top of page

Nexhbedin Basha: FATOS DACI -- ZËRI QË NUK SHUHET

ree

 

In Memoriam

 

Nga Nexhbedin Basha

  Gazetar & Poet

 

Në mëngjesin e 7 dhjetorit 2025, teksa shfletoja arkivin e Arti-t,të rrjeteve sociale facebook e intagram, një lajm më doli përpara si një plagë e heshtur:

“Ndërron jetë Fatos Daci.”

Pinjolli i fisit dhe lagjes Dacallarë, i lindur në Zall Kalis të Sllovës, në Dibër. Një emër që nuk i përkiste vetëm një njeriu, por një misioni të tërë.

E kisha njohur. Dhe tani që ai nuk jeton më, ndjeva se fjala duhej të bëhej dëshmi.

Fatos Daci ishte arsimuar në Universitetin e Tiranës, ishte gazetar, botues e Kryeredaktor i Gazetës "Dibra", akademik, studiues i palodhur, publicist dhe një nga zërat më këmbëngulës të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar. Ai nuk e kërkoi akademinë si titull nderi, por e ndërtoi atë me punë, me libra dhe me argumente. Akademizmi i tij nuk qëndronte në distancë, por në shërbim.

Nga trualli i Zall Kalisit, ku u formua karakteri dhe dashuria për atdheun e vogël, deri te auditorët, konferencat dhe tribunat shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, rruga e tij ishte një rrugë pa ndalesa. Ai e dinte se koha nuk i mjaftonte.

Sa herë e takoja dhe e ftoja për një kafe, ai ishte gjithmonë në nxitim: — “Jam në një sesion shkencor për Skënderbeun…” — “Jam i ftuar në TVSH…” — “Kam aktivitet në Kosovë…” — “Nesër jam në Maqedoninë e Veriut…”

Dhe kafeja mbetej pezull, si një premtim që koha nuk e mbajti. Sot e kuptoj: ai nuk kishte luksin e pritjes. Sëmundja e rëndë, e pashërueshme, e shoqëronte në heshtje, por nuk ia ndali hapin. Përkundrazi, ia shtoi vrullin.


ree

Fatos Daci ishte studiues, publicist, autor, kumtues, dokumentues i palodhur i historisë shqiptare. Në qendër të veprës së tij qëndronte një bosht i qartë:

Skënderbeu, Dibra dhe identiteti kombëtar shqiptar.

Ai ishte i pranishëm: në Stamboll, në konferenca ndërkombëtare për Skënderbeun;

në Kala të Dodës, në përvjetorë të arsimit shqip; në Zall Kalis, ku kthehej gjithmonë si për të marrë frymë; në intervista me prof. dr. Kristo Frashëri; në tryeza shkencore, emisione televizive, aktivitete kombëtare.

Meraku i tij më i madh ishte t’u linte brezave pasardhës prova: dokumente arkivore, faksimile, botime, libra, filmime – dëshmi që flasin vetë, pa pasur nevojë për retorikë.

Kafeja mbeti një simbol i takimit të parealizuar, sepse Fatos Daci po nxitonte të linte gjurmë. Sëmundja e rëndë dhe e pashërueshme e shoqëronte në heshtje, por nuk ia ndali hapin; përkundrazi, ia shtoi vrullin.

 

GAZETA “DIBRA” – NJË TRIBUNË IDENTITETI

 

Një kapitull më vete në jetën e tij ishte gazeta “Dibra”, të cilën ai e drejtoi dhe e botoi me përkushtim të rrallë. Për Fatos Dacin, kjo gazetë nuk ishte thjesht një organ informimi, por një tribunë kombëtare për historinë, kulturën dhe problematikat e Dibrës dhe më gjerë.

Në faqet e saj u botuan:

• studime historike,

• artikuj publicistikë,

• dokumente arkivore,

• zëra intelektualësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Gazeta “Dibra” u bë një urë lidhëse mes brezave dhe trojeve, një arkiv i gjallë që ruan frymën dhe kujtesën e një krahine me peshë të madhe historike.

 

FATOD DACI -- PASURIA E HESHTUR E KUJTESËS KOMBËTARE

 

Emri i Fatos Dacit renditet natyrshëm në mesin e njerëzve që i kanë bërë Shqipërisë shërbimin më fisnik: ruajtjen e kujtesës historike. Ai nuk ishte thjesht gazetar, studiues apo botues; ai ishte kronikani i madh i Dibrës, një prej hartuesve më të palodhur të historisë lokale shqiptare, një burrë që i kushtoi jetën faktit, dokumentit dhe dëshmisë.

Me mbi 60 libra të botuar, shumica prej tyre vepra enciklopedike, monografi, studime historike, antologji e volume dokumentare, kontributi i Fatos Dacit kap përmasat e një arkivi kombëtar. Çdo faqe e shkruar prej tij është një gur i çmuar në murin e memories së Dibrës, por edhe të Shqipërisë.

