Neki Lulaj: A JEMI NE?
- Jan 16
- 6 min read

“Në Hagë”, poezia merr trajtën e një akti rezistence morale. Figura e acarit, e lyshtërave dhe e “plafit të zi” ndërton një ikonografi të errësimit të drejtësisë, ndërsa gjykimi i UÇK-së shndërrohet në simbol të përmbysjes së vlerave. Këtu prania poetike është prani e dhimbjes së vetëdijshme: fjala nuk thërret vetëm indinjatë, por qartësi etike, duke e vendosur subjektin lirik në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me padrejtësinë historike. Poezia shërben si hapësirë e kujtesës aktive, ku shërimi fillon nga emërtimi i plagës. Poezia tjetwr “Pasqyrë shpirti” e zhvendos theksin nga historia e jashtme drejt topografisë së brendshme. Pasqyra, lumi i territ, hëna dhe vesa krijojnë një sistem metaforik të vetëvëzhgimit dhe të përpjekjes për qartësi. Këtu reflektimi nuk është ikje, por një proces i thellë i rindërtimit të vetes përmes kujtesës së fisit dhe vazhdimësisë brezore. Poezia siguron një hapësirë meditimi, ku mençuria lind nga përballja me errësirën, jo nga mohimi i saj. Tek dy poezitw nw vazhdim, “Shtegu i thinjur” dhe “A jemi ne?”, potenciali filozofik i ciklit bëhet më i dukshëm. Pyetja identitare shtrihet midis mitikes dhe njerëzores, midis tokës dhe pavdekësisë. Thinjtë, shtegu, shkallët e pavdekësisë janë shenja të një udhëtimi ekzistencial ku poezia kërkon kuptim në një shekull të trazuar. Këtu prania poetike është prani kërkuese: një përpjekje për të çarë perdet e verbimit dhe për të rimarrë dritën morale të njeriut. Poezitw e pwrkushtuara dashurisë, si “E dashur” dhe “Kur ti vjen”, nuk janë thjesht lirika intime, por akte bashkimi shpirtëror që sfidojnë ndarjet gjeografike e historike. Dashuria shfaqet si forcë shëruese dhe si potencial i ribashkimit kombëtar e njerëzor. Ajo krijon një kundër-peshë ndaj dhimbjes politike, duke ofruar qetësi, butësi dhe shpresë. Tek poezia e fundit me titullin, “Heshtja”, vetw heshtja si nocion filozofik, sintetizon gjithë ciklin. Heshtja mbetet si prani e rëndë, por edhe si mundësi zgjimi. Në këtë poezi, heshtja nuk është boshësi, por hapësirë ku fjala po përgatitet të rilindë. Është pikërisht kjo heshtje e përpunuar poetikisht që i jep ciklit forcën e tij shëruese dhe qartësuese. Në tërësi, poezitë e prura nga Neki Lulaj, ndërtojnë një univers ku fjala poetike bëhet mjet për mençuri, shërim dhe rritje shpirtërore. Ato ofrojnë një përvojë leximi që i reziston zhurmës së kohës, duke e rikthyer poezinë në funksionin e saj thelbësor: si akt pranie, si reflektim i thellë dhe si potencial për transformim të brendshëm e kolektiv. (F. Terziu)
NË HAGË
Po fërshëllejnë acare mbi fytyrat e ndritura
Heroizmi dhe sakrificat e dëshmorëve po zbehet
Po mbulohen me lyshtër dhe me plaf të zi
Moj plakë e zgjebosur, ne gjithmonë qemë bonjakë
Apo hithra livadhi nën blirin e skëterrës.
Më ushqen kureshtja ta mësoj misterin e fshehtë.
Por drejtësia dhe e vërteta moti kanë ngordhur.
Në këtë kohë pa kohë po fryn sqotë bore nga Perëndimi.
UÇK-ja që mbrojti nga agresori pragun e nderin
Po gjykohet si dorë e krimit me pa të drejtë.
Është turp e mizori kjo çka po ndodh me herojt
E ky trishtim futet si thikë mbi shpatulla shqipes
Zemra më është bërë mështeknë brengosëse
Nën këmbë po na gërryejnë si urithi nëpër vrima
Armiqët puthadorë gjithandaj po gropojnë.
Ne puthëm shkurre e përqafuam murriza në kohëra
Mbi rrasën e kohës u mprehën ditët e padrejtësitë.
Hingëlluam prapa kalit tek avull nxirrte avull nga goja
Hënës ia ofruam gjoks e putra
E ju na i zhvleftësuat luftëtarë e Lirisë tonë
PASQYRË SHPIRTI
Mbi samarin e jetës shoh si arnë një rreze dielli
Në leqet e vetvetes në lundrim pasqyrat pushtojnë kalanë
Kjo valë pellgu i shpirtit ky shekull plotë dallgë
Me cilin çarçaf u mbështoll hëna që ndrin botën mbarë
Ky lum terri ma rrënon muranën e degët e lisave
Me vesë i laka, e zogjtë me flatrat e veta engjëllore
Po bartin gjurmët e fërkimet e nata po gërhet
Si një plakë e lodhur që ecën përmbi pllaka
Me parmendë në dorë.
