Fatmir Terziu: Trauma - tingujt e përditësisë

(Një sfilatë për soprano dhe piano takash)
Mësova për koncertin e ardhshëm nga një mik dhe nxitova të hapja faqen e internetit, për të parë nëse kishin mbetur bileta në vende të mira. Ishte dita e parë e korrikut, por faqja më priti papritur me një sezon muzikor të një kohe tjetër. U habita. Kohët e fundit, në media dhe në jetën e përditshme, duket sikur bombardohemi me gjeste elokuente që kërkojnë rikthimin fitimtar të së kaluarës komuniste. Fillimisht në mendimet tona, pastaj në realitetin tonë. Vetëm pak ditë më parë, unë dhe miku im Festimi folëm gjatë në telefon për këtë. Ai ishte sinqerisht i shqetësuar. “Makineria e kthimit të komunizmit është vënë në lëvizje”, më tha. “Dhe qëllimi i saj është të na shkatërrojë përfundimisht shpirtërisht.” U drodha përpara ekranit.
Për një çast u gjenda te “Tundimi i Shën Antonit” i Flaubertit. Vepra që miqtë e tij e kishin gjykuar të denjë për t’u hedhur në zjarr, por që vetë Flauberti, në vitin 1874, e quajti “vepra e jetës sime”. Ndoshta prandaj ajo është parë si një lloj “Summa Theologiae” e tij. Realiteti bashkëkohor më bëri të ndihesha sikur isha brenda asaj vepre, nën tundime dramatike, duke e parë jetën time nga ana, sikur të ishte trillim. Duke ndier se, në fund të fundit, gjithçka është letërsi. Edhe një grimcë pluhuri si unë është letërsi. Pastaj kujtova librin e intervistave të Joseph Brodskyt, “Ndarja nga vetja”. Befas m’u duk se po shihja botën pa praninë time. Jo vetëm vogëlsinë dhe hiçin tim, por edhe diçka shumë më të madhe se unë. Në programin muzikor në ekran, viti 1968 sapo kishte ndodhur, festivali ishte zhvilluar, tanket sovjetike kishin ngrirë Pranverën e Pragës. Ndërsa unë, i lindur në vitin 1964, isha ende larg. Çfarë çlirimi ishte të shihja botën para egos sime të vogël njerëzore.
Por kjo ishte veç një udhëtim nëpër kohë, muzikor, i përzgjedhur me kujdes. Muzika arrinte t’i sillte publikut modern tingujt e së kaluarës dhe, përmes tyre, ta bënte të shihte aktualitetin politik me sytë e klasikëve. Na ftonte të distancoheshim nga përvoja jonë, të dilnim nga lëkura jonë. Dhe këtu lind pyetja: si dilet nga lëkura e vet? Përmes zemërimit apo përmes heshtjes së përulësisë? Përmes “muzikës së rastësisë”, apo përmes “muzikës së jetës”?
“Muzika e Rastësisë” është romani i Paul Austerit, botuar në Amerikë më 1990. E hasa rastësisht, ose, më saktë, në një mënyrë që më bindi se rastësia ndoshta nuk ekziston. Në një lexim letrar të organizuar nga biblioteka e qytetit tim të lindjes, na ftuan të zgjidhnim libra dhuratë. Kur pashë romanin e Austerit, nuk hezitova. E mora dhe e lexova me një frymë. Më vonë ia dhurova një miku, i cili më dha një roman të Siri Hustvedtit. Por Austeri kishte mbetur tashmë brenda meje. Nuk mund ta harroja atë roman për lakminë, marrëzinë dhe mizorinë njerëzore; për dy personazhe që, duke besuar se luftojnë për lirinë e tyre, marrin pjesë në ndërtimin e mungesës së saj. Muri që ata ndërtojnë është muri i frikës, burgu i tyre. Është jehona e Murit të Madh të Kinës, Murit të Berlinit, Murit të Vajtimit, dhe, mbi të gjitha, Murit të Vdekjes. Një kulturë e kthyer kundër vetes, e cila në lakminë e saj prodhon muret që më pas e robërojnë. Por përtej “muzikës së rastësisë” ekziston “muzika e jetës”. Herët a vonë, çdo njeri përballet me çastin e zgjedhjes: Çfarë dua vërtet? Kush jam? Ku po shkoj? Quo vadis, Zot? Ndoshta askush nuk mund ta dëgjojë muzikën e jetës pa e njohur më parë zhurmën e rastësisë. Ne lindim prej saj, por gjatë jetës mësojmë ta mbysim brenda vetes, t’i mbyllim veshët ndaj saj. Romani i Austerit ishte një tullë në murin e mungesës sime të lirisë, mur që e kisha ndërtuar për vite me radhë, me marrëzi dhe kokëfortësi. Por pas tij, muri filloi të shkërmoqej. Në çastin kur kuptova tmerrin dhe pashë zgjedhjen time njerëzore, u dorëzova. Kapitulova.
Dhe atëherë pashë dritën. Atëherë dëgjova muzikën e jetës. Trauma nuk vjen gjithmonë si një klithmë. Shpesh ajo jeton në tingujt e përditësisë, në një faqe interneti, në një kujtim, në zërin e një miku, në heshtjen pas një bisede. Ajo është sfilata e padukshme e kohës sonë, për soprano dhe piano takash.








Comments