Fatmir Terziu: Faleminderit “Fan S. Noli” Korçë, por…
- 2 hours ago
- 2 min read

Fatmir Terziu: Faleminderit “Fan S. Noli” Korçë, por…
Studimi voluminoz “Lente të ndërveprimit simbolik” ka për autor Prof. Dr. Zyhdi Dervishi dhe ai u ofron lexuesve të tij një shumëllojshmëri interpretimesh të simbolikave, me një kuptueshmëri të lartë gjuhësore, ku çdo faqe e librit të shpie aty ku nuk e ke menduar më parë. Por tani këto simbolika më duket se na shpien drejt një pyetjeje tjetër, më të thellë dhe më të dhimbshme: a dimë ende ne si shoqëri të lexojmë vlerën kur ajo ndodh përpara syve tanë?
Kjo pyetje m’u rikthye natyrshëm kur mora vesh se Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës organizoi më 13 maj 2026 një diskutim krijues për gjashtë vëllimet poetike të Prof. Dr. Zyhdi Dervishit. Ishte një lajm që në çdo vend normal do të kishte qenë kryefjalë e mediave kulturore, një ngjarje që do të hapej me respekt në ekranet televizive dhe në faqet e gazetave. Sepse nuk ndodh çdo ditë që universiteti shqiptar të ndalet me seriozitet akademik për të analizuar poezinë filozofike dhe psikologjike të një autori që prej dekadash ndërton mendim.
Në këtë veprimtari mbajtën kumtesa Prof. Asc. Dr. Jonela Spaho, dekane e Fakultetit, Prof. Asc. Dr. Eris Rusi, Prof. Dr. Irena Nikaj dhe Dr. Ilir Shyta. U recituan poezi, u interpretuan metafora, u diskutuan dimensionet njerëzore dhe filozofike të krijimtarisë së autorit. Dhe vetëm ky fakt mjafton për të kuptuar se Korça vazhdon të mbetet një nga qytetet ku kultura ende nuk trajtohet si dekor, por si identitet.
Zyhdi Dervishi është nga ata autorë që nuk mund të lexohen me nxitim. Ai nuk shkruan për të prodhuar emocion të çastit, por për të zgjuar mendimin. Në poezinë e tij bashkëjetojnë sociologu, filozofi dhe njeriu që vëzhgon dramën moderne të individit. Ai depërton në psikologjinë e kohës sonë, aty ku vetmia është bërë më e madhe se turma dhe ku njeriu shpesh humbet mes simboleve që vetë ka krijuar.
Prandaj aktiviteti i Universitetit “Fan S. Noli” kishte më shumë se vlerë akademike. Ai ishte një akt kulture. Një kujtesë se universiteti nuk duhet të jetë vetëm vend diplomash, por edhe laborator mendimi. Ishte një mesazh se libri ende mund të jetë qendër e dialogut intelektual.
Por… pikërisht këtu nis shqetësimi. Pse ngjarje të tilla kalojnë pothuajse në heshtje? Pse kultura serioze nuk arrin të zërë vendin që meriton në jetën publike shqiptare? Në ekranet tona shpesh triumfon zhurma, ndërsa mendimi mbetet në periferi. Promovohen figura kalimtare, ndërsa intelektualët që ndërtojnë identitet kulturor trajtohen me indiferencë.
Dhe ndoshta këtu simbolikat e Zyhdi Dervishit bëhen më aktuale se kurrë. Ato na çojnë drejt pasqyrës sonë shoqërore. Na tregojnë se një komb nuk varfërohet vetëm ekonomikisht. Ai varfërohet edhe kur humbet aftësinë për të respektuar mendimin, librin dhe krijuesit e tij. Ndaj, faleminderit Universitetit “Fan S. Noli” Korçë për këtë veprimtari dinjitoze. Faleminderit pedagogëve që i dhanë poezisë vendin që meriton. Por le të mos harrojmë, kultura nuk mbijeton vetëm duke u krijuar. Ajo mbijeton duke u vlerësuar.














Comments