top of page

NGJASHMËRI HISTORIKE



Nga Dilaver Goxhaj

Menjëherë pas përfundimit të takimeve prej përfaqësuesit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai nga BE-ja, Miroslav Lajçak, ritheksuan qëndrimin e tyre fillestar, se marrëveshjet e nënshkruara midis Kosovës dhe Serbisë duhen zbatuar, pa treguar për publikun nëse po mendonin në formën e Asociacionit antikushtetues ose jo.

Lideri politik i PDK-së u shpreh pas atyre deklaratave se mbështet krijimin e Asosacionit! Po ashtu, edhe ish-ministri i Jashtëm nga kjo parti, Enver Hoxhaj, u deklarua se mbështet Asosacionin si kusht për arritjen e marrëveshjes me njohje të ndërsjelltë të Serbisë e të Kosovës. Ngjashëm edhe Skënder Hyseni u shpreh në emër të LDK-së, se “Kosova nuk mundet të bëhet shtet pa Serbinë“, i cili kërkon të na bindi se Serbinë nuk e zen gjumi derisa ta bëjë Kosovën shtet!

Të gjitha këto deklarata “të zjarrta” nga opozita aktuale në Kosovë ndodhën menjëherë kur KM Albin Kurti u shpreh pas takimeve me Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, duke thënë: “Sa i përket Asociacionit, ju e dini shumë mirë që Gjykata Kushtetuese më 2015 ka publikuar Aktgjykimin e vet me të cilin ka thënë se asnjëri prej 7 kapitujve të Asociacionit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në 23 nene nuk ka përputhje ai Asociacion dhe rrjedhimisht nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.”

Dhe kësaj deklarate të Kryeministrit Kurti, iu kundërpërgjigj flakë-për-flakë deputeti i PDK-së, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti, duke thënë se “duhet të filloj negociomi i çështjeve të cilat i ka kontestuar Gjykata Kushtetuese”!, gjë që tregon se kjo parti ende dëshiron të komandojë pushtetin e pavarur gjyqësor në Kosovë.

I reshtuam këto reagime për të treguar se edhe me Qeverinë Kurti po përsëritet ngjashëm histori e njëjtë si me qeverinë e dikurshme shqiptare e kryesuar nga Fan Noli para një shekulli!

Dihet që revolucioni demokratiko-borgjez i vitit 1924 shënoi dështimin e parë të forcave konservatore feudale në luftën për të shuar aspiratat e popullit shqiptar për demokraci e progres. A ndodhi e njëjta gjë edhe me zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 në Kosovë?!

Ashtu si forcat konservatore të asaj kohe në Shqipëri, edhe opozita e sotme në Kosovë, së bashku me Lidhjen Serbe, nuk heqin dorë lehtë nga pozitat e pasurimit të tyre. Madje opozita aktuale në Kosovë nuk po heq dorë nga mbrojtja me çdo kusht e pasurisë së vjedhur duke vepruar kundër qeverisë Kurti-1 e 2 ngjashëm si atëherë në Shqipëri, duke luftuar si në frontin e jashtëm edhe në frontin e brendshëm. Ajo e atëhershmia në Shqipëri, a nisi përpjekjet për të minuar qeverinë demokratike të kryesuar nga Fan Noli? Po kjo e sotmia në Kosovë a nuk po bën të njëjtën gjë për të rrëzuar qeverinë Kurti-2 të kryesuar nga Albin Kurti njësoj si dhe në rastin e qeverisë Kurti-1 për të përmbysur gjithçka demokratike që po përpiqet të vendosi qeveria Kurti-2? Me përmbysjen e gjërave, as të liqtë ndëshkohen, as të mirët shpërblehen: të fortët fitojnë dhe të dobëtit humbasin.

Në periudhën e qeverisë së Nolit, në frontin e jashtëm situata ishte e favorshme për ta përmbysur qeverinë e tij, pasi në atë kohë nuk ishte e mirëpritur një qeveri demokratike në Ballkanin e monarkive dhe në Evropën e tulatur para fashizmit. Edhe sot, e njëjta gjë, ku po bëhen të njëjtat përpjekje ku nuk mund të pranohet vendosja e një shteti demokratik e ligjor në Kosovë nga një Ballkan Perëndimor ku ka tre dekada që ligjin e bën droga, kaosi dhe korrupsioni.

