top of page

Nikolla Sudar: PAK FJALË PËR DY PERSONALITETE TË SHQUARA

PAK FJALË PËR DY PERSONALITETE TË SHQUARA TË SHOQËRISË SONË…

   (Kushtuar dy njerëzve të vërtetë, Shpend dhe Spartak Topollaj, që gjithçka ia kanë kushtuar  atdheut dhe popullit).


Nga Nikolla Sudar


    “Njerëzit e mirë, - thotë një fjalë e urtë, - janë zbukurimi i vërtetë i jetës”. Por kur njerëzve të tillë Perëndia u jep edhe talentin, atëherë i ngre ata në majat më të larta.Në çdo epokë të shoqërisë njerëzore ata janë vlerësuar dhe kanë fituar edhe përjetësinë.

    Sapo lexova dedikimin e shkrimtarit dhe mikut tim të vjetër, z. Kadri Tarelli,   kushtuar njërit prej krijuesve më të arrirë në letërsinë e sotme shqipe, shkrimtarit të shquar dhe mbi të gjitha “njeriut të mrekullueshëm”, z. SHPENDI TOPOLLAJ, si për prodhimtarinë bollshme, por sidomos për atë tematikë të larmishme dhe tepër cilësore, që sot, më tepër se kurrë, ka nevojë shoqëria shqiptare. Pa e tepruar mund të thuhet se ai sot është shkrimtari më prodhimtar i letërsisë bashkëkohore shqiptare.

     Shpendi Topollaj u lind më 1947. Babai i tij, veterani, juristi dhe shkrimtari Hulësi Topollaj, ishte nga Novosela e Kolonjës, kurse e ëma Hatiqeja, ishte nga fisi i dëgjuar për atdhetari i Agallinjve në Vlorë. Me të përfunduar shkollën shtatëvjeçare, nis studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, të cilën e mbaron në vitin 1964. Më tej vazhdon shkollën e Bashkuar të Oficerëve, dhe në vitin 1966 titullohet oficer këmbësorie dhe ëmërohet në Durrës si komandant batalioni. Por duke qënë se i ati i tij goditet rëndë, si bashkëpunëtor i “grupit puçist të Petrit Dumës”, ndëshkohet me pretekstin se ka lexuar një libër me kritika letrare të prof. dr. Rexhep Qosjes dhe degdiset në një repart të largët, ku qëndron i harruar për rreth njëzet vjet.Për vite me radhë mund të thuhet se profesioni i ushtarakut dhe letërsia kanë mbetur dy nga pasionet më të fuqishme të këtij intelrktuali të shquar. Me një nostalgji të patreguar kujton ai vitet e mrekullueshme në shkollën ushtarake “Skënderbej”.

       Ndërkohë Shpendi kryen edhe fakultetin juridik, por iu përkushtua me pasion edhe letërsisë, artit, historisë etj. Me gjithë vështirësitë e njohura, Shpendi ishte nga të parët kuadro të ushtrisë që mbështeti me entuziazëm proceset demokratike në vend. Duke parë aftësitë e spikatura të tij, i jepet grada nënkolonel dhe emërohet shef i Mbrojtjes Civile të rrethit të Durrësit. Pas largimit nga ushtria, caktohet në detyrën e Shefit të Seksionit të Mbrojtjes Shoqërore në Këshillin e Rrethit. Ai bëhet promotor i organizimit dhe zhvillimit të dhjetëra veprimtarive, kushtuar figurave të shquara, të goditura dhe lënë qëllimisht në hije apo të promovimit të krijimtarisë letrare të autorëve të ndryshëm, sidomos durrsakë. Me dhjetra krijues të rinj i janë borxhli këtij fisniku model që pa u lodhur ua ka lexuar veprat, ua ka promovuar dhe sot i mbeten borxhli këti humanisti të pashoq, që i ka futur në rrugën e krijimtarisë.

      Mbas suprimimit të seksionit që drejtonte, kryen detyrën e Përmbaruesit gjyqësor, gjersa doli në pension. Shpendi nuk ka reshtur së kryeri dhe detyrat shoqërore, si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, aktivist i një sërë organizatash të tjera shoqërore, dhe është zgjedhur Ambasador i Paqes.

