Nexhbedin Basha: XHENIERËT E AGIMIT...!
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 days ago
- 2 min read

-Në kujtim të xhenierëve, dëshmorë të Atdheut Muhamet Gjallesha e Shyqyri Ishmi, të varur me 22 tetor 1942, në Pazarin e Ri-
Tek monumenti, përulen shokët e llogores,
Brezat e sotëm ecin në gjurmët e kohës,
Se ju deshët që fjala të mos harrohet,
Të ngjizet thellë në memorrje.
Ju s’ishit fjalë, por gjak që nuk heshti,
Kur frika vërtitej si re mbi qytet.
Në rini u kthyet në udhë e flamur,
Për një agim që s’kish ardhur ende.
Nën hije të lisit, në heshtje të varrit,
Është zëri juaj që ringjallet në erë,
Në çdo hap të lirë, në çdo frymë të pastër,
Është Shyqyriu, Muhameti — dritë e pa tretur.
Ju s’u mbyllët në libra, në pllakë, në gur,
Por jetoni në heshtjen që flet më shumë,
Në syrin e nxënësit që lexon emrin tuaj,
Në gjakun që ngroh flamurin e kuq.
Dhe kur nata rëndon, e dridhet kujtimi,
Ju qëndroni si zëra që s’lenë të harrohet,
Se liria s’është fjalë, as stoli në mur —
Por emër i gdhendur me shpirt që s’vdes kurrë.
Ju ishit xhenierë — jo vetëm të luftës,
Po të shpresës, të rrugës që donte të lindte,
Hapët kalime mes mortjes dhe jetës,
Mes errësirës dhe një agimi që dot nuk prishej.
Ti, o Muhamet, me hapin e të rinjve,
Ëndërr në fytyrë, vullnet që ndizte yjet,
Edhe i varur, mban gjallëri në damar,
Xhenier i shpirtit — me litar në fyt the:
“Poshtë tradhtarë!”
Në atë rrugicë të Tiranës, litarët heshtur i vunë,
Flaka u ndal, hapi i këmbës mbeti në ajër,
Erdhi nata dhe përtej — ëndra e prerë në mes,
Në Pazarin e Ri, mes popullit e frikës, ju prehuni në altar.
Tani era flet për ty, o Shyqyri, në gjelbërimin e livadhit,
Në lulen që çel pa zë, në dritën e fëmijëve që qeshin.
Jo më si trup në litar, por si kujtim që mbin nga dheu,
Rini e përjetshme që nuk e zbeh dot asnjë erë e keqe.
22 tetor 2025









Comments