top of page

Fatmir Terziu: Romani „Pará me gjak“ – një diskurs për dhimbjen e emigracionit shqiptar në Greqi

ree

Romani „Pará me gjak“ – një diskurs për dhimbjen e emigracionit shqiptar në Greqi


Një analizë e zgjeruar mbi veprën më të re të Ruzhdi Jatës

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Romani më i ri i autorit shqiptaro-britanik Ruzhdi Jata, „Pará me gjak“ (2025), vjen si një dëshmi e fuqishme letrare dhe dokumentare për dhimbjet, paradokset dhe plagët e emigracionit shqiptar në Greqi. I prezantuar së fundmi në Librarinë e Richmond-it në Londër, ky roman shënon një ngritje cilësore në krijimtarinë e autorit, i cili njihet prej vitesh si gazetar, publicist dhe aktivist i komunitetit shqiptar në Britani, por edhe si një pasqyrues i palodhur i fateve njerëzore të bashkëkombësve të tij në itinerarin e vështirë të emigrimit.

Ruzhdi Jata, me origjinë nga Kukësi, një nga zonat më të prekura historikisht nga migrimet e brendshme dhe të jashtme, vjen pas një krijimtarie të gjerë letrare: „Trafikantët“ (2022), „Burra të motit“ (2022), „Sfida“ (2019), monografia „Lutfi Vata“ (2016) dhe romani „Shpresa e Londrës“ bashkautor me të bijën Greta Jata. Tashmë, me „Pará me gjak“, ai arrin kulmin e një situate të hidhur dhe të mprehtë të realitetit emigrant, të filtruar përmes përvojës dhe vëzhgimit të drejtpërdrejtë.

 

Romani si kronikë e dhimbjes së një epoke

 

Ndryshe nga shumë libra të tjerë që janë shkruar për emigracionin shqiptar pas viteve ’90, romani „Pará me gjak“ shquhet për autenticitetin e tij të rrallë. Jata nuk ndërton thjesht një narrativë letrare, por krijon një promemorie prozaike të ngjarjeve dhe dukurive që kanë shoqëruar mijëra shqiptarë në rrugën e mundimshme drejt tokës helene. Aty lexuesi nuk ndesh një linjë të vetme subjekti, por qindra rrugë, zëra, fytyra, histori, të cilat bashkohen në një epikë të madhe mbijetese. Është një roman që kap fenomenin, jo vetëm ngjarjen; plagën, jo vetëm shenjat e saj; atmosferën kolektive të vuajtjes, jo vetëm dramën individuale. Zgjedhja e këtij stili e bën librin një dëshmi të rëndësishme të kohës – një dokument letrar që arkivon një përvojë shoqërore tragjike e njëherësh dinjitoze.

 

Tharmi i përjetuar i jetës emigrante

 

ree

Në faqe të ndryshme të romanit, autori sjell dialogë dhe përjetime që i përkasin dramës së vërtetë njerëzore të emigrantëve. Fragmente si: “Nesër ti do të mbledhësh rrushin e tharë të Mastoraqit…” “…Mos të rafte me kërku një të drejtë kur je ilegal. Nuk ka drejtësi për refugjatin.”, apo dialogë të tjerë mbi konfliktet familjare, ndasitë e klasave, marrëdhëniet e punës, të shtyjnë të hysh më thellë në labirintin e dhimbjes së emigrantit që jeton mes shpresës dhe poshtërimit, mes etikës së punës dhe shfrytëzimit, mes varfërisë së kaluar dhe frikës së së ardhmes.

Jata e njeh mirë terrenin ku lëvizin personazhet e tij. Ai i ndërton me gjak të ftohtë dhe me vëmendjen e një gazetari terreni. Kjo është arsyeja pse romani nuk i ngjan librave të tjerë që shpesh bien në shabllon, ose përsëritje tematike të ngjarjeve tipike të emigracionit. Këtu kemi një origjinalitet të padiskutueshëm, një këndvështrim të brendshëm, të ndërtuar mbi përvojën direkte.

Autori flet dhe për halle të tjera, ku shtjellon se origjina është nga Kukësi:  „Një ditë tjetër, kur doktoreshë Nado erdhi te motra ime, i thashë: "Dua ta takoj Radën. Po ti e di se ajo s'vjen vetëm në kafe, as unë nuk mund ti them motrës ta ftojë, se janë disa norma... Jemi kuksianë dhe unë i njoh prindërit e saj". Apo dhe fenomeni tjetër: „Burrë e grua filluan të flasin me njëri-tjetrin. "Ka shumë qëllime tq fqlliqura ndarja e tyre, - tha Vangeli. - Don ta nxjerrq Anqn nga shtqpia pa hisen e vet". "Ndoshta ai horri për këtë s'ka bërë as fëmijë!"- ia ktheu gruaja.

