Një eksperiment me histori të shkurtër


    Fundi

    Dr Fatmir Terziu



    Një eksperiment me histori të shkurtër. Një eksperiment me histori të turbullt në vetë historinë e eksperimenteve.

    Një skenë filmi “horror” pasi heroi/na shpëton nga vëzhgimi në djepin e tij të sofistikuar letrar të kohës me mbikqyrjen e dhjetëra e dhjetëra kamerave të hatashme. Shpejtojnë të shpëtojnë nga skena eksperimentale e eksperimentit. Sot, por dje…. ?!

    Dje … Eh, dje ishte vetëm një fëmijë i lindur pas mijëra e mijëra lutjesh në disa vite martesore. Dhe kur lindi pëshpëritjet e sollën një tronditje të fortë. “Kujdes! Ai vetëm nga pickimi i gjarpërit do të vdesë!”

    Dhe ata, pikërisht nëna e babai që e kishin me kimet, që e kishin dritën e syve, e vranë dhe e rivranë fjalën mes tyre. Dhe ashtu një ditë vendosën…

    I gdhendën një kovçek të shtrenjtë, të mrekullueshëm, me të gjitha kushtet, që vetëm një Zotni mund ta kishte fat me atë që gjendej brenda tij. E tërë Bota ndodhej aty. Në atë sënduk të madh e të bollshëm jetoi ai, pikërisht Ai, djali i tyre, derisa një ditë ai kërkoi një bisk rrushi të freskët… Jo se i mungonte në atë sënduk. Jo. Dhe ata nxituan. Ia dhanë, dhe në fund vetë me sytë e panë. E panë se ndodhi ajo që ishte shkruar, ajo që ishte e thënë, ajo që ishte transmetuar… Por se ishte shkruar…, thuhej në letërsinë e transmetuar. Dhe pastaj disi, pjesa-pjesësh, ishte rishkruar. Dhe vazhdoi të rishkruhej nga hera, edhe atëherë kur mungonin gjithë këto kamera. Kjo ishte dje. Sot…

    Gjithçka është akoma atje në fushën eksperimentale, të dhimbshme, të përvuajtshme, të mashtrueshme si përvuajtje, por si një dhimbje e trishtë. Gjithçka është atje. Atje tej, përveç frymës së përtëritjes dhe erës së largët, që ndiqte kurmën e eksperimentit. Asnjë zhurmë nuk dëgjohet, përveç rënies së kambanës alarmuese të lehonisë dhe lehjes së moaningitit të drurit, e të thuprës në dritë të hënës.

    Ka përsëri një Kutel. Ka përsëri një Migjen. Ka përsëri një Asdren. Ka përsëri një dreq litar… një poet, një poezi dhe diku tundet ai dreq litar. Litari tundet sa mbi poezi, aq dhe mbi një pemë që shënon me këtë rast një trup poezie të gjallë në frymën e fundit.

    Trupi i saj depërton në mbrojtjen e një derdhjeje të vetme dhe mbrohet në aromën e barit të sapodalë. Gjithnkund është një ndjesim pranveror. Jeshilllëk në poezi. Kafshëri e butë dhe e egër në vargun dashuror. Dhézbritje nga zgradhat e rrëpirave poetike. Por gjithkund bëhet dhe synohet leksion poezie me diej pranvere të huazuar në pranvera të tilla të stisura. Heshtja ka një zhurmë të veten. Zhurma ka një heshtje të sajën. Të dyja kanë zhurma të heshtura e të tensionuara në ballin e tyre. Një ball totalitar poetik. Një ball art-i-stik. Pikë!

