Nexhbedin Basha: KËPUCARI FILOZOF
- 3 days ago
- 1 min read

- Tregim -
Na ishte njëherë një këpucar i vjetër, që gjithë jetën e kishte kaluar mes lëkurës, penjve dhe aromës së ngjitësit. Një ditë, në një kafene, përballë i ulet shkrimtari Dritëro Agolli.
- Si je, mjeshtër? - i thotë shkrimtari me respekt.
- Mirë, faleminderit, - ia ktheu këpucari. - Po ti?
- Edhe unë mirë. Më thanë se qenke bërë edhe shkrimtar.
- Po, - tha këpucari duke buzëqeshur; kështu thonë njerëzit.
- E sa libra ke bërë?
- Një, dy… nuk i mbaj mend mirë.
- Si nuk i mban mend?
- Po pas një gote raki do më kujtohen të gjitha.
Qeshën të dy.
Pastaj këpucari mori një copë lëkure mbi tavolinë dhe tha:
- Shiko, mjeshtër… këpuca nuk bëhet vetëm me lëkurë. Do dorë, durim, sy e shpirt. E pres, e qep, i jap trajtë, i vë tabanin, e lustroj dhe në fund del këpuca. Pastaj ecën bota me të.
Ngriti sytë nga shkrimtari dhe vazhdoi:
- Edhe librin kështu e bëra. Mora copëza jete: halle njerëzish, dashuri, gënjeshtra, djersë e varfëri… i qepa bashkë me fjalë dhe doli tregimi. Po prapë nuk e di nëse jam vërtet shkrimtar.
Dritëro Agolli buzëqeshi lehtë:
- Se shkrimtari nuk bëhet nga numri i librave, por nga gjurma që lë fjala te njeriu… njësoj si këpuca që lë gjurmë në rrugë.
Këpucari uli kokën, ngrit gotën dhe tha:
- Atëherë, paskam ende për të mësuar.
Nexhbedin Basha
01.06.2026








Comments