O pasqyrë e shpirtit tim
Me lër te mos harroj ashtin e fisit
Qe ne breza ardhmërinë ma rilind
Për ditët e reja të rizgjimit
Eci mbi samarët në stanët e pafund të jetës
E shtrëngoj leqet e shpirtit në lundrim
O,më trishtonky shekull me dallgë kërleshur
Që valë të reja më zgjoka në shpirt
E kërkoj çarçafë që të mbledh me duar hënën
Po lumi i territ po më bën udhën si murranë
Në degët e lisave mbledh vesën e ëndërruar
E zogut ia prek flatrën e imtë e të bardhë
E mbaj me duar gjurmë të shumta fërkimi
E natën si një qen tinza e dëboj
O moj kohë vrastare që vjen me shtigje verbimi
Mos u mplak me parmendë në dorë.
SHTEGU I THINJUR
Ajo vjen me buzë të purpura, të mbledhura.
Merr guximin e kalon shtegun që të thinj.
Në gjoks ka një det dëshirash të ndezura
Perdet e shpirtit pëlcasin qiellin, kaltërsinë.
Ballin e prek me ledhatime si shurdhmemec.
Lëshojnë xixa stralli mes dremitjesh
Sikur bredhin kuajt në lamë, në udhën e shkretë.
Ne mes të oborrit shkurre mes moçalishtesh
Në dhomat e qiellit sërish terr, brengë
Ta gjej shtegun në mes të vetëtimës
Të ngjitem në majë të shkretëtirës së nxehtë
Botën e mykur ta hedhim mes luginës.
Në odën e zemrave shoh qiri të ndezur
E për rreth një botë te shurdhër në jerm.
T’i shqyejmë perdet e pendimit të egër
E buzëve të nxjerrin mjaltë e jo helm.
A JEMI NE?
A jemi ne
Shtegtarët e tokës me shkopij druri?
Apo zogjtë e qiellit me flatra që fluturojnë në qiell?
A jemi krijesat e ketij shekulli
Të spërkatur me pluhur meteorësh
Që kemi në krye thinja me plotë dritë ?
A jemi ne
Të ngrohur në dimrin e thinjur me acar
Apo të ftohur me rreze maji me diell
Kur lulet sërish kanë rilindur?
A jemi ne
Njerëzit me të dashurit e Zeusit
Dëshmitarët që i mallkuam gozhduesit e mjerë .
A ikëm ne me vrap
Nga moçalet me shkarpa
E bashkë u ngjitëm lart me stola qielli
Shkallëve të pavdeksisë
Në prehërin e tokës kokën e vumë në gurin e varrit
Ish jasteku i Nënë Lokës, i ngrohtë, i shtrenjtë.
Qe të jetojmë sa dheu i keësaj toke.
E DASHUR
E dashur, sonte po rrimë pranë e pranë.
Aromën e njëri-tjetrit me afsh po shijojmë.
Të bëhemi të dy si pëllumba të bardhë
Ti në Çamëri e unë në Ujman.
Flokët gështenjë po t’i merr era
Uji i akullt ëmbël ma freskon zemrën.
Të jetojmë bashkë se na iku jeta
Ti në atë bokë e unë në këtë shteg.
Rrugëve të Çamërisë ecë ti si e dëbuar
Vala e detit ta shton ngrohtësinë e nurin
Ulem aty mbi kalldrëmin e përmalluar
Lulja e dashurisë po e shpon gurin.
Sa i dua i dua t´gjith njerëzit që i ka mbi toka .
Të gjithëve dua t`ua dhuroj një testament.
Te kelithim se Çamëria është e jona.
E të gjykojmë pse na ndau bota?
Ikën vitet larg e larg në brigje kohe
Shtiza e orës kurrë s`pushoi.
Dua të lundroj gjatë n` Ujmanin ton
Të prqafohm bashk në Çamërinë që na fton.
KUR TI VJEN
Më erdhe me natën e qetë
Kur ajo kish rritur shtatin
Si ketri këmbëlehtë
Derën ngadalë e hape
Atë natë unë akoma s`kisha fjetë.
Isha thelluar në heshtjen time sublime
Si në kllapi ndijeva hapat e tua të lehtë.
Diçka befas më shpurpurisi mijëra kujtime.
Sa ndieva mallin që më zbukuronte këtë jetë.
Më erdhe si vetëtimë qielli
Që lumturojnë natyrën.
Me erdhe befas te unë në këtë natë shenjtërie
Ti gëzimi i pashuar, ti shqiponja ime.
Ti erdhe natën në terr.
Por si Neon lëshoje dritë
Gjatë e pritëm njëri-tjetrin
Ti nga unë e unë nga ti
Kurrë s`kemi për të ikur në përjetësi.
HESHTJA
Heshtja ecën me mua.
Heshtja lëviz si lokomotivë
Ma pushton trurin
Ushton në kokën time të trazuar.
Si stuhi rërë mbi shkretetirë.
Pas meje
Një mjegull vjeshte….
Gjethet me erën ikën pa adresë..
Nga batica e saj
Ylberi rrit shtatin sa maja sa bregu
E Dielli ma rritë hijën
Ne mëngjesin e mbarë.
Ylberin s`munda kurrë me e zenë
Qe zbret mbi degë si zhurmë e pashkrua
Zgjon detin e fjetur si një uragan
E bota po bota pse vall është
Kaq shumë e trazuar?
Nuk dua t’i mbyll buzët e mia.
Të lodhura nga heshtje e tepruar.
E vitet po ikin si mjegulla mes lugine
Deri sa të shoh dashurinë e kthyer
Dhe botën duke u përqafuar.









Miku i çmuar xeherorja e pashtershme ju falënderoj nga thellësi ja e shpirtit.
Shumë te fala
Nekiu