasha është një udhëtim drejt një magjie, suprizimi dhe mrekullimi, që sa më shumë të shtyhesh në morinë e tingujve dhe trajtave të saj, aq më shumë ndihesh I pushtuar nga magjia e një arti muzikor elitar. Me emrin e këngëtares së shquar dibrane Lirie Rasha është e lidhur kënga lirike e njërës nga trevat më të pasura artistike të kulturës popullore dhe folkut shqiptar. Të gjitha këngët e kënduara prej saj janë bërë hite dhe kanë udhtuar e udhëtojnë me kujtesën e njerëzve, që e duan këngëtaren e shquar dhe impresionohen nga magjia e shjpirtit të saj të bukur artistik. Fuqia e saj mesazhuese, tonaliteti i spikatur lirik, ëmbëlsia dhe finesa e një zëri unik, magjia e një interpretimi të thjeshtë dhe komunikues gjer në detajet më të imëta, e bëjnë atë një këngëtare të preferuar jo vetëm në trevat e Dibrës dhe të veriut, por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, në gjithë hapëësirat etnike shqiptare, si dhe në diasporën e vjetër dhe të re. Liria lindi në Zall Dardhë të Dibrës, në një krahinë ku arti dhe muzika kanë qenë të gjithëpranishme dhe pjesë e krenarisë së zonës, ku kanë lindur dhe janë rritur dhe edukuar talente të tillë si Qerim Sula, Saje Poleshi, Sherif Dervishi etj, ku kanë lindur kompozitorë, poetë, piktorë, njerëz të shquar, që i kanë dhënë zë Zalla Dardhës, Dibrës dhe gjithë shqiptarisë. Ajo është një këngëtare e apasionuar, që zërin e saj melodioz, aq spontan, siç janë spontane rrjedhat e ujëvarave nga lartësitë alpine, siç janë spontane fëshfërima e gjetheve dhe era që shpupurish kurorat e drurëve në një pyll të dendur. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e saj, Lashkizë, ndërsa të mesmen në Peshkopi, ka mbaruar Shkollën Pedagogjike. Më tej ka mbaruar specializimin për kanto. Që e vogël, në moshën 12-13 vjeçare këndonte me zërin e saj brilant, duke befasuar shokët dhe shoqet, duke suprziuar mësuesit dhe specialistët e artit muzikor. Për herë të parë ngjitet në skenë në vitin 1973, në Festivalin e Gjirokastrës, i cili është mbajtur në Peshkopi. Në këtë festival ka kënduar këngën "Oj syzeza vetull hollë". Është një këngë e papërsëritshme, të cilën me kohë ajo arriti ta çojë në kuota të epërme interpretimi dh eta shdnërrojë në një magji të këngës popullore dibrane. Pas disa vitesh karrierë në skenë, aty diku rreth viteve të '80, ka edituar një album me titull "Këngë të zgjedhura nga Liri Rasha", dhe një album tjetër në vitin 2001, me titull "Nusja me të bardha". Ajo, në vitin 1988 ka marrë titullin "Artiste e Merituar" dhe një titull tjetër nga ish Presidenti Bamir Topi: "Mjeshtër i Madh". Lirija njihet edhe për talentin e saj krijues, ndaj dhjetra këngë të saja, tekstin e kanë të shkruar nga vetë ajo, siç kemi: “Nusja me të bardha”, “Oj zogo”, “Oj syzeza vetullhollë”, etj. Ka marrë pjesë me disa kolazhe në "Këngët e Shekullit". Ajo ka dy femijë: një vajzë e një djalë. Vajza e saj, Ingrid Jushi, ka talent për të kënduar këngën popullore dhe bashkë me të ëmën, Lirien kanë punuar disa kolazhe. Ajo me familje aktualisht jeton dhe vepron në Tiranë, ku mban koncerte e manifestime të ndryshme familjare. Muzika është arti i dashurisë, që buron nga shpirti dhe derdhet në mijëra tinguj e nota, në ujëvarën e së bukurës, që na joshë të bëhemi pjesë e saj, thotë një i urtë i kësaj bote. “Muzika është gjuhë botërore që s'duhet përkthyer” thoshte Auerbahu. “Atje ku ndërpritet biseda, atje fillon muzika”, shkruan Lunaçarksi, një nga kritikët më të mëdhenj të artit në të gjitha kohërat. Këto të thëna dhe të tjera që burojë nga mendjet e shquara të njerëzimit më vijnë në mendje, ndërsa bisedoj me këngëtaren e shquar Liria Rasha-Jushi, një zë origjinal, me një timbër dhe profil të veçantë muzikor. Liria duket se ka lindur për të kënduar; të lindësh dhe të rritesh atje, mes lëndinave që fëshfërijnë dhe krojeve ujëftohtë që akullojnë, duke ndjekur meloditë sharmante dhe gjithë freski të ahishteve që fëshfërijnë, në Zalla Dardhën e e bukurive dehëse dhe magjive që nuk kanë të sosur, është një favor që jo gjithkush mund ta ketë. E lindur dhe e formuar në këtë mjedis muzikor, këngëtarja Lirie Rasha mori Zallë Dardhën me vete, si një gur Sizifi dhe kudo që vajti, në çdo cep të shqiptarisë, i ktheu ujëvarat e saj në tinguj, e bëri melodinë ndjesi, kujtesë, dhimbje e krenari, emocion e shpagë dhe e nisi si mesazh dashurie drejt çdo zemre që dashuron këngën dhe muzikën. Lirie Rasha karakterizohet nga një zotërim që i bën objektit muzikor, këngës, melodisë, tekstit, duke i shkrirë në një, në ansamblin e një këngëtareje të përgatitur shpirtërisht e profesionalisht për të kënduar, me një zë të ngrohtë lirik, me jone që thyhen dhe pasqyrojnë një spektër të gjërë të qasjeve të saj ndaj këngës. Ajo ka një zë të ngrohtë, lirik, flladitës, të papërsëritshëm, që nuk ngjet me asnjërën nga këngëtaret e tjera dibrane; në zërin e saj spikat një timbër i ngrohtë dhe plot thyerje,  që duket sikur iu bashkëngjitet valëve të Drinit të Zi, ashtu si shpirti i saj poetik, që vazhdimisht kërkon emocione të reja dhe këto emocione di që t’ia përcjellë më së miri shikuesit.

35 views

Shkrimet e fundit