top of page

‘Ndërtesa’ e krenarisë letrare të shkrimtarit Bardhyl Xhama


Bardhyl Xhama

‘Ndërtesa’ e krenarisë letrare të shkrimtarit Bardhyl Xhama



Pak kohë më parë shkrimtari Bardhyl Lame Xhamashfaqej në disa media me një shkrim rreth librit të shkrimtarit, Skënder Hasko, “Udhëtim nëpër vitet e jetës”, pa menduar se një ditë këto ‘udhëtime’ do të mbeteshin jo thjesht shënime. Kështu vlerësimet dhe mendimet për librin e Skënder Haskos, që u nda nga jeta kohë më parë, i rilexoja teksa sillja ndër duar “Zhytësit e vegjël” (2007) të shkrimtarit dhe publiçistit, Xhama, “Mësues i merituar”. Më tepër ndjeja edhe përkëdheljen stërgjyshërore për stërmbesën e tij, që shkrimtari e kishte fiksuar në një imazh të ndjeshëm miqësor në faqet sociale.

Dhe rilexoja qetësisht shembullin e dashurisë njerëzore, në një këndkryqëzim të ndërtesës dhe jetikës letrare të shkrimtarit Xhama. Teksa sillja ndër gishta librin e shkrimtarit, me njërin sy nga ‘dritarja’ kompjuterike e me tjetrin në faqet e shkrimit të cituar lexoja edhe ‘përlotjen’ e fshehtë të shkrimtarit teksa lexonte vargjet e Haskos (Skënderi shkroi për vdekjen e motrës, në moshë tepër të re):

“Kjo ikja jote, në zemër na sëmboi,

Çdo ditë pika gjaku na kullon,

Një pjesë e shpirtit tonë fluturoi,

Ajo pjesë shpirti qan e kurrë s’këndon...”

Dhe kështu ‘ikja’, jo thjesht si nocion, por ikja me tërë filozofinë e saj më shkundi edhe njëherë për të radhitur pak fjalë për penën e hershme të talentit Bardhyl Lame Xhama, që vjen që nga koha kur flisnin “Këndet Letrare...”


Ethet që ngjiznin “Këndet Letrare”


Nga koha e ‘mornicave’ me ethe që ngjiznin “Këndet Letrare”, apo edhe “Rrethet Letrare” të shkollave, duket se ka mbetur vetëm kujtesë. Kujtesë që të shkund. Një shkundje që pastron ‘oxhaqet’ zevzeke të kohërave që ‘tymosën’ letrat (pa)kusur, falë vlerave dhe (jo) vlerave socrealiste(?). Nga ajo kohë vjen natyrshëm qasja e talentit të Xhamës, që sillej në një hapësirë me penat që më vonë bënë emrin global të letrave shqipe, Agollit dhe Kadaresë. Ishin pikërisht ato çaste që ngjiznin në diapazonin krijues të autorit udhëjetën e nisur në Fterrë më 13 qershor 1933. Vite që rritën më pas njeriun e mirë, njeriun tipik që dinte të shumëzonte me zemërdashuri udhën drejt ngjitjes reale në jetë.

Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën 7-vjeçare dhe shkollën e mesme pedagogjike i përfundoi në Gjirokastër në vitin 1953 me rezultate të shkëlqyera. Po këtë vit emërohet mësues matematike në gjimnazin “Asim Zeneli”. Që nga viti 1954 deri në 1959 punon në arsim në Delvinë, si mësues, zëvendësdrejtor e drejtor shkolle tetëvjeçare e gjimnaz. Gjatë kësaj periudhe kryen studimet me korrespondencë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë.

Nga viti 1959 gjer në vitin 1964 punon në Sarandë si inspektor arsimi, nga viti 1964 deri në vitin 1969 është drejtor në gjimnazin “Hoxha Tahsin” të Sarandës. Në vitin 1969 transferohet në Tiranë si redaktor e më pas Sekretar Kolegjiumi i gazetës “Mësuesi”. Në vitin 1981 emërohet zëvendësdrejtor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe më 1982 fillon punën si Shef Sektori për Gjuhën dhe Letërsinë në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Në vitin 1989 del në pension.


Arsimtari i dashuruar me letrat shqipe


Si mësues e kuadër në arsim është shquar për përgatitje të lartë shkencore, metodike e drejtuese. Si gazetar e studiues ka shkruar me qindra shkrime e studime shkencore pedagogjike. Si shkrimtar ka botuar 11 libra artistikë për fëmijë, romane, novela, vëllime me përralla, vëllime me rrëfenja etj. Tetë nga veprat e tij janë nderuar me çmime në konkurset kombëtare të letërsisë për fëmije e të rinj. Ka shkruar mbi njëqind përralla e tregime ne organet e shtypit, pjesë për teatrot e kukullave, radiotregime e teletregime, radionovela, skenarë dokumentarësh televizivë etj. Ka dhënë ndihmesë të veçantë në “Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj”, së bashku me shkrimtarin tjetër Pandeli Koçi(alias Sazan Goliku), si nënkryetar i saj për një kohë të gjatë e përkrah emrave më në zë të letrave shqipe.

