top of page

NJË GOTË DHALLË...




NJË GOTË DHALLË NË RUNAJ TË NIVICËS


Janë ditët e fundit të Qershorit. U ngjita në lartësitë e Kurveleshit, shkova në vendlindje të takoja të vdekurit e mi. Kam prindërit atje. U çova nga një tufë lule dhe fola ca fjalë malli nën diellin përvëlues. S’kisha çfarë t’iu shpija dhe s’dija çfarë t’iu thosha. Gjithmonë hamendësojmë se herë pas here shpirtrat zbresin te trupat që dergjen nën pirgjet e dheut, brenda të cilëve kanë jetuar dikur. Jeta e njeriut digjet si cigarja në buzën e udhëtarit që nxiton të mbrijë diku. Gusmari ka mbetur si fole e braktisur në vetullën e malit të Kanatait. E dua atë vend që më ka hapur shumë plagë, përsëri e dua. Kështu ndodh gjithmonë. Atë që është jona s’mundemi ta flakim, sepse atje kemi gjurmët, kujtimet, ëndrrat që s’u realizuan kurrë. Paskëtaj, jo rastësisht më shpuri rruga në Nivicë, sepse në shoqërinë time ishte dhe Nekiu, nipi i Ramo Çakos, vatani i të cilit i ngjanë një republike autonome buzë lumit në Moçale. Aty ndjehesh si në prehërin e Perëndisë, mes fiqëve, rrushit, qershive, arrëve dhe bajameve. Një vend i bekuar do thoja, larg syrit të kalimtarëve. Kisha dëgjuar një histori interesante për Ramo Çakon, partizanin e brigadës së parë sulmuese. Për guximin e treguar në një nga përballjet me trupat e Vermahtit gjerman, Mehmet Shehu e dërgoi një muaj pranë familjes, i dha një letër dore me emërin dhe firmën e tij. Sapo hyri në Zonën e parë Operative, Ramon e kapi partulla partizane dhe e shoqëruan për në Himarë. Duke zbritur grykës në Shurin e Kuçit, e pyetën përse ishte larguar nga radhët e brigadës partizane. Ramua u kujtua që kishte shënimin e Mehmet Shehut dhe ua tregoi. Pikërisht ai shënim dore e shpëtoi nga pushkatimi i sigurt…Bashkë me Nekiun ndalova disa çaste te shtëpitë e Rune, gjitonë me Çakajt. S’kërkova të shikoja sarajet e dikurshme, as muret rrethues dhe portat e stolisura. Shumë gjëra kanë ndryshuar, janë ngritur dhe banesa të reja. Tradita ka mbetur po ajo që ka qënë, sepse bota shpirtërore nuk shembet, nuk lidhet me zinxhirë. Fisnikëria tashmë e njohur e fisit Runaj rrezaton te pinjollët e rinj. Ata dinë ç’thonë, dinë ç’bëjnë dhe ta shtrojnë trapezin mbi petalet e trëndafilit. Më uruan mirëseardhjen dy nga djemtë e Peros, Selamiu dhe Meçua. Folëm për Riza Runën, Për Veipin dhe Runaj e tjerë. Janë të rralla familjet e Kurveleshit që kanë nxjerrë Rilindas, të krahinës dhe të kombit, sepse Rilindas ka nxjerrë gjithmonë Shqipëria. Runajt e kanë patur këtë privilegj. (Mos i harroni Totajt!).



