top of page

NE JEMI NJË, PAVARËSISHT BOTËKUPTIMEVE TË NDRYSHME TË NDONJË EGOCNETRIKU(!)



(Intervistë me shkrimtarin e nderuar Ibrahim Kadriu)

 

Intervistoi: Fatmir Terziu

 

 

Kanë kaluar thuajse tre dekada e gjysëm nga periudha kur edhe letërsia e trojeve shqiptare pati disi pikëtakime të ndryshme, që shërbyen të kenë frymë tjetër. Këto takime natyrshëm kanë dhënë dhe japin dhe një lloj funksioni tjetër legjitimues.

Sigurisht, funksioni legjitimues i letërsisë nuk është një patentë dhe zbulim i shtetit totalitar të shekullit të njëzetë, as i shtetit modern në përgjithësi. Që nga kohërat e lashta, monarkët dhe tiranët despotikë kanë qenë shumë shpesh patronë të jashtëzakonshëm të arteve. I gjithë arti monumental vizual i Egjiptit të Lashtë, Mesopotamisë dhe Persisë fillimisht kishte për qëllim të përjetësonte figura specifike historike të sundimtarëve në pushtet në atë kohë, por gjithashtu, paralelisht, të ngjallte një frymë adhurimi për aparatin shtetëror në përgjithësi. Nëse në rastin e parë arti ndërton një kult të sundimtarit, atëherë në të dytin ai legjitimon pushtetin si të tillë. Ky tekst nuk merret me aktet specifike letrare të kultit të personalitetit (ekuivalentët modernë të monumentalizimit antik), por më tepër me funksionin legjitimues të letërsisë. Ne e shohim letërsinë në shoqëritë totalitare jo thjesht si të nënshtruar ndaj kërkesave subjektive-voluntariste, por si të organizuar në rregulla të paracaktuara që rrjedhin nga drejtimi i përgjithshëm i procesit ideologjik. Një tekst mund të legjitimojë një ideologji specifike, një vendim specifik qeveritar ose autoritetin e institucioneve në përgjithësi, në një numër mënyrash. Këto metoda mund të ndahen gjerësisht në dy kategori: legjitimitet i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë. Në legjitimimin e drejtpërdrejtë, teksti i përmbahet hapur një pozicioni të caktuar ideologjik dhe madje mund të diskutojë ngjarje specifike politike nga perspektiva e atij pozicioni. Letërsia shqiptare nga koha e totalitarizmit është plot me shembuj të tillë. Në fakt, janë pikërisht këto shembuj që korrespondojnë më ngushtë me formulimet kritike të realizmit socialist. Lufta e klasave, lëvizja partizane dhe ndërtimi i një lloji të ri shoqërie janë tema tipike për autorë të cilët zunë vende dhe ende mbajnë vende të tilla. Këto tema trajtohen në një mënyrë të diktuar nga doktrina zyrtare ideologjike dhe interpretimi zyrtar i historisë. Personazhet janë stereotipikë (komunisti është “i mirë”, kapitalisti dhe „ballisti“, „kulaku“, oficeri i xhandarmërisë janë “të këqij”), përdoren skema shumë specifike të komplotit, në të cilat janë të pranishme veprime dhe situata të caktuara simbolike. Këto vepra synojnë të rishkruajnë historinë nga perspektiva e ideologjisë dominuese, të paraqesin problemet e modernitetit ashtu siç i shohin autoritetet (për shembull, të luftojnë kundër “kulakëve”) dhe të ndërtojnë një imazh pozitiv të kudondodhur të komunistit. Këto janë rastet më flagrante të legjitimimit të drejtpërdrejtë të pushtetit. Por dhe pas vitit 1990 pak është bërë për këtë, dhe madje ka shumë dilema të tjera, për disa arsye, të cilat janë shumë e shumë, e ne do ti trajtojmë më pas.

Për këtë e për shumë të tjera ne i drejtuam disa pyetje disa emrave të njohur të letrave shqipe anembanë territorit krijues shqiptar, pa parë aspektualitetin gjeografik dhe atë të ndarjes kufitare… Sot jemi me shkrimtarin e mirënjohur Ibrahim Kadriu.

