Namik Dokle: BOTOHET PËR HERË TË PARË NË SPANJË “ EPIKA LEGJENDARE SHQIPTARE”
- 2 hours ago
- 2 min read

BOTOHET PËR HERË TË PARË NË SPANJË “ EPIKA LEGJENDARE SHQIPTARE”
Para pak ditësh u botua në Madrid “Epika Legjendare Shqiptare” (Eposi i kreshnikëve), nga shtëpia botuese “Libros de las Malas Compañías”, me botuese Ana Cristina Herreros. Ky libër botohet për herë të parë në Spanjë dhe përmban 30 këngë kreshnikësh dhe 20 balada, të përzgjedhura dhe të përkthyera nga María Roces González, me ilustrime nga piktori i njohur shqiptar Gazmend Leka. Botimi i kësaj vepre është kurorëzim i një projekti të nisur që në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, inicuar nga përkthyesi i shquar Ramón Sánchez Lizarralde, për botimin e disa antologjive me këngë popullore, legjenda, përralla, tregime të moçme dhe të Epikës legjendare shqiptare. “ Hapësira më e veçantë dhe më e ndritshme e letërsisë gojore shqiptare,- shkruante Lizarralde, - përbëhet, pa dyshim, nga epika, mbi të gjitha, nga i ashtuquajturi Eposi i Kreshnikëve apo Cikli i Mujit dhe Halilit, një monument i vërtetë…”

Këto 50 poema epike përshfaqin pasurinë e eposit shqiptar të kreshnikëve si dhe traditën e lashtë gojore për ta ruajtur të gjallë e të paharruar këtë pasuri të jashtëzakonshme të kulturës shpirtërore të popullit shqiptar.
Epika legjendare shqiptare, frut i një kulture popullore, dikur shumë pak të njohur në botën perëndimore, përveç një grushti albanologësh, dhe i një gjuhe të vështirë por mahnitëse, e familjes indoeuropiane, por me trung unik, ka mbijetuar dhe ka rezistuar në shekuj, edhe pse në hije dhe shpesh e kërcënuar me mohim apo harresë. Cikli epik shqiptar, thekson botuesi, është një monument i vërtetë dhe i pavdekshëm letrar, etnologjik dhe historik që evokon shpirtin liridashës të njerit prej popujve më të herëshëm të Europës.
Siç thekson përkthyesja María Roces, këto këngë, të mbledhura e të publikuara që në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, nga françeskanët Bernardin Palaj dhe Donat Kurti, si këngë kreshnikësh, këngë të moçme ose këngë lahute, përbëjnë thesarin më të çmuar të gjuhës, të shprehjes së gjallë të tipareve, të karakterit dhe të vlerave kombëtare shqiptare.
Libri i ofrohet lexuesit në të dy gjuhët, shqip dhe spanjisht, në një botim luksi, i realizuar nën kujdesin e drejtpërdrejt të botueses Ana Cristina Herreros, e cila, prej vitesh ka shfaqur interes dhe ka botuar libra të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Tashmë, ky libër me vlerë të veçantë gjendet në Bibliotekën Kombëtare dhe në biblotekën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.








Comments