Do sjell në vëmëndjen tuaj vetëm dy emëra të njohur. Riza Runa është një ndër figurat me kryesore të krahinës së Kurveleshit gjatë viteve 1900-1940. Atdhetar e luftëtar i guximshëm, pjesëmarrës në kryengritjet anti-osmane më 1908 përkrah Çerçiz Topullit. Më pas më 1910 në krah të Namik Delvinës dhe Nazif Haderit. Më 1911 ishte delegat së bashku me të vëllain Veipin, si përfaqsues të krahinës në Manastirin e Çepos, e pjesëmarrës i kryengritjes së të njëjtit vit. Më 28 nëntor 1912 së bashku me patriotin tjetër Shuko Dalipi ngriti flamurin kombëtar në Nivicë. Shoqëroi Princ Vidin kur u largua nga Shqipëria dhe qendroi disa vite në Gjermani. Më 1920 është komandat i përgjithshëm i çetës së Kurveleshit në luften e Vlorës, e njëkohësisht anëtar i Komitetit të shpëtimit Kombëtar. Më 1924 është delegat në Kuvendin e të drejtave zakonore të Laberisë që u mbajt në Kuç. Mirëpo në anën tjetër të peshores ishte Veip Runa, vëllai i Rizait, edhe ky personalitet i rënëdësishëm, prefekt në disa qarqe, duke filluar nga Kosova e duke përfunduar në Gjirokastër deri në fund të vitit 1944. Në arkivin e shtetit gjej një dokument interesant, në të cilin thuhet: “Gjyqi Ushtarak i Shtabit të Zonës së I Operative mbasi mori në pyetje tre agjentat e poshtë shënuar: Neki Xheneti, Vehip Hasani dhe Xhemal Babameto, të dërguar prej prefektit tradhtar Vehip Runa, Vendosi: Në një kohë kur prijësat tonë të denjë të popullit Shqiptar po e udhëheqin popullin dhe ushtrinë e tij heroike me hapa të sigurta, me vendosmëni, vegla të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit kanë pa-turpësinë të futen në radhët tona agjenta të verbët të tradhtarit Vehip Runa”. Ju e kuptoni, është propaganda komuniste. Gjithsesi, në Runaj, te shtëpia e dikurshme e Rizait, në ballinën e murit është një pllakatë e vogël që na kujton se këtu ka qënë spitali partizan. Rizai kishte ndërtuar një tjetër shtëpi në Stok dhe këtë ua la partizanëve. Po çfarë bëhej brenda këtij spitali? Të vërtetat e panjohura i gjejmë te libri i mjekut italian me orgjinë hebreje, i cili kishte përfunduar në rreshtat partizane, Franco Benanti (La guerra più lunga. Albania 1943-1948, Mursia). Ja çfarë mësojmë nga ditari i tij; “Spitali partizan u vendos në Nivicë, në nji rrafshnaltë, në shtëpinë e Riza Runës. Dr. Ibrahimit iu besua nji detyrë tjetër dhe e la spitalin në duart e partizanes Ylvie, nji grua rreth të tridhjetave e martuar me nji partizan që luftonte në veri. Ajo kishte urrejtje për Italinë. Sa herë që i jepej rasti i përdorte ushtarët italianë si skllevër, por ndaj mjekëve tregonte vlerësim të heshtur. Ylvia, menjiherë mbas nisjes së burrit të saj u bë dashnorja e kapos së partizanëve që shoqnonin spitalin, njifarë Bravo Kuçi. Edhe Golemi i Kurveleshit ishte nji fshat barinjsh, e më bëri shumë përshtypje urrejtja reciproke që ekzistonte mes barinjve dhe partizanëve, megjithatë dy mjekët italianë, Condorelli e Benanti priten me nji mikpritje të rrallë prej nji familje fshatare. Na pritën me përzemërsi, na dhanë me hangër pulendër, djathë dhe qumësht”. Kështu shkruan mjeku italian Benanti në librin e tij të botuar në vitin 1966 në Itali. Pikërisht këto gjëra mendoja teksa shikoheshim sy më sy me Selamiun. Në tavolinë ishte gota me dhallë që pruri zonja e shtëpisë. Veç viteve të moshës, Selamiu kishte dhe pengjet e jetës. Është natyrë e qetë, flet rrallë dhe s’i largohet kandarit, i peshon mirë gjërat, si dukur. Me dhimbje kujton shkollën e lartë që s’mundi ta kryente. E penguan ata që bënin biografitë. Edhe unë kam punuar pak kohë në Nivicë dhe çuditërisht ndjehesha si në fshatrat e Çamërisë. Është tradita, le të themi. Mua më kanë pëlqyer gjithmonë bisedat e shtruara, kur fjalët bëjnë vend si flogjet e borës mbi sharkun e çobanit, mirëpo rrallë kam gjetur të tillë bashkëbisedues. Në krahinën time njerëzit janë të rrëmbyer, ashpërsia e natyrës ka lënë gjurmët e saj. Njoha disa prej atyre që s’mundën të bënin histori, por që shkruanin historinë e të tjerëve. Stërnipër të largët të luftëtarëve të dikurshëm të rezistencës antiosmane, i binin gjoksit si të kishin fjetur në një jatak me Hodo Nivicën apo Balil Neshën. Kështu ndodh gjithmonë, bujqit i gëzohen ugarit që bëjnë qetë e parmendës. U largova nga Runajt duke qëmtuar me kujdes çfarë kishte mbetur nga Rizai dhe Veipi, pastaj u ngjita në lartësi të Llufës. Ndalova diku dhe rrufita një kafe të hidhur e cila ma prishi shijen e mrekullueshme të dhallës që piva në Runaj. Mirë të më bëhet, thoja me vete, kur del nga sarajet s’duhet të futesh te kasollet me kashtë. Në çdo moshë mund të gabojë njeriu. Edhe unë.


Kurvelesh, Qershor 2023.


 
 
 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page