Ndue Perlala: DËSHMIA E TË NJËZETË E PESTËS

- Tregim i vërtetë -
Sheqeria u ngrit herët atë mëngjes të mbrapshtë dhe, sa i kaloi një fshesë oborrit, pa u ngritur gjindja, shkoi të merrte dy kovat për t’i sjellë me ujë nga lumi. Pasi i kërkoi një copë herë, mbase dikush i kishte lëvizur nga vendi ku ajo i linte zakonisht, i gjeti në një cep, diku të përmbysura, dhe u nis t’i mbushte me ujë.
Megjithëse sapo ishte ngritur, ajo donte t’u dilte punëve përpara dhe, tani që gjindja po flinte, po merrej me vajgjelimin e gjësë së gjallë, e cila në atë fshat të largët të komunës së Prizrenit ishte një pasuri që ushqente familjen.
Së bashku me terrin e natës po largohej edhe mjegulla që ishte e zakonshme në shoqërimin e lumit.
Era e luftës ndjehej ngado në krahinën e tyre dhe në gjithë Kosovën që serbi e quante të tijën. Ngjarje të kobshme bëheshin përditë.
«Kaloi edhe një natë», mendoi ajo, pa iu trazuar rehatia nga shkau, dhe mori kovat për t’u nisur nga shtëpia. Por, në çast, pa forca ushtarake të armatosura që po nxitonin për të rrethuar shtëpinë.
Atëherë ajo uli kovat, i derdhi dhe i hodhi në një gemushë aty pranë.
Shkijet u futën brenda dhe i nxorën të gjithë, duke i rreshtuar njëri ngjitur me tjetrin: fëmijë, gra e burra.
Filluan t’i komandonin të bënin ulje-ngritje. Ishte një pamje tragjikomike, të cilën ajo po e përjetonte me ankthin e një gruaje.
I zoti i shtëpisë, një burrë i vjetër, të cilit vitet ia kishin zbardhur kokën, nuk arriti të bënte më tepër se një dhe njëri nga udbashët e vrau ashtu, thjesht, në sytë e njëzet e tre shpirtrave të tjerë.

Në rresht ishte edhe Ganiu, i shoqi i Sheqeres, që po ndiqte këtë operacion gjenocidi bashkë me familjen e shtëpisë së saj. Ganiu ishte i dobët nga trupi dhe mbante vazhdimisht ilaçe me vete, siç e kishte porositur doktori.
Udbashi iu afrua dhe, në gjuhën serbe, i tha me ironi se edhe ajo mungonte, por ata e kishin metodë të kahershme poshtërimin, sidomos të racës shqiptare: «Me ty nuk ia vlen të harxhoj fishekë». Pastaj e goditi me qytën e automatikut me gjithë forcën e tij, duke demonstruar një nga mënyrat e luftimit që kishte përvetësuar në mënyrë shembullore në fushat speciale të stërvitjes për luftim trup më trup. Veçse këtu ai nuk ishte në mënyrë ekuivalente, pasi tjetri ishte i paarmatosur.
Ganiu u përplas për tokë, duke nxjerrë një klithmë therëse, thua se po u lëshonte kushtrimin banorëve të tjerë të fshatit.
Kështu mbetën njëzet e dy shpirtra të tjerë, që u shuan nga dora gjakatare e makinës gjenocidale serbe, me një breshëri automatiku nga prapa.
Sheqeria, tashmë me ndihmën e maskimit të shkurreve gjelbëruese që vishnin bregun e zallit, u drejtua në drejtimin nga lëvizte lumi dhe gjeti një makinë me karroceri boshe. Pa pyetur as se ku shkonte dhe as të kërkonte leje për të hipur, u gjet në karrocerinë e saj dhe, pas një rruge të lodhshme, si nëpër filma, e gjeti veten në qytetin e Kukësit, tashmë në Shqipërinë nanë, pa frikë për jetën, por e dëbuar nga trojet e shtëpisë së saj në mënyrën më çnjerëzore.
Ganiu, pas ndonjë ore që kishte rënë pa ndjenja, e pa veten në mesin e gjithë atyre trupave pa jetë.
Ashtu, me mundime, filloi t’i fuste kufomat në shtëpi. Një vesë shiu filloi të binte. Pasi futi disa prej tyre, njëri nga fëmijët e xhaxhait të tij, pesëvjeçar, edhe ai përmendej, si duket, i kishte shpëtuar kësaj çfarosjeje.
- Të lutem, xhaxhi Ganiu, më sill pak ujë! - kërkoi ai me ngulm, me një zë që dukej se edhe zëri po digjej nga mungesa e ujit.
- Tani! - u tregua i gatshëm Ganiu dhe u sul të sillte ujë, por, kur erdhi, fëmija kishte mbaruar.
Atëherë u kujtua se futja e kufomave brenda ishte e kotë, pasi tani ato ishin kthyer në shpirtra të vdekur dhe nuk dëgjonin gjë.
Pas pak mori rrugën, duke u bashkuar me turmat, dhe arriti edhe ai në Shqipëri. Në qytetin e Beratit gjetën njëri-tjetrin.
Por nuk jetoi gjatë, sepse goditja e udbashit serb kishte bërë efektin e saj. Pas gjashtë vitesh humbi logjikën dhe u largua edhe ky nga jeta.
U mësua më vonë se, me të njëjtën metodë, atë ditë kishin vepruar edhe te nëntë familje të tjera në atë fshat.
Kjo, pra, ishte edhe arsyeja që u formua UÇK-ja. Çfarë arsyeje tjetër më madhore duhej që të goditej nga forcat e NATO-s kjo makinë luftarake makabre?
Dhe sot pritet fati i drejtuesve të UÇK-së, i atyre djemve e burrave dardanë që luftuan gjenocidin, poshtërimin dhe zhdukjen e një etnie, përballë zellit të papërmbajtur të atyre forcave gjakatare.
Këtë po e ndaja me mikun tim Metin, vëllain e Sheqeres, e cila mbeti e vetmja dëshmitare nga njëzet e katër të tjerët që mbetën të gjallë.
E çfarë dëshmie tjetër do Haga?
Natyrshëm vjen pyetja: A ka Zot?
Drejtësia e Tij gjykoftë!








Comments