Nexhbedin Basha: “Vargu dhe loti flasin…”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 23, 2025
- 3 min read

Para dy ditësh poeti dibran Nexhbedin Basha më dërgoi poemën . Poema “Vargu dhe loti flasin…” E lexova dhe ndjeva atë që një lexues i ndërgjgjshëm ndjen. E ndjeva këtë pasi poema e Bashës trajton një nga temat më të përjetshme të letërsisë: ikjen fizike të njeriut dhe mbijetesën shpirtërore përmes fjalës, kujtesës dhe vargut. Që në titull, autori vendos në dialog dy elemente thelbësore të përjetimit njerëzor – vargun si formë e mendimit të artikuluar dhe lotin si shprehje e dhimbjes së heshtur. Këta dy zëra “flasin”, duke krijuar një poezi reflektuese, meditative dhe thellësisht humane.
Në pjesën e parë, “Ikja që na pret…”, ikja nuk paraqitet thjesht si largim fizik apo vdekje, por si një udhëtim i pashmangshëm i qenies njerëzore në kohë. Metafora e “hapave të heshtjes” sugjeron një largim pa zhurmë, por me peshë të madhe emocionale. Heshtja këtu nuk është zbrazëti, por dëshmi. Vargjet “hapat tanë mbeten në pluhur kohe,/si gjurmë që shiu s’i lan dot,” shprehin idenë se veprat, fjalët dhe përjetimet njerëzore janë më të forta se harresa. Koha mund të mbulojë, por nuk mund të zhdukë gjurmët e shpirtit. Autori përdor figura të thjeshta, por shumë domethënëse – pluhuri, shiu, zemra – për të ndërtuar një filozofi të qëndrueshme mbi kujtesën kolektive. Pyetja e fëmijëve “Kush ishin ata para nesh?” i jep poezisë një dimension brezash, duke e shndërruar kujtesën në urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes. Këtu, poezia bëhet edhe akt përgjegjësie: njeriu jeton për t’u kujtuar, por edhe për të lënë diçka që vlen të kujtohet.
Pjesa e dytë, “Kur s’do jemi në këtë botë…”, thellon idenë e pavdekësisë shpirtërore. Autori pohon se edhe pas largimit fizik, zëri i njeriut vazhdon të kumbojë përmes fjalës dhe artit. Krahasimet me fyellin në male dhe ujvarat janë shumë domethënëse: ato përfaqësojnë tinguj natyrorë, të përhershëm, që nuk varen nga prania njerëzore. Vargu: “hapat tanë do lënë dritë e hije,” krijon një kontrast simbolik mes ndikimit pozitiv dhe gjurmëve të dhimbjes, duke sugjeruar se jeta njerëzore është një bashkëjetesë e dritës dhe errësirës, por të dyja mbeten pjesë e historisë sonë. Poeti thekson se “dikush ishte këtu,” një pohim i thjeshtë, por jashtëzakonisht i fuqishëm, sepse përmbledh gjithë thelbin e poezisë: ne ekzistojmë përmes asaj që lëmë pas – fjalë, mendime, ndjenja, vargje. Mesazhi kryesor i poezisë është se njeriu nuk zhduket sa kohë fjala e tij jeton. Poezia afirmon fuqinë e letërsisë si formë rezistence ndaj harresës dhe si mënyrë për t’i dhënë kuptim përkohshmërisë së jetës. Gjuha poetike është e qartë, e ngrohtë dhe figurative, pa teprime stilistike, çka e bën poezinë të ndjeshme dhe të komunikueshme. Ritmi i qetë dhe toni meditativ e ftojnë lexuesin në reflektim të thellë mbi ekzistencën, kohën dhe kujtesën.
Sikurse u ndala në këtë koment letra të shkurtër, dua të theksoj se “Vargu dhe loti flasin…” është një poezi që nuk kërkon vetëm të lexohet, por të përjetohet. Ajo na kujton se jeta është e përkohshme, por fjala e ndjerë është e përjetshme. Nexhbedin Basha arrin të ndërtojë një testament poetik ku vargu bëhet zemër që rreh edhe pas ikjes, dhe loti shndërrohet në dritë mbi hije. (F. Terziu)
Nexhbedin Basha: Poemë
VARGU DHE LOTI FLASIN...
1. Ikja që na pret...
Ikja që na pret, lë hapat e heshtjes,
ku loti dhe fjala dëshmojnë,
hapat tanë mbeten në pluhur kohe,
si gjurmë që shiu s’i lan dot,
si shenja në zemrat që na njohën.
Do na kërkojnë në fjalët e pathëna,
në librat me faqe të verdha,
në sytë e fëmijëve që pyesin:
“Kush ishin ata para nesh?”
Sepse njeriu nuk ikën krejt,
sa kohë një mendim merr frymë,
sa kohë një varg rreh si zemër,
sa kohë kujtesa nuk fle.
2. Kur s’do jemi në këtë
botë…
Kur s’do jemi në këtë botë,
hapat tanë do lënë dritë e hije,
që s'do fiken kurrë.
Në një fjalë, në një këngë,
zëri ynë do kumbojë,
si zëri i fyellit në male,
si uji i ujvarave që gurgullon.
Kur s’do jemi, do mbeten rrugët që ndoqëm,
si hije të buta mbi gurët e kohës,
si shenja të padukshme që i ndriçon kujtesa,
dhe ata që vijnë pas nesh do dëgjojnë,
do kuptojnë dhe do ndiejnë se dikush ishte këtu,
me fjalët, me vargjet, me zemrën që rrihte ende.
Sepse çdo mendim që lëviz,
çdo fjalë që kumbon,
mbetet dritë mbi hije,
edhe kur ne nuk jemi më.
Nexhbedin Basha
21 dhjetor 2025









Comments