     Pas viteve nëntëdhjetë, fillon të shkruajë dhe botojë krijimtari të mirëfilltë letrare, thuajse të të gjitha zhanreve të letërsisë, si poezi, tregime, novela, romane, publicistikë, kritikë letrare etj dhe qindra artikuj të shkruar e botuar nga ai, në shtypin e kohës, gjë që e bën të njohur kudo. Shumë nga librat dhe krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, janë botuar jashtë shtetit dhe janë vlerësuar shumë nga kritika e specializuar dhe lexuesit. Për të dhe krijimtarinë e tij, janë botuar librat voluminozë “Të shkruash në liri – Shpendi Topollaj: poeti, prozatori, kritiku, njeriu”, dhe “Liria e të shkruarit”. Ai është vlerësuar shumë lart për cilësitë e tij të rralla artistike, tematikën e zgjedhur dhe mesazhet që përcjell, nga penat tona më të njohura. Kritiku Kostaq Xoxa shkruan:

     “Autori i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topollaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat, dhe në romanet e tij; në kritikën letrare, në zbulimin, e thesareve të lashtësisë …”.

    Vlerësimi dinjitoz i ardhur nga India e largët i bën nder jo vetëm këtij krijuesi të rrallë, por gjithë letërsisë sonë bashkëkohore, duke e lartësuar akoma më tepër emrin e mirëtë Shqipërisë nëpër botë. Para pak kohësh Presidenti i Repunlikës e nderoi intelektualin e shquar Sh. Topollaj me urdhërin “NAIM FRASHËRI” i artë.

    Në vazhdim të këtij vlerësimi e meriton që të përmendet me respektin më të madh edhe diplomati i shquar Spartak Topollaj, vëllai i z. Shpendi Topollaj.

      Ai u lind në Tiranë, në vitin 1950, ku edhe është diplomuar për histori- gjeografi. Gjatë karierës së mësuesisë ka punuar në gjimnazet e Peshkopisë e të Rrëshenit, në filialin e universitetit të Shkodrës dhe në universitetin e Arteve

në Tiranë.

     Gjatë kthesës së madhe të viteve 90, u bë njëri nga iniciatorët e lëvizjes demokratike në Peshkopi. Ai është specializuar për histori moderne në Itali, Francë dhe SHBA. Aktiviteti i tij do të shkëlqente edhe në diplomaci si Shef i Misionit Diplomatik, Kryekonsull i Përgjithshëm në Milano deri më 2009 dhe më pas, deri më 2014, ambasador në Kajro – Egjipt.

     Të shumtë janë emigrantët shqiptarë, sidomos në Itali, të cilët flasin me simpatinë më të madhe për këtë diplomat të shkëlqyer, që aq shumë bëri për ta gjatë qëndrimit të tij në atë vend mik.

     Z. Spartak është zotërues i pesë gjuhëve të huaja. Edhe pas djales në pension ai ka vazhduar veprimtarinë si analist i politikës së jashtme të vendit dhe të asaj ndërkombëtare me botimet e shumta në organet qëndrore të shtypit. Madje mund të thuhet se sot është njëri nga analistët më të mirë dhe më objektivë në këtë drejtim. Pa e tepruar mund të theksohet se kujtesa e tij brilante e bën njeri të veçantë.

     Në një promovin ai i mrekulloi të gjithë të pranishmit me horizontin e tij të pazakonte, kur arriti të përmendi me hollësitë më të vogla emrat dhe biografinë e gati të gjithë udhëheqësve të shquar kinez, saqë habiti pa masë drejtuesit e ambasadës kineze, të pranishëm ne promovim. Madje ata me respekt i kërkuan t’jua përcillte me shkrim këtë ligjërim të jashtëzakonshëm.

      Pa numërim janë artikujt e tij unikalë kushtuar ngjarjeve madhore ndërkombëtare. Tashmë ai po punon për botimin e një pëmbledhjeje të këtyre shkrmeve në një vëllim voluminoz.

       Intelektualë të tillë model si Shpendi dhe Spartak Topollaj, me plot kuptimin e fjalës, mund të thuhet se janë krenari e Shqipërisë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page