top of page

Nisja


(tregim i jetuar)

Nga Petrit Malushi



Ato ditë qershori, të atij fundviti shkollor 1990-1991, isha në mëdyshje. Jo nga puna. Andej gjithçka ishte fare normale. Javët mësimore të plota kishin mbaruar. Nxënësit kishin filluar pushimet. Vetëm mësuesit paraqiteshin në shkollë. Rregullisht. Punohej me regjistrat dhe me amzën. Disa kishin përfunduar çdo punë, të tjerë ende kalonin gjëra nëpër duar. Por urdhëri ishte që në shkollë duhej të paraqiteshin të gjithë mësuesit. Kjo më tepër bëhej për të qëndruar në kontakt me udhëzimet e reja, që në ato vite të ndryshimit të sistemit politik ishin shumë të shpeshta. Berti, vëllai më i vogël i gruas, para një jave më pati thënë se kishte vendosur që do të shkonte, në rrugë klandestine, për të punuar në Greqi. “Është rast i mirë edhe për ty”,- më sugjeroi një mbrëmje tek po pinim kafe. “Ju të arsimit në behar keni dy muaj e gjysmë pushime. Sa të vërdallesh kafeneve të qytetit, provoje një herë. Mbase na ecën. Hajde nxirr edhe ti ndonjë lekë”. Nxitje, më tepër ishte bërë ardhja e një kushëriri të gruas së tij, i cili kishte shkuar atje që para tre muajsh. Më herët kishte ikur vëllai i tij më i madh, bashkë me dy shokë të tjerë, të tre studentë në universitetin e qytetit më të madh jugor të vendit. Të gjithë ishin sistemuar me punë dhe banim në Athinë. Kushëriri i gruas do të kthehej përsëri në kryeqytetin grek. Nisja me të ishte një rast i mirë. Udhëtimi natën nëpër male e pyje mbarte të papritura, por ai kishte udhëtuar tre-katër herë në këtë formë dhe ia kishte dalë mbanë. Kjo ishte pjesa më e vështirë e aventurës, sepse po ta kalonim atë, për banim do të sistemoheshin te dhoma e tyre.

Si të bëja !? Rast si ky, të udhëtoja me njerëz të afërt e të njohur, për më tepër me një që e njihte rrugën, dhe akoma më shumë kur garantohej qëndrimi në dhomën e tyre, nuk mund të vinte më. Por si do ta përballonte jetesën familja, pas ikjes sime ? Dy prindit ishin të moshuar, dy vajzat ishin të vogla, e madhja shtatë vjeçe dhe e vogla pesë. Pesha do t’i binte gruas. Ishin pesë pjesëtarë që duhej të ushqeheshin dhe t’u shërbehej për plotësimin e nevojave të tyre. Pastaj ku i dihej si ecte fati. A do kalonim dot në kufi ? Gjeja apo nuk gjeja punë !? Mund të na kapte policia. Po mund të humbisja fitimet, e të vija me duar në xhepa. Ndoshta më grabitnin. Eh ! Të gjitha këto më silleshin në kokë. Prindërve nuk u kisha thënë gjë akoma. Gruaja më jepte kurajo, se ishte e zonja ta mbante familjen. „Po të niseshe vetëm nuk do të isha dakord, por meqë je me Bertin dhe me shokë të njohur, sikur jam më e qetë“,- më thoshte kur e hapnim këtë bisedë. Me kunatin takoheshim përnatë dhe ai më tregonte për përgatitjet.

