Autorja Valbona Kolaveri shfaqet para lexuesve me një fond të pasur poetik të shtrirë në dy vëllime, që titullohen “Teshat e shpirtit” dhe “Blu”. Të dy këta libra e kanë parë dritën e botimit në të njëjtën kohë, në janarin e vitit 2023 dhe zgjedhja e autores për ta ndarë produktin e saj poetik dhe estetik në dy vëllime, me dy tituj të ndryshëm, ka arsyet e veta, që janë të karakterit tematik, emocional, ciklik, por edhe praktik në procesin e leximit. Duke i lexuar të dy vëllimet vihen re të përbashkëtat dhe të veçantat mes tyre. Të përbashkëtat burojnë nga AND- ja e poetes, nga veçoritë krijuese të saj, nga stili dhe origjinaliteti. Të veçantat konsistojnë në rrethanat e ngjizjes së poezive, në larminë e motiveve, në intensitetin emocional, në befasinë e lindjes së tematikave, gjë që lidhet me dinamikat e jetës dhe pasqyrimit të mozaikut të përditshmërisë që i nënshtrohet laboratorit misterioz të artistit të fjalës, i cili me alkiminë apo magjinë e vet poetizon edhe sendet e zakonshme të jetës duke u dhënë sharmin e një estetike të vërtetë; ose siç thotë Alberto Moravia:“Poezia është si uji në thellësitë e tokës. Poeti i ngjan magjistarit ujëkërkues; e gjen ujin edhe në vendet më të thata dhe e bën të shpërthejë në currila të këndshëm.”
Titujt e këtyre dy librave, në fakt janë titujt e poezive me të cilat hapet secili nga vëllimet. Së këtejmi krijojnë ndjesinë e dy stampave të veçanta poetike ku secila prej tyre ka hijet, ngjyrat dhe petkun e vet ideo- emocional.
Vëllimi “Teshat e shpirtit” hapet me vargjet:
“Më mungojnë
Hera- herës kapëset
Për të nderë në telat e jetës
Teshat e shpirtit.
Disa në bririn e kujtesës
Janë tharë
Nga era e fortë e kohës…”
Duke udhëtuar përgjatë këtij vëllimi poetik, kuptohet se autorja është një poete me botë të pasur shpirtërore, me një shpirt tepër të ndjeshëm e të trazuar, që e shkarkon tensionin e vet poetik me ngjizje vargjesh të hijshme, plot figuracion të pasur. Sintagma- titull “teshat e shpirtit” duket sikur jo vetëm përligj, por edhe gjeneron një mori motivesh që shfaqen e dalin në sipërfaqe nga pozicionet introspektive të një vëzhgueseje të hollë, për t’u materializuar në njësi poetike me forma mjaft të larmishme. Në morinë e ngacmimeve poetike zë vend edhe ikja e kohës:“Tehu i natës ishte i mprehtë/ Thikë që ndau kufijtë/ E shtratit të zemrës/ Që furfulisej me veten/ E rrotullohej në anën tjetër/ Ndërkohë që numëron/ Ditët e vitet e lëna peng/ Në sitën e hënës/ E rënkonte të pathënat.” (“Të pathënat”)
Autorja ka dialogje të shpeshta poetike. Zakonisht dialogjet poetike të poetëve janë mjete shprehëse të ndjenjave intime, janë deklarata dashurie, janë pjesë idilesh platonike apo reale; por në rastin e poetes Kolaveri janë edhe dalje nga uni tek bota rrethuese, nga meditimi, kontemplacioni, përsiatja- tek ndarja e këtyre me tjetrin, si për të shpjeguar proceset e ndërlikuara të subkoshiencës njerëzore dhe poetike në mënyrë sa më pak hermetike:“Unë hermetike/ Në gjendjet e mia/ Që lë të kuptojë/ Se më njeh./ E fshihem në më të fshehtat/ Skuta të shpirtit/ E shoh tek më sheh…” (“Ti dhe unë”)
Rrëkeja e motiveve me temën e mallit, nostalgjisë, mungesës rrjedh përgjatë gjithë këtij vëllimi si një lumë i nëndheshëm i shpirtit të individit- poet, që jo vetëm ka konservuar mbresat, kujtimet, gjurmët dhe vragat e ditëve të ndryshme të jetës, por i ka epifanizuar dhe i ka transmodeluar në trajta poetike mjaft elegante dhe shprehëse, vendosur në simbolikat arketipale të ngjyrës gri të monotonisë së ditëve, të vjeshtës që harbohet nga gjethet e rëna, të dimrit të acartë, ku shpirti i unit lirik regëtin, përpëlitet, dallgëzon në paralelizëm me trillet e natyrës.“Humbëtira horizontesh/ janë në gri,/ të sjellin edhe një natë më shumë/ pa ty/ ku kaotikja mungesë/ shkon e vjen/ shënuar gjithnjë me të zezë/ në regjistrin zemër/ që sa herë e shoh/ duket sikur boja e kohës/ e ka theksuar edhe më/ kujtimin tënd.” (“Mungesë)
Një veçori interesante e autores Kolaveri është krijimi i njësive të vogla poetike. Ka shumë syresh përgjatë gjithë vëllimit: “Pangopësi”, “E bukur”, “Sytë”, “Ulëras”, “N’perëndim”, “Hëna”, “Arka e dëborës” etj. Shkurtimat zakonisht janë tregues të cilësive të larta poetike të autorëve. Ato tregojnë përqendrimin e lartë, spontaneitetin e çastit të krijimit, aftësinë për të depërtuar në thelbin e emocionit dhe kapjen e vegimeve kalimtare që i faniten aparatit ndijues e perceptues të poetëve.
