Nexhbedin Basha: FJALA "ÇYRYK"
- 1 day ago
- 2 min read

Nexhbedin Basha: FJALA "ÇYRYK"
Një fjalë që mali e dëgjoi,
si bubullimë pa shi,
një fjalë që në kuvend burrash kumboi
dhe zbriti lugjeve të Dibrës,
si stuhi.
Nuk ishte fjalë që e merr era,
por klithmë e hedhur mes burrash e grash,
në mbrëmje të gjata dimri,
nën dritën e zbehtë të hënës
dhe diellin e vakët.
Të pritëm me bukë e me kripë,
o burrë,
siç pret mali retë e pranverës.
Ti hodhe një fjalë përdhe,
dhe ajo u bë hije në kujtesë.
Ajo s’ra në tokë.
Mbeti pezull mbi Dibër,
si korb i zi mbi kreshta,
si re që s’gjen shteg për t’u tretur.
Rrapet e vjetër e dëgjuan,
gurët e odave e mbajtën mend,
Drini e mori me vete
nga një breg në tjetrin.
Fjala "çyryk" mbeti si gur me shenjë.
Vitet do të ikin,
si vetë jeta.
Do të thinjen kuvendet,
do të plaken rrugët,
dhe do të shuhen zërat e asaj dite.
Por fjala do të mbetet aty,
si një gozhdë në trung,
si një shenjë thike në lëkurën e kohës,
që s’harrohet kurrë.
E kur nipërit të hapin librat e mi,
mes fletëve të zverdhura,
do ta gjejnë ende gjallë atë fjalë,
që deshi të ishte erë,
por mbeti gurë në trajtën e kohës.
18 qershor 2026
KURBETI
O kurbet, kurbet me halle,
zemrën prush ti po ma djeg.
Na ke ndarë për së gjalli,
lotët rrjedhin rrëke, rrëke.
Si lumenj që kërkojnë detin,
e nuk gjejnë kurrë qetësi,
endet malli nëpër zemra,
si hije që s'gjen strehë njeri.
Nëna plakë pret te dera,
sytë tretur për dashuri,
si një zjarr që s'di të shuhet,
numëron stinët një nga një.
Loti i nënës peshon rëndë,
mbi shpirt e mbi kraharor;
çdo agim e gjen te dera,
çdo mbrëmje me sy në oborr.
O kurbet, plagë e pashëruar,
more djem e more vajza,
sa ëndrra shpërndave nëpër botë,
si gjethe vjeshte nëpër brazda.
Kurbetçiu jeton dy jetë:
njërën larg, në dhe të huaj,
tjetrën lë te pragu i shtëpisë,
mes kujtimesh që kurrë s'shuhen.
Trupi tretet në tokë të huaj,
shpirti mbetet në Arbëri,
aty ku flet gjuha e nënës,
aty ku rreh zemra Shqipëri.
Ajo që dikur ishte psherëtimë,
sot është britmë e ulërimë;
zëri i saj ka kapërcyer male e dete,
s'ka më heshtje, as qetësi.
Emri i atdheut nuk hesht,
natë për natë na thërret në zgjim;
jemi arbërorë në zemër e
rrënjë,
dhe ilirë në gjak e shpirt.
Nexhbedin Basha
16 qershor 2026








Comments