top of page

Frank Shkreli:  EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…


EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…


Nga Frank Shkreli

Kush janë këta burra e burrnesha, ndër më të mëdhejt e Evropës që kanë zbritur në Sheshin e Gjergj Kastriotit të Madh të shqiptarëve, Skënderbeut!? Shyqyr që nuk e mbuluan me ndonjë çarçaf monumentin e të Madhit Gjergj me këtë rast! Kjo është një gjë pozitive.  Këta janë liderët e 47 shteteve evropiane deri tani – 20-anëtare të Bashkimit Evropian dhe të 27-vendeve jo-anëtare të (BE), vende-kandidat siç është Shqipëria – por që të gjitha bëjnë pjesë në atë që quhet, “European Political Community (EPC)”, një krijesë tjetër organizatash politike në kontinentin evropian -- sikur Evropa nuk ka mjaft të tilla -- propozuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tre vjet më parë, (2022). Si një “platformë për bashkrendim politik”.

Pak histori: EPC është krijuar për të shërbyer si një forum bisedash spontane midis liderëve pjesëmarrës -- si “një hapësirë e re bashkpunimi politik dhe të sigurisë”, vetëm për “liderët politikë”, kryesisht, pa pjesëmarrjen e stafeve të tyre.  Është një krijesë politike shumë pak e njohur në Evropë dhe pothuaj aspak përtej Evropës. Por kjo organizatë bën zhurmë dy herë në vit me takimet e saj të “nivelit të lartë” politik, me takimet në rotacion midis vendesh anëtare: në pranverë takimi mbahet në njërin prej vendeve jo anëtare të BE, si Shqipëria dhe normalisht, në vjeshtë mbahet në njërin prej kryeqyteteve të Bashkimit Evropian. Sa për informacion, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama ishte ndër të parët, në mos i pari, që në tetor, 2022 kishte mbështetur idenë e Presidentit Macron për krjimin e entit të ri evropian, “European Political Community (EPC). Megjithse shumë vende të tjera e pritën idenë e një enti të ri në Evropë – veçanërisht kur propozimi bëhej nga Franca – si diçka tepër të dyshimtë. Por, Macroni përfitoi nga se vendi i tij ishte në atë kohë president i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe ashtu ia doli të bindte shumicën se ky ent ia vlente të krijohej për të bashkuar evropianët në një organizatë të tillë, për të diskutuar mbi problemet e përbashkëta, në një atmosferë, jo të struktuar, siç ndodh normalisht, me takime të tilla ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Pak histori se ia vlen të theksohet dhe të ndahet e vërteta e këtij takimi këtë javë (të zgjedhjeve parlamentare) në Tiranë -- nga mjegulla e insinuatës së propagandës zyrtare se evropianët ranë në Sheshin Skenderbe për meritat e mëdha të qeverisë shqiptare ose për pëparimin e madh që Tirana zyrtare paska bërë drejtë antarësimit të saj për në BE. Takimi i parë i këtij enti politik (EPC) është mbajtur në Pragë të Çekisë në tetor të 2022 dhe mbledhja e dytë në Bulboaca të Moldavisë. Si në parentezë, për ata që presin gjëra të mëdha për Shqipërinë nga ky takim i nivelit të lartë në Tiranë, pas fitores së Partisë Socialiste në atë vend – unë sugjeroj që të shkojnë e të pyesin Moldavinë për të mirat që i solli atij vendi ky takim i lartë. Deri tani takime të këtij lloji janë mbajtur gjithashtu edhe në Spanjë dhe në Angli…sipas rotacionit, jo sipas ndonjë merite për regjimet vendase. Në të vërtetë, sipas disa eskpertëve, Presidenti Macron mund ta ketë propozuar tre vjet më parë, krijimin e një organizate të tillë, jo për të përshpejtuar antarësimin e këtyre vendeve në BE – përkundrazi, e ka propozuar dhe mbështetur me qëllim për të ngadalësuar zgjërimin e antarsimit të vendeve, deri tani jo-antare të BE. Sidoqoftë, kjo mbetet për tu parë.  Por në rastin e Shqipërisë, analistë evropianë janë shprehur këto ditë se një objektiv i këtij samiti në Tiranë, sa u përket miqëve evropianë të Kryeministrit shqiptar, është mbi të gjitha, për të “kurorëzuar fitoren” e Edi Ramës dhe Partisë së tij Socialiste në zgjedhjet e fundit.  Takimi evropian në kryeqytetin e shqiptarëve mund të konsiderohet nga disa si një “pikë politike” për Kryeministrin shqiptar, por nuk besoj se do të ketë ndonjë përfitim nga kjo mbledhje për jetën e përditëshme të shqiptarëve.

Sidoqoftë, ky ent i quajtur “European Political Community (EPC)”, ose Komuniteti Politik Evropian, është në një fazë eksperimentale dhe mbetet për tu parë se si do të zhvillohen punët. Në historinë e saj tre-vjeçare të EPC, nuk kemi parë ndonjë rezultat konkret që të ketë dalë nga këto takime që mbahen dy herë në vjet nga kjo organizatë– në rotacion midis vendeve anëtare – dhe në përputhje me të ashtuquajturën, “balancë gjeografike” evropaine dhe jo për merita të një qeverie ose një tjetre.  

Më në fund, sa i përket takimit të nivelit të lartë të EPC në Tiranë, pas shumë fjalë e deklarata bombastike, besoj se një ditë më vonë ,analistët do komentojnë se rezultati kryesor i takimit në Tiranë do jetë “kurorëzimi i fitores” nga liderët evropianë i zgjedhjeve të fundit nga kryeministri Rama, por jo vetëm. Për ndyshe ka të ngjarë që ai takim të përëfundojë, ndoshta, me ndonjë premtim jo zyrtar nga evropianët për hapjen e kapitujve të tjerë të hapjes së dyerve të antarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo në shkëmbim të ndonjë premtimi nga Zotit Rama se ai do hapë dyert e burgjeve të Shqipërisë për kriminelët evropianë, përfshir ata britanikë. N dërkohë që rinia shqiptare ua mësynë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për mërgim të përjetshëm. Por, më në fund, jam i bindur se momenti më i rëndësishëm, rezultat i takimit në Tiranë, do jetë e ashtuquajtura “fotografi familjare” e rasteve të tilla -- të gjithë liderët evropianë të bashkuar duke u qeshur, duke ngrënë e duke pirë nga kuzhina shqiptare e famshme tani në radhët e diplomatëve të huaj në Shqipëri  – gjë që më kujtoi poezinë e Ali Asllanit: “Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!”

Në një atmosferë kjo për të bindur ata që nuk besojnë se me të vërtetë Evropa është e bashkuar e në paqe (siç e donte dikur Xhorxh Bush plaku) pas shembjes së Murit të Berlinit. Sot në një periudhë kur paqeja dhe stabiliteti në Evropë, e sidomos gjendja në Ballkanin Perëndimor, përveç rajoneve të tjera të kontinentit të vjetër,  nuk duket të kenë qenë aq të brishtë ndonjëherë sa vitet e fundit. Prandaj me takime të tilla të nivelit të lartë si ky në Tiranë, nuk ka se për çfarë të mburret Evropa, as arsye të festojë Shqipëria.

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page