 

 

 

Pyetje: -Do të filloj me botimet tuaja të fundit. Cila është gjëja më e rëndësishme që ideoet në librat tuaj? Kritaka dhe mediat theksojnë se këto botime përbëjnë një ngjarje të veçantë kulturore dhe letrare, duke ndriçuar më tej veprën tuaj me kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e poezisë, prozës, dhe kritikës shqiptare. Ju si mendoni me pak fjali?

 

Përgjigje: -E kam parim të mbështes mendimet e të tjerëve, të lexuesve të zakonshëm, por edhe të vlerësuesve profesionalë të cilët i qasen veprave të mia. Nga çdo vlerësim e mendim të të tjerëve – mësoj, bile edhe nga kritikat. Sidomos viteve të fundit kishte mjaft të interesuar për veprat e mia në poezi, por më shumë në prozë; kishte analiza, organizime debatesh, shfaqje të mendimeve të ndryshme, deri edhe në organizim të simpoziumit (siç ndodhi në Universitetin e Tetovës)  dhe të kontakteve të tjera ku u cilësua vepra ime si e veçantë. Unë, si autor, përball „duartroiktjeve“ ndaj vlerave të mia letrare, shpesh jam skeptik ndaj asaj që kam krijuar deri me sot, prandaj vazhdoj të krijoj vlera me synim që ato t'i tejkalojnë  të tashmet.

 

Pyetje: - Si duken sot me njëra-tjetrën letërsitë e krijuara në territoret e banuara me shqiptarë? Si e shihni Shqipërinë dhe letërsinë e saj nga disa kilometra larg, që në fakt nuk duhet konsideruar si largësi?

 

Përgjigje: - Në krahasim me do kohë kur vlerat letrare dallonin, dhe kur as që kishim mundësi të njihshim më mirë, sot, për fat të mirë, është heq ajo mjegull e dikurshme, janë shkri dallimet mes asaj që quhej  realsocialiste dhe, po e them kushtimisht – moderniste. Do të ishte jo serioze të vihen kufij në mes të territoreve të banuara me shqiptarë. E vërteta, unë nuk shoh dallim. Me hapjen e kufijve shoh se ka ardhur në shprehje edhe heqja e do farë dallimesh në konceptert e shkrimeve të letërsisë. Në Shqipëri është arritur mjaft në këtë drejtim dhe ajo që është kryesore vlerat letrare nuk dallojnë shkaku i kufijve. Dallojnë interesimet për afri sa më të mirë të krijuesve, përkatësisht të librave të tyre drejt lexuesit. Këtu e kam fjalën te shpërndarja e librit, derisa në Kosovë, fjala vjen, libri i autorëve të Shqipërisë është gjithkund ku duhet të jetë, domethënë në biblioteka dhe në libraritë. Kurse në Shqipëri (në libraritë e atjershme) vështirë të gjenden vlerat e autorëve jashtë kufijve të Shqipërisë. Unë nuk mund të di se ku i qëndron arsyaja, dhe as që mendoj se ka ndonjë arsye të theksuar

 

Pyetje: -  Si e shohin kolegët tuaj dhe studentët letërsinë shqiptare sot? A është dukshmëria e dëmtuar në ndonjë këndvështrim dypalësh?

 

Përgjigje: - E shohin me adhurim, shpesh edhe me adhurim tej mase, veç pse është letërsi shqiptare. Reflektimi i dëmit është, siç u shpreha në pyetjen e mësipërme, te mungesa e respektimit të vlerave letrare që krijohen jashtë kufijve të Shqipërisë. Ky konstatim është paksa i vrazhdtë. Lidhur me këtë temë rastin kur, para disa vitesh, në Panairin e librit në Tiranë, një botues nga Kosova kishte reaguar, sepse shtandi i tij ishte caktuar në vendin e pa vërejtur, ndërkaq sipas dëshmive të atyre që kanë qenë në Panair, paska reaguar Fatmir Toçi i cili paska thënë: - Kujt nuk i pëlqen – mund të kthehet...Unë pata shkruar për këtë rast flagrant duke akuzuar pikërisht Fatmirin, duke i thënë se në Prishtinë në panaire është i respektuar, mbase edhe librarinë e ka në vendin shumë të frtekuentuar...

