top of page

NJË DEGË MIMOZE


Edmond Llaçi

NJË DEGË MIMOZE

skicë letrare



Që në çastin që dëgjova atë mbasdite ardhjen e gjitonëve të rinj, thirrja e një vajze të re në emrin e një luleje, më dha një ndjesi të çuditëshme përbrenda. Megjithëse më lindi dëshira për ta parë, nuk e mora mundimin për të shkuar pranë dritares pasi zhurmërat nga jashtë prej tyre u fashitën shpejt dhe çdo gjë ra në qetësi. Të nesërmen, si zakonisht në formën time të shpejtë të kryerjes së veprimeve, rrëmbimthi dola në rrugë duke u futur mes turrmës që nxitonte, e më pas drejt shkollës. Ndërkohë, në imazhet e mia përpunoja idenë e paraqitjes së saj. Nga ngacmimi që pata me atë emër, në të gjitha orët e mësimit u mora me flokët e vajzave të klasës. Duke abstraguar, guxova deri aty sa të ngacmoja edhe veshjet e tyre. Nuk shpëtuan edhe të tria mësueset e asaj dite që kishin rradhën të shpjegonin teoritë e tyre në mësimdhënie. Më vonë u mora me emrat. Mes fantazisë të çastit emrat i lidhja me ngjyrën e flokëve, të fytyrës. Pastaj ashtu tek i heq lules gjethet e tepërta, nisa tu zbërthejë kopsat e para të këmishave, të bluzave duke u nxjerë në pah qafën e gjokset. Ishte një punë tepër e lodhëshme pasi në klasë kishim shumë femra dhe koha nuk më mjaftonte. Τë gjitha ndodhën shumë shpejt, brenda një dite. Ashtu siç ishin ulur në bangat e tyre nisa ti zbukuroj të gjitha me rradhë. Jo të gjitha më kënaqën dhe u kënaqën. Ndjeja shikimin e disa prej tyre sikur po më thoshnin se kishin mundësi të dilnin edhe më të bukura po të punoja edhe më shumë me to. Ndoshta, ose duhet të më ketë shpëtuar ndonjë prej tyre pasi në imazhet e mia, mes atyre femrave të shumta, po më shfaqej, një tjetër imazh femre. Mos vall ishte ajo.

Në një prej ditëve në vazhdim, përbrenda asaj përhumbje që po vazhdonte të më ngacmonte, përkrah meje, rrugës që po kthehesha për në shtëpi dëgjova një zë femre. “Kujdes gjiton, shiko ku po shkel. Do të rrëzohesh e kush e di se kur do të zgjohesh nga ato ëndërime.” Ashtu vërtet, duke tundur kokën përmes miratimit e mos miratimit u ndesha me shikimin e saj. Buzëqesha dhe me trajtën e lëvizjeve të duarve sikur i thashë “jemi në rregull”. Ma ktheu me të njëjtën vlerë buzëqeshjen. Ndërkohë duke u përballuar me sytë e saj ndjeva se ajo diçka po kërkonte prej meje. Aty në krahun tim, duke ecur, vazhdoi: – “Jam edhe unë, nuk më keni vënë re akoma.” Të dy u ndalëm në të njejtin çast. Ajo për të parë reagimin tim të mëtejshëm dhe unë për të kuptuar se çfarë po më ndodhte. Ishte kohë e mjaftueshme për të reaguar. Në të vërtetë, pa i lënë kohë karshi çdo lloj veprimit tim, flokët e rëna përmbi sy, me një veprim të shpejtë të duarve ja regullova më këndshëm, dhe duke i dhënë urdhër përmes buzëqeshjes sime që të mos lëvizte, i zbërtheva edhe komçën e dytë që zbriste më poshtë jakës së këmishës: ”Kështu po “- i u shpreha dhe aty në çast, tek i bëra një prekje të lehtë me duart e mia, diku prapa qafës, jakës i bëra një ngritje të shkujdesur. Më pas duke i dhënë të kuptoj të vazhdonim të ecnim e pyeta për emrin. Duke ndjer hapin e saj tek përpiqej të kapte ritmin tim, dëgjova të më thotë “Në cilën stinë jemi”. “Në stinën më të bukur”- ishte përgjigja ime -“në pranverë”. “Cila lule shpërthen tani” vazhdoi ajo duke tundur kokë e flokë. Aty u stepa. Mes buzëve të mija të mbërthyera fort me njera tjetrën, gërma e parë e atij emri nuk guxonte të artikulohej e të shprehej. Vërtet u ndjeva si buf. Gjitonja ime me atë emër të bukur ishte vërtetë një lule mimoze e sapo çelur. Duhet të keni mbajtur ndonjëherë në dorë degën e asaj peme. Kurorë lulesh, flokësh në bukle të vogla, me kalime në nuanca të shndritëshme të hedhura pa kursim mbi to duke qarkuar fytyrën e saj të imët e fine. Gjethet, veshja poshtë asaj kurore, me atë rregullim të vogël që i kisha bërë më parë, mbulonin hijshëm vazhdimësinë e saj trupore. Në atë ecje të shpejtë time, duke i buzëqeshur iu shpreha: -“Jeni vërtet një degë lule mimoze”.


26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page