    Një ballë i tensionuar lehtëson në këtë pikë. Dhe sytë e lodhur afër mos-shikimit të realitetit. Një sy tjetër jo dhe aq mirënjohës tepiset për të marrë paqen momentale. Kamera vëzhgon në mënyrën më fatale! Një goditje e mundshme e kthen paqen e kujdesshme në fund me prerje të sytheve e gjetheve të sapodala, si kryeneçësi delikate e kësaj rrebeshie që ka lënë pensionet në hall, studentët në katër rrugë, shqiptarët në turmë, të huajt në teatër. E fundja prisni të zgjidhen nga Poezia? Poezia është teatër më vete… Teatër komik! Jashtë dhe brenda kamerave.

    Shtresa e lehtësuar e këtij teatri komik tani pranon habinë pasi sytë e egër të dehmave kredhen drejt një barrikade të errët me kulme postmoderne. Aty ku eksperimenti shënon dorovitjen eksperimentale të pajustifikuar poststrukturaliste mbi pjesë të trupave morfologjikë dhe sintaksorë që mbajnë peshën e ikjes së fjalës, peshën e ikjes së artit, pjesë e pajustifikuar e së pajustifikuarës. Pra pjesët e pajustifikuara! Ende frigëllon kamera. Dikush e quan dhe e quajti në këtë tetarër komik me gjuhën e Tjetrit, fare thjesht dhe pa frikë” “Big Brother”!

    Pjesët e pajustifikuara janë pjesë të pajisjeve të kopshtit ku zoologjikasit e remë e të helmuar me gaz lotësjedhës zinxhirin modelet e xhaketave të motit të pëlqyer të Prijësit ndërsa përpiqet të qëndrojë në heshtjen e tij.

    Edhe heshtja grindet?

    Dëgjohet një grindje, një grusht i zhveshur. Kudo ka kamera prototipe.

    Për të dështuar grindja heshtake kamuflohet në dru të ligshtë, në si një lloj formule të trashëguar në këta vite tranzicioni me shkopin tek dora. Kjo formulë në duar “ligjore” bën që të kërcejnë-trembë dhe skelet-dorë urdhëbërës e urdhërdëgjues dhe gati-gati shpërthen nëpër muret e zhurmshme të derdhura, të vendosura për të deklaruar dëshirën më të fundit të një shpirti të lodhur si të tij. Si të Prijësit, pra!

    Era kap dhe godet çdo vrimë që mund të gjejë.

    Fillon të fërshëllejë rreth dhomës së zbehtë. Si një tornadë e gëzuar për të kërcënuar pas mureve të një kështjelle, kërkon medoemos një Prijës, të paktën një Skënderbe. E pra a nuk e deshëm vetë?

    Lëkura e pemëve prijohet, ulet, eh,….eh… tani kënaqet.

    Mësojmë se nuk ka pushim për një kampion lutjesh. Mësojmë se nuk ka pushim për një kampion Prijësie. Kamera ngadalë tërhiqet nga vrima e copëtuar, dhe paqton heshtake mbi një pyll siluetë për t’u përballur me hënën që po pakësohet, meket, tumiret, zhbëhet deri në heshtje… mbi këtë djep. Mbi këtë djep të rivrarë në mënyrën më të shenjtë e më të shtrenjtë. Djepi ikën, arratiset, zhduket, zbrazet në sytë e kamerave.

    Heroi Prijës i Lavdisë tashmë dorëzohet me britmat e zhurmshme në një gropë të shukatur shumë më poshtë dhe jashtë kornizës ku ndodh ngjarja eksperimentale.

    Mbyllja? Kjo nuk është më çështja jonë e vetme. Një ekran i zi, i mend-afshtë, mbi një skenar me letra të bardha të ndritshme, ngadalë shfaqet hutaq duke u ngjitur lart. Por sa do të zgjasë nëse vërtet është si në varg? Por sa do të na duhet ta mësojmë përmendësh nëse është një e tillë Poezi? Kushedi … kushedi tej aferave, sa kohë do t’i duhet eksperimenti produktit metafilmik të kamerave.

    Fund.


    #terziu #fatmir #tregime

    44 views

    Shkrimet e fundit