top of page

Ndue Perlala: E JETA KA LIGJET E VETA

14 minutes ago
2 min read


– Skicë letrare –

Nga Ndue Perlala

Që kur kam ardhur në Londër, falë predispozicionit të dashamirësve të librit, më është dhënë mundësia të bëj disa promovime librash të rinj, në formën e një takimi festiv, ku disa prej lexuesve më kanë ndjekur vazhdimisht, me gjithë dashamirësinë e tyre.

Njëri prej tyre ishte edhe Gjon Pjolla, një nga miqtë e mi të afërt dhe shumë dashamirës. E njoha në një kurs anglishteje në Wood Green. Ishim të gjithë shqiptarë, nga zona të ndryshme të vendit, por edhe mësueset i kishim shqiptare. Aty zumë shoqëri dhe ai më lexonte edhe shkrimet e mia.

Më pëlqente të bisedoja me të dhe të njihja zakonet e traditat e kësaj krahine, që unë e kisha fort për zemër. Në atë kohë i bëra një poezi kushtuar atij, “Një kafe me Gjonin”, e cila u botua në njërin prej vëllimeve të mia poetike. Aq më tepër që Mirdita me Dukagjinin njihen si vëllezër, siç thuhet e këndohet edhe në këngët me çifteli.

Kjo miqësi nuk vazhdoi gjatë, pasi para disa muajsh ai u sëmur. Fillimisht nga stomaku dhe më pas, javët e fundit, pësoi paralizë. Shumica e shokëve dhe shoqeve të kursit shkuam ta vizitonim edhe në spital.

Ishte në gjendje të rëndë, sidomos gjatë javës së fundit, por ai nuk ankohej. Bashkëshortja e tij, një bijë soji dukagjinase, i rrinte tërë kohën mbi kokë dhe, bashkë me të, si tri zana bjeshke, ishin edhe tri vajzat e tij, që ai i donte dhe e donin fort.

Herën e fundit, para pak ditësh, qëndrova disi më gjatë në dhomën e spitalit të tij dhe kuptova se shpresat ishin të vogla. Por unë nuk doja të më ikte ky burrë fisnik, malsor i Dukagjinit, që kuvendonte me urti dhe që fjalën nuk e hidhte kurrë kot.

Dhe unë bëra përsëri një tjetër poezi: “U baftë mrekullia”, të cilën e publikova në rrjetet sociale, me dëshirën dhe shpresën njerëzore e vëllazërore për ta pasur përsëri në mesin tonë; sepse vëllazëria dhe familja janë shtylla e shtëpisë.

Dhe sot në mëngjes mësova nga familja e tij se Gjoni na la.

Nuk dua ta besoj.

Por jeta ka ligjet e veta.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page