“N’perëndim
Të dielltat e shpirtit tim
Kuqin të molltat e faqeve
Me i kafshu nata
Me një gjysmëgojë
Hënë.” (“N’perëndim”)
Brenda kësaj njësie të vogël poetike autorja ka përmbyllur ndijimin, perceptimin, emocionin, imazhin, gjuhën elegante dhe figuracionin e pasur e të natyrshëm.
Hera- herës autorja sjell në këtë vëllim edhe poezi meditative ku shfaqen qëndrimet emocionale mbi dukuritë negative apo mbi anët e errëta të jetës, aq sa individit, unit lirik këtu, i ngjan vetja i keqvendosur ose i keqkuptuar në raport me botën humane që e rrethon. Një e tillë është poezia “Ndodh”, një njësi e shtrirë poetike një psherëtimë me hapësira të mjaftueshme për të dhënë ironinë e fatit që shoqëria luan në kurriz të individit:“Ndodh/ të mos flasësh/ e të thonë,/ pse sheh e nuk flet, ndodh që ti flet/ e të thonë/ ua, na shurdhove/ sa shumë gojës i jep.”
Ndërsa në poezinë “Tjegullat”, një lamentacion i vërtetë poetik, poetja ka dhënë dramën e boshatisjes së fshatit- boshatisje që kufizon me vdekjen:“Oborre bosh, pa fëmijë/ shtëpi që dergjen/ shtretërve/ rrugësh/ në vaj pleqsh.”
Edhe tek vëllimi “Blu” larmia e motiveve është e madhe, porse këtu mbizotëron motivi i dashurisë.
Është thuajse i pashmangshëm për lexuesin e vëmendshëm dhe të kualifikuar asociacioni i këtij titulli me simbologjinë e ngjyrës blu. Kjo ngjyrë simbolizon gjithë çfarë është shpirtërore. Në kontrast me të kuqen ajo duket “e ftohtë” dhe i vihet shpirtit të njerëzve në meditim. Psikologët e thellësisë e lidhin me një “shtendosje psikike”, me një maturi, me një përvijim të lehtë e të epërm të jetës. Bluja është ngjyra më e thellë dhe më jolëndore, ndërmjetëse e së vërtetës, transparenca e zbrazëtisë e pranishme në ajër, në ujë, në kristal e në diamant. Për këtë arsye, bluja është ngjyra e kupës qiellore. Zeusi dhe Jahwèh i vendosin këmbët e tyre mbi blunë. Besohet që hajmalitë e kaltra neutralizojnë “syrin e keq”. Në simbolizmin popullor të Evropës qendrore blu-ja është ngjyra e besnikërisë, por edhe e misterit (“drita e kaltër” e përrallave), e iluzionit dhe e pasigurisë.
Pas këtij asociacioni shohim perceptimin poetik të autores Kolaveri në vjershën- titull që hap vëllimin:
“Bluja e dashnisë sime
Është e thellë,
Në thellinë të qiellit
Zemra
Edhe gjakun e ka blu.
Brinjët mbush
Me frymë reje,
Dhe kur
Shndrit prej diellit
Rrezja e saj
Tejçohet detit.
