top of page

Ngjyrat në shi





Dje ra shi në Londër. Sot qielli është gri dhe pritet sërrish shi. Shiu që ra dje, binte nga një qiell gri. Si sot dhe dje rrezet e diellit zgjaten mes grisë dhe përshkojnë horizontin. Dje drita rridhte nëpër çdo pikëz, duke bërë që të shfaqen ylberë, sot imazhet e tyre shtrohen mes nesh. Një sixhade me bukuri madhështore. E gjitha është endur në ajër të hollë. Një festë për t'u konsumuar nga sytë. Një mrekulli natyrore për shpirtin. I gjithë spektri i ngjyrave në shi.

Unë ulem pranë dritares. Shikoj nga Perëndimi. Nëpër peizazhin e peneluar shoh mrekullinë e ngjyrave që janë përkujdesur me duart e krijuesit. Ndërsa dielli perëndon, unë ngre një gotë. Një gotë verë të fermentuar për të festuar jetën në perëndim të diellit.

Pastaj zë e shkruaj. Zgjoj muzikalitetin e shiut, ngjyrat e pakapshme të Natyrës dhe formoj atë që prek përditësia, jeta. Është jeta. Jeta shkruhet në një libër. Në çdo faqe regjistrohet një ditë. Regjistrohet mirësia. Shkruhet dhe vështirësia e treguar në udhëtimin tim. Çdo provë që kaloj më forcon. Duke më bërë më mirë se dikur. Arrij edhe më lart edhe kur më duket se bie. Unë dua të bëj më të mirën, dhe të lë më të mirën pas. Ndoshta një botë më të mirë për të tjerët. Çdo ditë që kalon i shtoj një faqe tjetër librit të jetës sime. Ky është një libër gri në përmasat e shiut, ngjyrave dhe muzikalitetit që kompozon ai, në lindje të diellit dhe në perëndimin e tij. Është një libër jete që shkruhet me ëndje dhe të mbetet në mendje.

Sakaq piklat e shiu shpëlajnë plakat e një mbishkrimi tej syve të mi. Pllakat nga një gjuhë e argjendtë qetësojnë tiklimet ujore dhe mbartin diku thellë në rrënjë të atyre fjalëve shqetësimet. Shqetësime dhe premtime. Premtimi me mendje të lartë mbush zemrat e shumë njerëzve. Gjërat që duken të ndritshme shpesh gjenden bosh. Fjalë boshe që premtojnë gjithçka, por nuk japin asgjë. Kaq shumë gjëra të bukura që tërheqin dhe kënaqin veshin. E gjitha si puna e shiut, si grija në sytë e njeriut dhe derisa të dështojnë kotësirat dhe plani të zbërthehet. Atëherë e vërteta e ashpër bëhet e qartë se në fund të fundit fjalët janë boshe.

Mes kësaj gjendjeje i drejtohem librit. Mundohem të lexoj atë që keni në sytë tuaj. Sytë thonë se janë dritarja e shpirtit. Atëherë të ndjej Ty. Të prek dhe të ledhatoj në pafundësi. Dridhem kur Ti qëndron pranë meje. E di që jemi vitesh në sy të njëri-tjetrit, por do të doja të ishte vetëm fillimi i asaj dite. Jam në zjarr. Digjem i tëri. Unë kam hapur zemrën time vetëm një herë, kështu e di që të kam këtu brenda. Thjesht duhet të rilexoja atë moment këtë faqe të jetës, faqen më të temperuar për hir të së vërtetës.

Dhe momenti është i paharrueshëm. Është moment! Fjalët janë surreale, koha duket se po ndalon. Zemra rikthehet në forcën e saj më të madhe dhe sytë përhumbin në sytë e tu. Një dridhje që ujëderdhet në ndjesi. Asnjë zë nuk mund të dëgjohet, pasi gjithçka është në një pikë. E varja çdo fjalë në ditën që sytë u bënë kristal, atë ditë nuk kishte më fjalë. Shiu i kishte shpëlarë…, pastërti dhe kaltërsi në qiell, po dilte diell.

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page