"S'ka dashur të bëjë me një emigrante! - i tha burri. - Enigmë e madhe!" (Faqja 139)

 

Nga fenomeni individual te drama kolektive

 

Emigracioni shqiptar në Greqi është një nga kapitujt më të dhimbshëm të tranzicionit shqiptar. Qindra mijëra njerëz u nisën drejt jugut të Ballkanit për të shpëtuar jetën dhe për t’i siguruar familjeve bukën e gojës. Një pjesë e mirë e tyre u ballafaquan me: mungesën e dokumenteve, racizmin e shumëfishtë, shfrytëzimin ekonomik, kriminalitetin e rrjeteve të trafikut, tragjeditë familjare, humbjen e identitetit, stigmën shoqërore.

Romani i Jatës arrin t’i shpalosë të gjitha këto në një tablo të madhe sociale, duke nxjerrë në pah jo vetëm plagët, por edhe forcat morale, besën, karakterin e pathyeshëm të shqiptarëve në kushtet më ekstreme.

Ai çmonton me saktësi rrethanat socio-ekonomike dhe socio-politike që e ushqyen këtë emigracion masiv dhe shpesh katastrofik. Ndërkohë, një vëmendje të veçantë i kushton marrëdhënieve ndërshtetërore Shqipëri–Greqi, të cilat në momente të caktuara e kanë rënduar edhe më shumë fatin e emigrantit shqiptar.

 

Libri si fenomen, jo thjesht si roman

 


ree

Pará me gjak“ është një libër i mbështetur mbi fenomenologjinë e emigracionit. Jata nuk ndërton thjesht histori; ai dokumenton dukuri, mënyra sjelljeje, modele ekonomike të shfrytëzimit, rrjete kriminale, dhe sidomos pasojat sociale të këtij fenomeni të madh. Autori i jep lexuesit një libër që nuk mund të shkruhej nga kushdo, sepse kërkon një sy të mprehtë, një ndërgjegje të formuar dhe një përvojë të drejtpërdrejtë me realitetin e emigrantëve. Pikërisht këtu qëndron fuqia e romanit: është i shkruar nga dikush që ka qenë pjesë e këtij universi të dhimbshëm, dhe kjo e bën veprën autentike, të besueshme, jetësore.

 

Dimensionet shoqërore dhe institucionale

 

Romani ngre pyetje të rëndësishme mbi përgjegjësitë e shtetit shqiptar ndaj diasporës. Termat si “para me gjak” bëhen metafora të sakrificës kombëtare, sepse emigracioni, siç e nënvizon edhe autori,  i ka dhënë vendit mbështetje të jashtëzakonshme ekonomike në vitet e errëta të tranzicionit.

Kjo ngre nevojën për politika më serioze shtetërore për: mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve, integrimin e tyre shoqëror dhe ekonomik, ruajtjen e identitetit kulturor, lehtësimin e qarkullimit dhe dokumentacionit, mbështetjen institucionale në momente krize. Jata e prek këtë temë me “druajtjen” dhe seriozitetin e njeriut që e ka provuar mbi shpinë mungesën e këtij kujdesi.

 

Përfundim: një roman i domosdoshëm për kujtesën tonë kolektive

 

Pará me gjak“ është më shumë se një roman është një kujtesë kolektive, një arkiv i dhimbjes, një monument i sakrificës së mijëra shqiptarëve që endën kufirin shqiptaro-grek me shpresën në xhep dhe frikën në shpirt. Me stilin e tij të veçantë prozaik, shpesh të ngjashëm me një ditar dokumentues, Jata ka shkruar një vepër që jo vetëm rrëfen, por edhe shpjegon; jo vetëm plagos, por edhe ndërgjegjëson. Ky libër i jep emigracionit shqiptar dinjitetin që shpesh i është mohuar dhe e vendos atë në qendër të reflektimit shoqëror dhe letrar.

Në një kohë kur letërsia e emigracionit rrezikon të bjerë në përsëritje, „Pará me gjak“ vjen si një vepër e fuqishme, e thellë dhe e paharrueshme. Një libër që flet me zë të ulët, por kumbues, për një nga plagët më të mëdha të historisë sonë moderne. Një roman i domosdoshëm, një zë i sinqertë, një pasqyrë e hidhur, por e vërtetë, e shpirtit shqiptar në udhëtim.

Romani „Pará me gjak“ i autorit është ndoshta njëri nga librat më interesantë të botuar për emigracionin shqiptar që nga viti 1990 e deri sot. Duke u marrë kryesisht me emigracionin shqiptar në shtetin fqinj grek, Jata njëherësh na ka ofruar një promemorie të stilit prozaik, ditar, dhe memorial, kronologjik, qe jane dhe pervoja personale te tij, një roman interesant, të veçantë, me kaq shumë personazhe me emra dhe pa emra dhe pa vazhdues linjash të subjektit, por që janë kudo, nga fillimi e deri në mbarimin e librit, duke na shpërfaqur një epokë mbijetese në kuptimin më përfaqësues të fjalës.

 

@copyright-nuk lejohet publikimi në faqe të tjera, as dhe në ndonjë media tjetër.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page