Një vepër e gjerë, një mision i vetëm: të mos humbasë gjurma e shqiptarit

 

Fatos Daci lëvroi tema të shumta — nga historia e Skënderbeut dhe Kastriotëve, te monografitë e fshatrave, figurave, arsimit, kulturës, mjekësisë dibrane dhe diasporës — por thelbi mbeti i pandryshuar:

të mbledhë gjithçka që nesër mund të humbet.

Ai endej nga arkivat te shtëpitë e njerëzve, nga fletoret e vjetra te dokumentet e harruara, me atë përkushtim që vetëm njeriu i misionit e ka. Falë tij, sot dimë data, ngjarje, emra, rrëfime, fshatra, familje dhe figura që do të ishin zhdukur në harresën e natyrshme të kohës.

 

Veprat më përfaqësuese

 

Disa prej titujve të tij kanë tashmë statusin e referencave të padiskutueshme:

• Enciklopedia e Dibrës

• Dibra – Historia e plotë

• Skënderbeu i Vërtetë

• Kastriotët e Çidhnës së Dibrës

• Të vërtetat për Skënderbeun

• Historia e Arsimit Shqiptar në Dibër

• Historia e Mjekësisë Dibrane

• Historia e Kulturës Dibrane

• Sllova përgjatë një shekulli

• Shqiponjat e kreshtave të Veriut

• Antologjia e Poezisë Dibrane (vëll. I dhe II)

• Një shekull poezi dibrane

• Burrat e Kullës së Canit

Secili prej këtyre librave përfaqëson një kapitull të veçantë të historisë së një treve, të një fisi, të një familjeje, të një epoke, por të gjitha bashkë ndërtojnë mozaikun e madh të identitetit tonë kombëtar.

 

NJË AKADEMIK I HESHTUR

 

Shpesh quhej “akademik i pashpallur”, sepse meritonte të ishte pjesë e institucioneve shkencore të vendit. Por ai, në mënyrën e tij të qetë, e dinte se çmimi më i lartë është ai që merr nga lexuesi dhe koha. Kjo kohë po ia jep tashmë krejt vlerësimin që meriton.

Vepra e Fatos Dacit nuk është vetëm “pasuri e Dibrës”. Ajo është:

• pasuri kombëtare, sepse ruan destinë të tëra të shqiptarëve;

• pasuri e brezave, sepse i orienton studiuesit e së ardhmes;

• pasuri shpirtërore, sepse mbron nga harresa rrënjët e popullit tonë.

Shumë prej librave të tij janë sot referenca të domosdoshme në studimet historike, kulturore dhe etnografike. Me largimin e tij u mbyll një jetë, por u hapën dhjetëra dritare të reja në kujtesën shqiptare.

 

NË NDERIM TË FATOS DACIT

 

Tek po shkruaj këto radhë në nderim të Fatos Dacit, më del përpara një e vërtetë e madhe: librat e tij dhe vetë jeta e tij si studiues e historian kanë qenë një shërbesë e përkushtuar për rrënjët e kombit. Ai e deshi historinë deri në vetëmohim dhe ia kushtoi gjithë energjinë e tij për të mos lejuar që harresa të mbulonte gjurmët e shqiptarëve.

Në librin tim “Kufijtë e Zemrës”, në kapitullin ku sjell personalitetet më të shquara të Dibrës, është më se e natyrshme, madje e domosdoshme, që një nënkapitull t’i kushtohet akademikut të heshtur, studiuesit të palodhur, gazetarit dhe botuesit të gazetës “Dibra”, një institucioni të vërtetë ku edhe unë kam qenë i pranishëm me botime nga krijimtaria ime letrare, kulturore, artistike e historike.

Fatos Daci ishte më shumë se autor librash:

ai ishte mbledhësi i kujtesës, ruajtësi i dokumentit, qiriri që s’u fik asnjë ditë.

Ai mblodhi fakte, dokumente, dëshmi, fotografi, histori familjare dhe rrëfime të trevës, duke ndërtuar një thesar që sot e llogarisim si pasuri kombëtare.

Librat e tij — rreth 60 vepra të çmuara — mbeten trashëgimia që nuk shuhet.

Në to ka monografi historike, studime shkencore, ese publicistike, botime arkivore dhe libra të kushtuar Skënderbeut, Dibrës, arsimit dhe identitetit shqiptar. Në çdo faqe ndihet besimi i tij se historia duhet provuar, jo thjesht treguar.

Sot, kur Fatos Daci nuk është më mes nesh, e kuptoj edhe më mirë se pse ai nuk kishte kohë për ndeja e kafe: ai kishte një takim tjetër — me historinë. Dhe historia nuk pranon vonesa.

Në faqet e “Kufijtë e Zemrës”, emri i tij hyn jo si një humbje, por si një prani e gjallë. Ai iku fizikisht, por mbeti pas Fatosi studiues, Fatosi botues, Fatosi historian, ai njeriu që i dha Dibrës zërin, kujtesën dhe dinjitetin.

Të tjerat do t’i plotësojë kujtesa jonë.

Sepse sa herë të hapet një libër i tij, sa herë të shfletohen faqet e gazetës “Dibra”, Fatos Daci do të jetë sërish aty — i gjallë, në lëvizje, duke rendur si gjithmonë pas së vërtetës.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page