Mbytur Brenda saj
Po prapë mbetet blu.” (“Blu”)
Fokusi i dashurisë është i gjerë e i pafund, është shumëpërmasor, është polisemantik. Dashuria jepet nga poetja si një forcë universale që vë në lëvizje gjithë universin human. Ajo jepet e merret në çdo raport njerëzor, ndërsa në rastin konkret autorja njësohet me poezinë e vet dhe poezia njësohet me dashurinë e gruas në të gjithë kompleksitetin e marrëdhënieve të saj me botën që e rrethon:“Jam grua/ Detit ia dhashë dashurinë e parë/ Se ish më i bukuri dashnor që të lante nga çdo mëkat./ I mora kripën për lotët që do derdhja më pas/ Në s’më donin ashtu turpshëm si unë/ Dashnitë s’kanë limite matematike që shuajnë zjarr/ Jam grua, dua të dashurohem pafund.” (“Jam grua”)
Në fondin e gjerë e të larmishëm të vëllimit “Blu”, që ka si kryefjalë dashurinë, variacionet e dhënies së këtij motivi janë të shumta. Në mjaft raste dashuria paraqitet në karakterin e saj bipolar, si gaz dhe si ankth, si gëzim dhe si vuajtje, si dalldi shpirtërore dhe si robërim i shpirtit. Së këtejmi, në mjaft raste poetika e kësaj ndjenje hyjnore fiton një frymë mistike, madje merr ngjyrime panteiste. Nënteksti na thotë se aty ku është dashuria është Zoti. Këtë poetja Kolaveri e realizon përmes animizimit të natyrës dhe të sendeve. Këtë shpirtëzim e bën të mundur alkimia e puthjes në sintagma të tilla si “puthja e natës”, “puthje premtimesh përjetësish”, “toka po i puth ngadalë”, “shtegtime të purpurta/ buzës sime i këndojnë puthje”, “dhe puthjet fshihen resh”, “puthja e gjethes”, “puthja e pranverës”, puthja e magjisë së mallit” etj. Në poezinë “Gacë e flakë” kemi: “Sot Hëna puth Merkurin/ unë po pres të më puthë lumturia/ qoftë edhe për pak çaste/, të m’i ndrit sytë thërrizë/ sa t’i takoj buzët/ e t’i mbyll sytë/ ëndrrash/ u shkërmoftë e pamundura/ u bëftë shi yjesh/ e gacë e yllit tim/ flake të ndizet./ Le të vendosin zotat e puthjeve/ po pres të më hapen porta qiejsh/ duroj/ mes gazit në buzë vesh më vesh.”
Ashtu si në vëllimin tjetër “Teshat e shpirtit” edhe këtu shfaqen motivet shoqërore. Këto i gjejmë në poezitë “Bota u çmend”, “Asfiksim”, “Unike”, “Mosmirënjohës”, “Bastardët” etj., ku poetja shpreh revoltën ndaj çrregullimit të botës si çrregullim i arsyes njerëzore.
Aftësia për të pasqyruar gjendjet shpirtërore në fluiditetin kalimtar të kohës shpaloset gjithandej, por tek poezia “Ditët e mia” kaleidoskopi i jetës merr trajta konkretësie dhe përmes një enumeracioni cilësimesh transmetohet mesazhi i mosplakjes së shpirtit: “Ditët e mia të hirta/ të zbrazëta/ të hekurta/ të zhveshura/ të ngutshme/ të bukura/ (…) e presin të më plakin trupin/ po kurrë shpirtin,/ ai mbetet i një fëmije.”
Ajo që hetohet në të dy vëllimet është marrëdhënia e mirë e poetes me fjalën, fjalori i pasur poetik dhe, duke qenë se Valbona është shkolluar për matematikë, shfaqet një përdorim mjaft adekuat i termave të fushës së shkecës ekzakte që e hijeshon ligjërimin poetik dhe ia shton origjinalitetin autores. Ky poetizim i termave ndeshet në raste të ndryshme: “Drejtkëndësh më bëhet se jam/ tek i rrotullohem vetes/ cilindër pa fund e krye/ janë mendimet e mia.”
Gjuha e përdorur është ajo standarde, por në raste të ndryshme ka hijezime të vogla gege që rrinë mirë në tërësinë e ligjërimit poetik.
Përfundimisht mendojmë se këto dy vëllime të poetes Valbona Kolaveri përbëjnë një prurje të rëndësishme letrare dhe dëshmojnë jo vetëm prekjen me sukses të stadeve të larta poetike, por edhe fazën e pjekurisë artistike të autores. (Zija Vukaj)
Comments