top of page

Ne po ikim


Adriatik Jaçe

Ne po ikim. Kemi marrë rrjetën e gjethit. Dhe jemi duke u zhvendosur limfës... Ne po ikim. Klorofili është duke u zvetënuar. Jemi duke qëndisur sipërfaqe të tjera... Ne po ikim. Larg, po shkëputemi, portave të vajtimit. Ne po ikim. Ndryshku është duke fërkuar duart, ndërsa dhimbja vrapon të ujisë barin tokave... Ne po ikim. Brigjet shikojnë sy të ngrirë... Kalciumi i dashurive fosforin e shndrin. Ne po ikim. Nuk do ju duhet as të na gënjeni më.. Ne jemi bij të aratisjes... Ne po ikim. Mos kërkoni të kthehemi, sepse thjesht do shqyeni brinjët me përballjen tuaj . Ne po ikim. Të mbytur në pellgje lotësh. Kemi marrë me vete valixhe kujtimesh. Ne po ikim. Mbrapa na ndjek përbuzja juaj. Toka është shndërryar në akreon. S'keni nevojë as të dyfytyrësoheni... Jini pra një herë të vetme vetvetja....! Ngulni kthetra dhe me dhëmbë shqyeni ku të mundni...! S'do ju duhet më të farsoheni! Dikur....? Mbas kush e di sa shekuj dhimbjesh Mbase do quhen arkeologë..? Do vrasin mendjen.. Për pyetjen? "Çfarë rrace dështakësh ka pas banuar këtu që e zhdukën dhe e mbytën lapangjozët?!!!" Ne po ikim.... Na falni! Gjyshër, Stërgjyshër.... Më fal baba, nënë...! Ne po ikim. Lëreni ndryshkun të ngopet menteshave. Erën të vërshëllejë strehëve që po thyejnë trarët. Molën të ronitë gjithçka......! *** Sytë tanë në aratisje pyesin... E morëm farën e barbarozit? Bistakun e kaçkës? E sytë e ngrirë të dashurisë?... Mbase në aratisje, qielli do jetë kristal i lotuar, E sytë tanë do shohin më shumë horizont të veshur.... Ne po ikim!


76 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page