Fatmir Terziu: Riorganizimi që duhet përshëndetur
- 1 hour ago
- 3 min read

Më kujtohet një bisedë në Labinot të Elbasanit me Dinin, djalin e shkrimtarit të madh elbasanas Et’hem Haxhiademi, në prani të bashkëshortes së tij Dhuratës dhe time shoqe Luçianës, ndërsa ishim të ftuar për një drekë respekti, miqësore prej tij. Ishte një nga ato biseda që të mbeten gjatë në kujtesë, sepse nuk lidhen vetëm me një njeri, apo një kohë, por me vetë fatin e kulturës shqiptare. Dini më tregonte se e ëma i kishte rrëfyer se i ati nuk kishte fjetur për javë të tëra në vitet kur u bashkuan Lidhja e Shkrimtarëve dhe Lidhja e Artistëve në një organizëm të vetëm kulturor. Nuk ishte thjesht shqetësimi për një institucion. Ishte ankthi i një krijuesi që e kuptonte se arti dhe letërsia nuk jetojnë vetëm me talentin individual, por edhe me frymën që krijojnë institucionet ku mblidhen njerëzit e mendimit dhe të shpirtit. Teksa e dëgjoja Dinin, më dukej sikur ato fjalë vinin nga një kohë e largët, por çuditërisht tingëllonin shumë aktuale edhe sot, pas riorganizimit të Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe zgjedhjes së Dr. Mujo Buçpapaj në krye të saj. Edhe sot ka zëra, diskutime, rezerva dhe pritshmëri. Ka njerëz që e përshëndesin këtë hap dhe të tjerë që e shohin me dyshim. Por kjo është e natyrshme për çdo organizatë që ka peshë historike dhe morale në jetën kulturore të një kombi.

Në fund të fundit, kjo lidhje ka qenë aty gjatë gjithë këtyre dekadave. Emrat kanë ardhur e kanë ikur, kryesitë janë ndërruar, rrymat dhe bindjet kanë ndryshuar, por institucioni ka mbetur si një simbol i përpjekjes për të mbajtur të bashkuar botën krijuese shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, riorganizimi i saj nuk duhet parë me mllef apo me ndarje, por si një mundësi për reflektim dhe ringritje. Historia e Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë është në vetvete historia e kulturës moderne shqiptare. E krijuar fillimisht më 1945 si Lidhje e Shkrimtarëve dhe më pas e bashkuar me Lidhjen e Artistëve në Kongresin e vitit 1957, ajo mblodhi rreth vetes emra që përbëjnë themelet e mendimit dhe artit shqiptar, Fan Noli, Sejfulla Malëshova, Lasgush Poradeci, Dhimitër Shuteriqi, Et'hem Haxhiademi, Dritëro Agolli, Sterjo Spasse e shumë të tjerë. Ajo nuk ishte vetëm një organizatë administrative, por një tribunë ku arti dhe letërsia shqiptare gjenin zërin e tyre publik.
Sigurisht, historia e saj nuk ka qenë pa plagë. Regjimi totalitar kufizoi rëndë lirinë e mendimit dhe krijimit, ndërsa shumë autorë u heshtën, u censuruan apo u përndoqën. Megjithatë, edhe në ato rrethana të vështira, talenti shqiptar arriti të krijojë vepra që mbijetuan përtej ideologjisë dhe kohës. Pas viteve ’90, sfidat ndryshuan formë, politizimi, fragmentarizimi, mungesa e fondeve dhe humbja graduale e ndikimit publik e dobësuan institucionin. Megjithatë ai vazhdoi të mbetet simbolikisht një shtëpi e përbashkët e krijuesve shqiptarë. Prandaj riorganizimi i sotëm duhet parë si një përpjekje për ta rikthyer këtë institucion në rolin që meriton. Nuk ka rëndësi vetëm emri i kryetarit apo përbërja e kryesisë. Më e rëndësishme është fryma që do të ndërtohet. A do të rikthehet meritokracia, debati estetik, promovimi i talenteve të reja dhe pavarësia nga ndikimet politike? Kjo është pyetja thelbësore.
Meritojnë respekt ata që morën përsipër ta riorganizojnë këtë organizatë në një kohë kur arti dhe letërsia shpesh mbeten në periferi të vëmendjes publike. Në një epokë të dominuar nga zhurma mediatike dhe konsumimi i shpejtë i gjithçkaje, mbajtja gjallë e një institucioni kombëtar të krijuesve është një sfidë më vete. Suksese Dr. Mujo Buçpapaj dhe gjithë Kryesisë së re. Por mbi të gjitha, suksese vetë frymës së krijimit të lirë. Sepse në fund të fundit, shkrimtari mbetet gjithmonë vetvetja. Ai mund të jetë pjesë e një organizate, ose jashtë saj, mund të duartrokitet, apo të kundërshtohet, por vlera e tij e vërtetë matet me veprën që lë pas. Institucionet ndryshojnë, debatet zbehen, emrat ndërrohen, ndërsa arti i mirë mbetet gjithmonë dëshmia më e fortë e kohës së vet.








Comments