Po ashtu po ndodh edhe me Evropën ndaj qeverisë së kryesuar nga Albin Kurti-1 e Kurti-2, njësoj si dhe në atë kohë, ku simpatitë e fuqive të mëdha të Evropës nuk ishin për qeverinë e Nolit, por për një qeveri të kryesuar nga Ahmet Zogu. A ndodhi e njëjta gjë edhe nga administrate e Trampit, si dhe sot me BE-në, parë kjo nga qëndrimi i përfaqësuesit të saj Miroslav Lajçak, duke preferuar për Kosovën një qeveri të korruptuar si ato të kryesuara këta 20 vjet nga PDK, LDK, AAK e Lista Serbe?

Jugosllavia në atë kohë u tregua e gatshme ta ndihmonte Ahmet Zogun të mblidhte mercenarë dhe ta ndihmonte të merrte pushtetin me forcë. Edhe në këtë rast po të njëjtin përpjekje po bën Serbia, të cilin e shprehu qartë ministri i Jashtëm i Serbisë këto ditë, kur tha se “bisedimet nuk do të zhvillohen me Albin Kurtin”, duke lënë të kuptohet se Serbia pranon të ulet në tavolinë vetëm me PDK-në dhe LDK-në; madje, duke udhëzuar edhe Listën Serbe të shfaqte të njëjtin qëndrim në takimin me Lajcakun e Eskobarin, e cila deklaroi se “serbët i kundërshtojnë synimet e institucioneve të Kosovës që duan ta minimizojnë fuqinë e kompetencave të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të nënshkruar në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe Greqia po ashtu veproi ndaj qeverisë së Nolit me Myfyt Libohovën e Koço Kotën që ishin hedhur në Korfuz. Të njëjtën gjë po bën edhe fqinja e Serbisë dhe Kosovës, Rumania, duke hedhur ujë në mullirin e Serbisë me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës!

Brenda Shqipërisë, njerëzit e Zogut në administratën shtetërore, në ushtri e xhandarmëri arritën të sabotonin dhe të paralizonin shtetin e drejtuar nga Noli. Ngjashëm po vepron opozita sot Brenda në Kosovës, sikundër po vërehet lidhur me Asociacionine, për të cilën profesori Enver Bytyç me të drejtë tha: E gjitha kjo le përshtypjen se propozimet për krijimin e Asociacionit janë “pak me barrë“! D.m.th e kanë një shejtan brenda tyre.” Pengesa të tilla bëjnë edhe njerëzit e ish-administratës shtetërore të PDK-së dhe LDK-së që janë ende në administaratë, por dhe vetë opozita me protestat e saj për probleme që i kanë krijuar vetë gjatë qeverisjes së tyre 20 vjeçare, si dhe me njerëzit e tyre në sistemin gjyqësor.

Kjo dramë në Kosovë nuk rrjedh ngaqë kështu mendon opozita sot, por ngaqë ajo është shkaktare e kësaj drame. Prandaj Qeveria Kurti-2 duhet të përpiqet të mos humbasi mbështetjen popullore, por, që të mos e humbasi këtë, duhet të jetë në harmoni me veten, duke realizuar premtimet e dhëna dhe të mos vari shpresat për një ndihmë serioze si nga opozita ashtu edhe nga BE-ja. Kundërshtarët e saj politikë, të cilët e ruajnë veten me kaq kujdes, tregojnë se kanë frikën e krijimit të shtetit ligjor që ka premtuar Albin Kurti; ata kanë 20 vjet që po tregojnë se nuk duan të meren me zgjidhjen e problemeve shoqërore që ka Kosova, por i ka joshur vetëm mundësia e të kapardisurit me mantelin e komadantit, politikanit apo diplomatit të shquar si dhe të pasuroheshin sa më shumë.

2 shkurt 2022

40 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page