top of page

Ngjyrat e patriotizmit


Ngjyrat e patriotizmit

Fatmir Terziu


Dhe më pyete kush janë miqtë e mi? Dhe u interesove të dije se cilët janë ngjyrat e patriotizmit të tyre? Më kërkove të mësoje se …, nuk e di çfarë doje të më kërkoje…

Dhe unë heshta, heshta se s'doja të të bëjë zë. Heshta dhe ty të dukej se isha i kot, pa gjë. Ndaj sot po të rrjeshtoj publikisht me shkrim e me zë…

Unë dhimbshëm nuk e di kush janë miqtë e mi, më. Por, unë e di se kush nuk ka qenë kurrë. E di se nuk është dhe kurrë nuk do të jetë. Ju nuk jeni miku im nëse mendoni se filxhanëria finoke e plazmës së kafeve të shijeve të ndryshme na ka ndarë. Ju nuk jeni miku im nëse nuk jeni në mbështetje të një Shqipërie të duhur. Ju nuk jeni miku im nëse kundërshtoni kohën e mbetur, përdridheni deri në fundin e saj, në dukje si i vdekur. Ju nuk jeni miku im nëse mendoni se nuk duhet të pikëllohemi. Ti nuk je miku im nëse akoma nuk beson në rregull. Ti nuk je miku im nëse je akoma i verbuar nga cmira, edhe pasi kaq shumë janë lënduar dhe jeta mbaroi nën diktatin e saj, duke u llustruar me poste e me të „mira“. Nuk je miku im nëse kërkon një angazhim vetëm për lavdërim, a ndonjë post a rrogë në këmbim. Ti nuk je miku im kur nuk kërkon të rritet paga e mësuesit, aty ku nisëm udhën e edukimit. Ti nuk je miku im nëse të kujton vetëm Spitalin e lyer me bojë. Dhe ju më thatë që ata të sëmurë vuajnë për dashurinë e gjërave falas pa asnjë pendim aspak.

Nuk je miku im nëse i ke qëndruar mbështetjes së mashtrimit edhe kur e ke kuptuar se ke qenë i mashtruar, thjesht sepse ai të mbush portofolin ndërsa pjesa tjetër është zbrazur, ende dora jote pa e kapur. Nuk je miku im nëse në këtë kohë të trishtuar ndihesh i lehtësuar. Nuk je miku im nëse ke harruar vrimat në tavanin e shtëpisë nga gëzhojat e plumbave qorr të vitit ogurzi. Nuk je miku im nëse nuk e kupton se është edhe pasiguria që karakterizon ajrin në të gjithë vendin. Nuk je miku im nëse në zemrën tënde fle vetëm dëshpërimi. Nuk je miku im nëse nuk e ke mendjen te varfëria në rrugë, zbrazëtia e kapitalit tonë që konkurron me atë në zemrat tona. Nuk je miku im nëse nuk mendon se kjo dhemb, madje shumë keq. Ti nuk je miku im për sa kohë udhëton me „Porsche“ dhe nuk ju shqetëson gjendja e një qyteti, e një fshati, nëse fëmija i fqinjit tuaj ka vdekur, apo është ende gjallë dhe s'ka bukë të hajë. Ju nuk jeni miku im nëse keni gjithçka që dëshironi për veten, dhe ju nuk jepni asnjë qindarkë, nëse të tjerët vdesin nga uria. Nuk je miku im nëse kënaqesh me epiqendrën e lëkundur, duke harruar se kur qendra lëkundet gjërat prishen. Ti nuk je miku im edhe sikur të mbaronte politika që të ngriti në majë. Eh mor „daj“ është kollaj të ngjitesh në majë, por e vështirë të biesh poshtë pastaj.

Nuk je miku im nëse ke luajtur rolin në qëndrimin e një drejtimi të gabuar, kundër lutjeve dhe thirrjeve të popullit të dëshpëruar.

Nuk je miku im nëse je arsyeja që burri, gruaja, fëmija… e gjithë familja shtrihen në një arkivol, në këmbim të një pjese të tortës kombëtare në tryezën tuaj. Nuk je miku im nëse nuk beson në një progres të qëndrueshëm, edhe nëse je vëllai im, ndërsa pjesa tjetër e vendit qëndron në keqardhje. Nuk je miku im nëse je kundër zgjedhjes së njerëzve, sepse zgjedhja e njerëzve është zëri i njerëzve. Ju nuk jeni miku im nëse ushtria e qeverisë ju pushton kryet, duke dubluar britmën e zhurmës sonë si të panevojshme. Ju nuk jeni miku im nëse jeni duke buzëqeshur, ndërsa ne qajmë, jemi në errësirë ndërsa rrezet e diellit ndriçojnë shtëpinë tuaj, sepse ju keni privatizuar edhe qiellin tonë.

Nuk je miku im nëse i ke harruar ata që studiojnë nën një pemë, nën një hije, nën një çati. Nuk je miku im nëse akoma mendon, se jemi edhe kështu sikurse jemi të lirë. Ti je armiku im nëse je armik i mikut tim?! Këtë e ka thënë me kohë urtia e popullit tim! Ju e keni plagosur këtë komb, me të gjitha format, madje edhe me letër, duke qëndruar të kamufluar pranë trendit të vjetër. Ju jeni një armik i shtetit dhe kështu ju jeni armiku im. Ti nuk je miku im, që hedh gurë dhe baltë mbi Zotin dhe Atdheun tim. Ti nuk je miku im dhe se kurrë nuk do ta harroj tradhëtarin, si ty, jo, do ta kujtoj çdo ditë si 25 Prilli deri në në një ditë të qashtër kur të shihet me sy edhe dielli. Do të kujtoj edhe pasi të harrosh, shekuj më vonë. Nuk do të urrej se je shqiptari im, je atdhetari im, je bashkëkombasi im, por jo miku dhe armiku im. Pse u bëre i tillë? Pse duhet të të harroj? Por duhet të shkund nga mbulesa me format e izmit, jo thjesht për hir të ngjyrimit të patriotizmit.

39 views3 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page