 

Pyetje: - Meqenëse kombinoni perspektivën e një shkrimtari me emër, një studiuesi dhe kritiku letrar dhe një poeti të mirënjohur, a vini re ndonjë të metë të pakapërcyeshme në letërsinë shqiptare që përsëritet periodikisht në epoka të ndryshme?

 

Përgjigje: - Të metat e rastit, për arsye të një kompleksi apo tjetër, i shoh të kapërcyeshme, prandaj i konsideoj të pa regjistruara, si raste që do të humbin vlerën përballë bashkëpunimit të shkrimtarëve andej dhe këndej kufirit. Kjo e ka rëndësinë e vet, domethënë bashkëpunimi, qoftë ai edhe individual e që, për fat të mirë, ekziston në përmasa të mira.

 

Pyetje: - Çfarë mendoni për gjendjen letrare të sotme? A duhet fajësuar tranzicioni dhe e shkuara për diçka, për shembull?

 

Përgjigja: - Meqë po flasim për raportet në fushën e letërsis në përgjithësi, e jo veç në territorin e Shqipërisë, atëherë mund të them se gjendja letrare ka një avancim, sidoos në këto dy dekadat e fundit. Prurjet janë evidente, sado që në tranzicion krijimtaria sikur ishte e harruar në aspektin institucional. Ky aspekt do fajësim e që mund të lidhet me tranzicion, kohë kjo e cila nuk dihej se kush paguante, e kush hante...

 

Pyetje: -  Ju keni një seri prej katër librash rreth krijimtarisë shqiptare në vite. A rrjedhin këto vite, apo dekada, në njëra-tjetrën, apo ka ndarje të qarta midis tyre?

 

Përgjigje: - Sigurisht fjaën e keni për serinë e librave me titull “Buzëqeshje miqsh” e që, sivjet, u (ri)botua si libër me vete me 720 faqe. Në të janë përfshirë 53 figura të autoriteteve të fushave letrare, shkencore e kulturore. Janë këto figura  shumica e të cilëve kanë vdekur, por që kanë lënë gjumë të pashlyeshme dhe janë bërë modele për brezat në vazhdimësi. Reflekset e të përfaqësuarëve u takojnë dekadave që i lamë pas. Gjatë përfaqësimit të tyre, pa egzagjerime, gjithnjë e kisha parasysh që të portretohen individualitetet e respektuara duke i “shoqëruar” nëpër vite...

 

Pyetje - Meqë ra fjala, cila është dekada "më interesante" nga të katërtat?

 

Përgjigje: - Nuk ka dekada të ndara, derisa pasqyrimi bëhet nëpër vite, derisa portretimi bëhet me nyansa adekuade e profile të caktuara që definojnë kohën për të cilën flitet dhe rrumbullakon efektet që e “ngjeshin” portretin e cilësur e të përzgjedhur për “buzëqeshje”..

 

Pyetje: - Dhe a keni arritur në ndonjë përgjigje për pyetjen se si sqarimi letraro-historik balancon vlerën "e brendshme" të një vepre dhe mekanizmat për afirmimin e saj publik?

 

Përgjigja: - Pyetje interesante e cila kushtëzon përqëndrimin gjatë definimit. U përmend balancimi i vlerës së një vepre përmes sqarimit letraro historik. Në veprat e mia ekziston ai balancim dhe, kujtoj, pikërisht ai balancim ka ndikuar që këto vepra t bëhen të kërkuara nga lexuesit. Faktografisë histoike gjithnjë i kam ndejur afër, gjithënjë i kam shfrytëzuar kundërthëniet historike nëpër dekada, mbase edhe nëpër shekuj. Ajo faktografi është evidente dhe kur ajo bëhet pjesë e “frytit” letrar, e ka vlerën e posaçme. Lidhur me këtë po e përmend një historian i cili, duke e marrë si shembull romanin tim “Misioni rus” i cili pati tetë ribotime, madje u përkthye dhe u botua edhe frengjisht, turtqisht dhe kroatisht, më tha: - Edhe si kur t’i shkruaja njëqind libra historik, nuk do të isha aq i kuptueshëm si në romanin e juaj. Ai balancim letraro- historik (siç ndodh edhe në veprat tjera të mia) ka ndikuar në afirmimin publik.