Ai mban shumë urdhëra e medalje dhe titullin “Mësues i Merituar”. Librat e tij “Lejleku me akullore” (1998); “Tre vëllezërit” (2003); “Ekspedita e kaltër” (2004); “Zhytësit e vegjël” (2007) e të tjera janë natyrisht një kolonë e pasur e vlerave Kombëtare në fushën e letrave.

Teksa ribotohej vëllim me përralla “Përrallat e detit”, i nderuar me çmim inkurajues në vitin 1975, nga Shtëpia Botuese “EXTRA” pas gati tridhjetë vjetësh, lexuesit e moshës që kishin shijuar stilin e shkrimtarit patën mundësinë të transmetojnë atë stil dhe ato vlera edhe tek brezi tjëtër. Fundja një letërsi e shëndoshë këtë kërkon. Dhe “Përrallat e detit” kështu morën udhëjetën e re të shkrimtarit që takonte lexuesit e tij në kohë, hapësirë e dimension tjetër lëvizjesh.


Leximi i shkrimtarit Xhama


Mediat dhe kritika shkruan menjëherë: “Autori ka bërë përmirësime te ndjeshme në këtë ribotim, duke ia ngritur nivelin artistik e gjuhësor, në përshtatje të moshës së nxënësve të cilëve u adresohet. Në këtë vëllim janë përmbledhur nëntë përralla mbi jetën interesante të kafshëve dhe të peshqve të botës së nënujshme, të deteve e oqeaneve.” Por nuk duhet harruar se “Vlera e këtij vëllimi të përmirësuar shtohet së tepërmi nga ilustrimet e goditura të piktorit të talentuar Llazar Taçi, nga cilësia e botimit të shtëpisë botuese, si dhe nga struktura e lëndës që përfshihet në të, si përmbajtja në fillim me ilustrimet e zvogëluara, përrallat, pasthënia, të dhënat e shkurtra për peshqit dhe aparatin pedagogjik në ndihmë të mësuesve e të nxënësve. Veçojmë faktin e përfshirjes në vëllim të aparatit pedagogjik ndihmës.. Libri është i përshtatshëm për nxënësit e klasave të treta e të katërta të shkollës fillore.”

Leximi i shkrimtarit Xhama është sa mes vlerave artistike e gjuhësore, aq edhe mes arsyes së mbrusur me karakter edukativ e shkencor. Krijimet e tij, të ardhura vitesh, mes një transferte të pasur e mjeshtërore, janë thurur në mënyrë të tillë ‘që të fitojë e mira ndaj së keqes’. Si një arsye që ka ushqye aestikën kontemporane të komunikimit të mesazhit, apo edhe mes gërshetimit mes motiveve reale me ato fantastike. Përmes tyre del në pah se bashkimi bën fuqinë, se trimëria e zgjuarsia dalin fitimtare, se bamirësia e miqësia janë virtyte me vlerë etj.

Kalimet nga realja në fatastiken mes arsye dhe qëllimit e bëjnë leximin e shkrimtarit Xhama një arsye më shumë në atë zinxhirr të gjatë vitesh që kthen vlerat Kombëtare gojore në artin e të shkruarit. Elementi artistik i arrirë i shkrimtarit Xhama tek “Lejleku me akullore” (1998); “Tre vëllezërit” (2003); “Ekspedita e kaltër” (2004); “Zhytësit e vegjël” (2007) nuk është vetëm veçori, por një shkollë më vete në fushën ku garimi i letërsisë për fëmijë është jo vetëm arsye por edhe një armë artistike për shembjen e miteve dhe mureve të ‘etërve’ që zaptuan faqet e lerave shqipe në kohë tjetër...

Një fakt tjetër është edhe romani “Në kthetrat e piratit” që i vendos ngjarjet e tij në vitet 1988-1989. Pirati i përshkruar në këtë roman nuk është personazh i shekujve të shkuar, por një pirat i ditëve tona, që ka braktisur shkollën dhe, duke qenë më i madh në moshë, tërheq në rrugën e krimit nxënësin rrëmujaxhi dhe përsëritës, Besnik Bregu. Kështu romani me stilin e kahershëm të autorit gjen vetvendosjen e qetë të tij në kornizën e qetë të vlerave, edhe pse ai qëmton ngeshëm në kohë, hapësirë e vend me një shigjetë të mprehur mirë nga ana didaktike. Edhe novela-përrallë “Tërfili me katër fletë”, është një arsye në stilin e qartë të shkrimtarit. Diskursi i motivuar i tij shtrohet mbi bazën e zhvillimit të ngjarjeve dhe është konceptuar dhe strukturuar nëpërmjet dhjetë rrëfimeve. Nga pikëpamja tipologjike, rrëfimi i krijimit është qasje e plotë e ndërtimit dhe e modelimit të përrallave tona popullore. Xhahid Bushati sqaron se kjo vepër e autorit ‘shoqërohet me një parathënie që titullohet: “Vështrime për vlerat ideoartistike të novelës-përrallë “Tërfili me katër fletë” me autor Prof. Doktor Jakup Mato, kritik letrar; si dhe në fund me një aparat pedagogjik në ndihmë të mësuesve dhe të nxënësve.”