Dy ditë para nisjes vendosa të sakrifikoja. Rrugë tjetër veç emigrimit për ta ndryshuar sado pak nivelin e jetesës nuk kishte. Nuk isha unë i pari që do ta bëja një gjë të tillë. Rënia e sistemit politik e ekonomik sapo kishin ndodhur dhe me dhjetra të tjerë kishin çarë kufirin e kishin shkuar në shtetet fqinje nga toka dhe deti. Ta provoja njëherë. Rroga e arsimit që merrja ishte shumë e ulët dhe e pamjaftueshme për të përballuar jetesën. Nuk do ta kisha të lehtë për të bërë punë krahu, por do të mësohesha. U thashë prindërve. Ata këmbëngulën të mos nisesha. Më pas, kur morën vesh se do të shkoja me kunatin dhe kushëririn e tij u bindën. Pas këtij vendimi filluam nga përgatitjet. Pak lekë të kursyera i kthyem në dhrahmi. Një sasi të vogël ia mora borxh, Tomit, djalit të xhaxhit, për t’i patur gjatë rrugës. Ditën e fundit gruaja gatoi ushqime të thata që t’i merrja me vete. . Nisjen nga qyteti i Fierit e bëmë rreth orës dhjetë të mbrëmjes. Në kufi duhej të arrinim pas mesnate. Mbi brezin kufitar në atë kohë kalohej më lehtë. Taksist ishte një fqinj i kunatit. Vëllai i tij do vinte me ne deri në Athinë. Pra ishim katër veta. U ndamë me të, rreth dy kilometra larg pikës kufitare të Kakavijës. Pastaj të katër; në krye djali i hallës së gruas së kunatit, Lenti, pas tij Berti, pas Bertit unë, e pas meje fqinji i kunatit, morëm faqen e malit, nga ana e djathtë e pikës kufitare. Për fat koha ishte e kthjellët atë natë fundqershori dhe drita e yjeve na ndihmonte të orientoheshim në errësirën që zotëronte gjithandej. Udhëheqësi i grupit, Lenti, e njihte rrugën, sepse po kështu natën dhe nga këto shtigje kishte kaluar edhe herët e mëparshme. Afër majës së kodrës dha shenjë të ndalonim ndo gjysmë ore. Duhej të prisnim çastin më të përshtatshëm, kur ndërroheshin patrullat e ushtarëve grekë. Nga pala shqiptare nuk kishte as ushtarë e as patrulla që ta ruanin kufirin, siç ndodhte në kohën e funksionimit të shtetit monopartiak. Por duhej treguar shumë kujdes që të mos shkaktonim zhurma kur të kalonim në zonën tjetër. Ushtarët dhe qentë e kufirit që mbanin me vete mund të na diktonin, dhe kështu gjithçka dështonte pa filluar fare. Hapëm trastat e bukës dhe në errësirë, bashkarisht nën ankthin dhe frikën e të mëtejshmes, futëm disa kafshata buke në gojë. Fqinji i kunatit pa orën me numra dhe akrepa fosfori. Ajo shënonte dy pas mesnate. Lenti dha porositë e fundit që të mos shkëputeshim nga njëri-tjetri. Rruga ishte shumë e vështirë, zbritje dhe ngjitje në faqe mali me pyje të dendur, me shkurre, kalime nëpër përrenj dhe rrëke, ledhe e rrëpira derisa sa të dilnim në vijën automobilistike Kakavijë-Janinë-Athinë. Ai që shkëputej mund të humbte. Nëpër pyll mund të ndeshnin edhe egërsira, por nuk duhej të trembeshin se ishin grup dhe në këto raste egërsirat trembeshin për vete. U dha shenja e nisjes. Njëshkolonë si fanatzma, pa lëshuar zë dhe duke ndjekur shokun që kishim përpara, përpiqeshim që hapat e hedhur, më tepër kuturu se me vetëdije, të ishin sa më të lehtë e ta pazhurmshëm. Hija e ushtarëve grekë dhe e qenve të tyre, sapo të kalonin brezin kufitar dhe deri afër një kilometër më thellë në tokën greke do të na ndiqnin pas. Njëzet minuta mjaftuan për të arritur deri te brezi ndarës i dy shteteve. Qetësia ishte absolute dhe e frikshme. Pas dhjetë minutash ishim në krahun tjetër. Udhëheqësi ishte guximtar dhe i përpiktë. Ne të tjerët ecnim pas tij, duke e ndjekur si një komandant që do të na nxirrte patjetër fitimtarë nga kjo aventurë. Dhe nuk u gabuam. Kërrusu, rrëzohu, rrëshqit e ngrihu në çast, dhe ec e ec, vetëm mes shkurresh e drurësh shekullorë si dhi të egra, për plot dy orë, pas mesnate. Kur ja, tej në faqen e malit karshi filluan të shquheshin projektorë dritash që lëviznin me zigzage. Ishte rruga nacionale Kakavijë-Janinë e shtetit fqinj, ku makinat rrëshqitnin me shpejtësi. Edhe pse natë, ato qarkullonin pandërprerje, ndryshe nga në Shqipëri, ku natën nuk kishte lëvizje automjetesh me të tillë dendësi. Lenti na dha zemër, se në këtë zonë ushtarët e kufirit dhe qentë nuk përbënin më asnjë rrezik, pasi ishim futur thellë në tokën greke. Por tani duhej të ishim shumë të përpiktë, të mos gabonin në shtigje, për të dalë saktësisht në atë segment të rrugës ku taksitë ulnin shpejtësinë e të mund të ndalonin për të na marrë. Shoferët e taksive nuk kishin asnjë lloj paragjykimi për pasagjerët. Ndalonin dhe merrnin këdo. Për ta e rëndësishme ishte vetëm pagesa. Problemi qëndronte në faktin se ne ishin refugjatë dhe pa dokumente. Kjo, në fakt mund të ishte fatale për ne, nëse do të kishim fatin e keq që të binin pre e ndonjë kontrolli të policisë, qoftë edhe rastësor. Favorizues ishte orari i lëvizjes, pasi ende mëngjesi nuk kishte rënë i plotë. Kur këmbët tona prekën mbi asfaltin e rrugës dhe pylli i dendur mbeti pas shpinës, nga lindja, në qiell yjet po shuheshin ngadalë prej dritës së ditës së re. Të gjithë rregulluam veshjet dhe u pastruan nga barërat, baltrat dhe shkarpat e gjethet që na ishin ngjitur nëpër rroba e këpucë. Kaluam duart edhe nëpër flokë, pasi krehër nuk kishte asnjëri me vete. Duhej të merrnim pamje sa më të rregullta, pas atij udhëtimi të vështirë e të lodhshëm, që të mos krijonin imazh të keq tek taksistët, kur t’u dilnim përpara për t’u dhënë shenjë të ndalonin për të na marrë. Pa kaluar tre-katër minuta, tutje u duk një taksi që ngadalësoi shpejtësinë. Mesa duket kishte çuar pasagjerë në Kakavijë, dhe në kthim ishte bosh, pasi me të parë grupin tonë ndaloi dhe drejtuesi i saj na pyeti: Janina? Patra? Athina? Lenti që dinte disa fjalë greqisht mundi të komunikonte dhe e sqaroi se ishim për në Athinë. Shoferi hapi dyert dhe „udhëtarët e rinj“ të zbritur nga malet u ulën në sediljet e sfungjerta. Në vend të parë u ul Berti, që vendosi diagonal mbi gjoks edhe rripin e sigurimit. Shoferi me shenja i tha që të rregullonte edhe një herë flokët e dendur e me onde dhe bluzen, e të qëndronte sa më serioz, që kur të këmbeheshim me policinë të mos krijohej asnjë dyshim, se në taksinë e tij kishte refugjatë. Për fat të mirë rrugëtimi kaloi pa asnjë problem deri në Arta.

35 views0 comments

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page