 

Pyetje: - Meqenëse ju jeni mjaft i lidhur me Tiranën, dua të dëgjoj se si lidheni me idetë e kryeqytetit shqiptar të Shqipërisë dhe kryeqyetetit të Kosovës në letërsi dhe kulturë. Dhe gjithashtu: a ka ndonjë problem me rajonalizmin në jetën letrare sot?

 

Përgjigje: - Nuk shoh ndonjë problem, përkundrazi, kur flas në veten e parë mund të them se te dy kryeqytetet tona mrekullisht më intrigojnë. Për Prishtinën, ku jetoj, preokupimet i kisha, i kam dhe do të përpiqem t’iu mbështetem edhe më tutje, për aq sa më premton jeta. Ndërkaq, me idetë e kryeqatetit shqiptar të Shqipërisë jam i lidhur që nga viti 1972, vit i Kongresit të Gjuhës Shqipe ku isha pjesëmarrës, duke vazhduar me ndjekjen e të arriturave letrare e kulturore. Meqë ra fjala, më 1972 në një librari të Tiranës e gjeta një libër antologjik me përfaqësues nga Kosova, një libër botim i “Naim Frashërit” me titull (nga një poezi e Azem Shkrelit) “E di një fjalë prej guri”. Isha i përfaqësuar me tetë poezi. Nga “Naim Frashëri” qe botuar edhe romani “Pas kthimit” për të cilin (çuditërisht) pata marrë vesh pas një viti... Me Tiranën në vazhdimësi kam qenë i lidhur edhe në kohën e monizmit, por sidomos në kohën e pluralizmit kur jam nderuar edhe me çmimin e romansierit të vitit nga PEN qendra shqiptare.

 

Pyetje: - A mund të më jepni ndonjë këshillë, në fakt dy këshilla. Së pari, si mund të vazhdojmë gjatë një periudhe të tillë kur i kemi mundësitë të bëhemi një edhe në Letërsi, sikurse dhe në Gjuhë? Dhe së dyti, çfarë duhet të bëjmë pasi të shtrohet ideja publike për këtë qëllim?

 

Përgjigje: - Ne jemi një, pavarësisht botëkuptimeve të ndryshme të ndonjë egocnetriku(!) Shembulli më i mirë është marrëveshtja për Gjuhën, për normën gjuhësore e cila, në bazë të dakordimit të përbashkët, fitoi shtrirje gjithandej ku jetojnë shqiptarët. Jam shumë optimist që, edhe letërsia, do ta ketë fatin e shtrirjes si norma gjuhësore. Ideja publike për këtë qëllim besoj se do të kuptohet seriozisht dhe, natyrisht, edhe në letërsi do të jemi Një.

 

 

Kush është Ibrahim Kadriu?

 

Ibrahim Kadriu lindi më 8 janar 1945 në Zheger të Gjilanit. Shkollën fillore e ekreu ne vendlindje në vitin 1959 kurse atë të mesmen e mësuesisë në Gjilan me 1964. Studimet universitare i kreu në Prishtine, ai ka një opus të gjerë të krijimtarisë letrare mbi 40 vepra. Pas dy viteve të punës si pedagog, më 1968 ka filluar punën e rregullt të gazetarit në të përditshmen "Rilindja", gazetar e redaktor i kulturës dhe reporter i lirë. Në "Rilindje" i ka vazhduar puna gjer në dhjetor të vitit 1999 kur (në detyrën e redaktorit) kalon në të përditshmen "Zëri" ku edhe sot punon. Që nga fillimi i viteve të gjashtëdhjeta aktivisht merret me letërsi. Sot ai jeton dhe vepron ne Prishtinë.Gazetar dhe redaktor në gazetën Rilindja dhe tash redakton robrikën e kulturës në të përditshmën Zëri, Prishtinë. Shkrimtarë shqiptarë, anëtar i Pen Qendra e Kosovës (klubit) Prishtinë. Botime të tjera: Dhurata letrare, libër leximi për kl. VII(1987), shumë herë i ribotuar, "555 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1995), "444 arsye për të qeshur", libër me mahi, me pseudonim I. Karadaku (1997) .