Bardhyl Xhama nuk është ‘kryeneç’ folklori


Por dua të theksoj se shkrimtari Bardhyl Xhama nuk është ‘kryeneç’ folklori, edhe pse diku ai citohet si mëkëmbës i folklorizmit, të cilin e citon Rexhep Qosja, por është vetë elementi i qashtër i këtij arti të fjalës që transmetohet mes vlerave të shkrimit e të mesazhërimit me plot filozofi.

Dhe filozofia e tij ëhtë vetë udhërrugëtimi jetik, vetë përkushtimi, dashuria dhe miqësia e njeriut shkrimtar për njeriun, edhe për kolegun e shkrimtarin...

Le të rikthehemi pak aty ku e nisëm, me shkrimin për kolegun dhe mikun e tij Skënder Hasko, për të kuptuar më mirë njeriun që fshihet tek ky emër nderi i letërsisë shqipe. Më saktë tek ditët që pasuan ikjen e Haskos, pasi siç u shpreh shkrimtari dhe miku i ngushtë i të ndjerit Skënder Hasko, Bardhyl Xhama, “Fjalën e lamtumirës, ma dorëzoi dy ditë përpara se të mbyllte sytë”. Ky ishte amaneti i kolegëve të letrave, loti i patharë i ‘lamtumirës’ që padyshim fshihet për të bërë detyrën edhe mes letrave plot vlerë të opusit letrar të shkrimtar Bardhyl Xhama, me të njëjtën vlerë dhe mirrënjohje. Për të gjitha këto, ashtu siç është shprehur edhe shkrimtari ynë i madh, Dritëro Agolli, “Bardhyl Xhama ka dhënë një kontribut të shquar në lëmin e letërsisë për fëmijë, që nga libri i parë “Përrallat e detit” e deri te libri i fundit, dhe me librat e tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndezjen e fantazisë së fëmijëve”. Kështu kolona e tij letrare e ka merituar vendin që zë në letrat shqipe. Ne ndjejmë krenari mes kësaj ‘ndërtese’ letrare.

Dhe vërtet këtë krenari e dyfishojmë mes memorjes që na japin krijimet e autorit Bardhyl Xhama. Memorja kulturore e trashëgimit të vlerave gojore, në një kënd letrar të mirëfilltë është dhe mbetet edhe një shqetësim real. Shqetësimi i përgjithshëm i kësaj arsyeje është për të gjetur një traditë të Artit të Kujtesës, si fillesë adekuate, rreth së cilës të agravohen faktorët realë të nënndarjes prozaike, përrallës, rreth një ‘gjuhe universale’ që sqaron në mënyrë të qartë andarjen folkloristike, ku mjaft kritikë apo krijues shpesh konfuzohen. Më konkretisht, argumentat e mia synojnë të veprojnë në dy fronte. Në njërin që puqet me ‘fatet’ e kësaj krijimtarie në trendin letrar Kombëtar shqiptar, dhe tjetri në anën me të cilën dalloj krijimtarinë e shkrimtarit Xhama. Ëalter Benjamin vjen në ndihmë kur thekson se “Memorja nuk është një instrument për vrojtimin e fundit, por teatër i këtij fundi. Ajo është medium i përvojës së kaluar, ashtu si është toka, në të cilën qëndrojnë varrosur qytete të vdekura. Ai që kërkon të varrosë vetë të kaluarën e tij sillet si një gërm-kufomë njeriu.” (“Fëmijëria”; Berlin: 1900). Kështu e gjithë krijimtaria e shkrimtarit Xhama është një memorje e llojit të saj, mes së cilës ne lexojmë ndërlidhjen e vlerave të shkruara e të transmetuar mes përrallave.


Konkluzion


Arti i kujtesës së këtij shkrimtari është bazuar mbi prurjet e ardhura në ndjesinë e tij tradicionalisht mes një strukturë të imazheve në një trup të dijes që lind nga arsyeja dhe është gjithmonë në nevojë të (ri)organizimit mes kujtesës. Dihet se deri në kohën e romakëve, kujtesa ishte e njohur gjerësisht si një nga pesë pjesët e retorikës së lashtë. Ciceroni kujton historinë e pallatit Simonides mes kujtesës në De Oratore dhe imazhet e gjërave ndihen vetvetiu teksa shënojmë gjërat vetë, dhe ne riprodhojmë vendet dhe imazhet respektivisht. Kështu është edhe me krijimtarinë e Xhamës, edhe pse nocioni historik është faktor anësor në memorjen kulturore të tij. Kështu tradita gojore e rrëfimit kulturor Kombëtar ndjehet mirë në strehën e një ‘traktati’ të panënshkruar në godinën letrare të shkrimtarit ku alegoria e maturisë portretizon mjaft ndjeshëm.


19 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page