Autor i përkthyer në gjuhë tjera: Pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut (poezi e fragmente prozash) janë botuar edhe në frëngjisht, gjermanisht, arabisht, rumanisht, turqisht, italisht, anglisht.

 

 "Koprena vremena" , serbokroatisht,

 "Lekovit izvor" roman (1982), botimi serbokroatisht (1987),

 "Na ramas timp pentru sarbatori" (S'mbet kohë për kremte),vëllim poetik në gjuhën rumune, Bukuresht, 2005.

 "Dreni dhe Drenusha", novelë, ilustracion shqip-norvegjisht, 2005;

Çmimet letrare

Për veprimtari letrare ka marrë mirënjohje të ndryshme, si:

Çmimin "Shtjefën Gjeçovi," për poezi,

Çmimin e nëntorit (të Prishtinës) për skenarin e serisë televizive ("I ikuri"), 1980 RTP, "Fidani", realizuar sipas romanit "Pas kthimit",

Çmimin e vendlindjes,

Çmimin "Agim Ramadani",

Çmimin vjetor “Ymer Elshani”,

Çmimin vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës

Dramatizimet dhe ekranizimi i romanit "Pas kthimit" Radio Tirana e ka realizuar edhe si radiodramatizim të cilin (në disa vazhdime) e ka emituar gjatë viteve të tetëdhjeta.

ë

 "Netët e Karadakut", poezi (1969);

 "Qyteti i luleve", tregime (1970),

 "Pranvera shikon nga bregu", vjersha (1972),

 "Diçka po ndodh", poezi (1972)

 "E lumi rridhte", novelë dhe tregime (1973),

 "Armendi", poemë (1974),

 "Pas kthimit", roman (1975), ribotoi "Naim Frashëri",(1985),

 Hapësirë bot. Rilindja, Prishtinë, 1977

 "Shpëtimtarët", novelë dhe tregime (1978),

 "Kohë e të korrave", roman (1979),

 "Troku" , poezi, (1980),

 "Kroi i ilaçit", Tregime (1980),

 Ethet e një dimri bot. Rilindja, Prishtinë, 1983

 Poezi (Veli i kohës) - (1984),

 "Zogjtë fluturojnë vetë", roman (1986),

 "Fjalori i mbrapsht", poezi, (1986),

 "Epoka në figura", roman (1987),

 "Nëna", novela, (1988),

 Tregime, përzgjedhje lektyre (1988),

 Pastaj harrohet bot. Rilindja, Prishtinë 1989

 "Më shumë se lojë", roman (1990),

 "Qerrja e dritës", roman (1990),

 "Loja e fundit", roman (1993),

 "Përrallorja", novelë dhe tregime (1996),

 "Vite me plagë", roman (1998),

 "Spirale muzgu", roman (2002),

 "Shqiptarja e gjithë botës", roman, ribotim i UEGEN-it, Tiranë, 2003,

 "Qerrja e dritës"; "Shtëpia e fantazmave",Ribotim i romaneve, 2004;

 Qeni me tenxhere", poemë, 2005,

 “Çuni i kohës së Lekës”, roman, (2006),

 “Frymëmarrje në shtjellë”, vëllim poetik (2007),

 “Kalorësi i Karadakut”, roman, (2007),

 “Në Vajhall” (dy vëllime), roman (2008),

 “Dy plus Dy”, dy drama dhe dy novela (2008).


Shënim sqarues:

 

Intervista është eksluzive për revistën „Albanian Post“ në Londër, dhe për www.fjalaelire.com Nuk lejohet as shpërndarja, as kopjimi dhe publikimi në rrjetet e tjera, mediume apo blogje, apo dhe në gazeta e revista. Nuk lejohet publiku i plotë në rrjetet sociale, përveç lidhjes tek origjinali. Në të gjitha rastet do të veprohet sipas ligjit.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page