‘Ndërtesa’ e krenarisë letrare të shkrimtarit Bardhyl Xhama


Bardhyl Xhama

‘Ndërtesa’ e krenarisë letrare të shkrimtarit Bardhyl Xhama


Dr Fatmir Terziu


Pak kohë më parë shkrimtari Bardhyl Lame Xhamashfaqej në disa media me një shkrim rreth librit të shkrimtarit, Skënder Hasko, “Udhëtim nëpër vitet e jetës”, pa menduar se një ditë këto ‘udhëtime’ do të mbeteshin jo thjesht shënime. Kështu vlerësimet dhe mendimet për librin e Skënder Haskos, që u nda nga jeta kohë më parë, i rilexoja teksa sillja ndër duar “Zhytësit e vegjël” (2007) të shkrimtarit dhe publiçistit, Xhama, “Mësues i merituar”. Më tepër ndjeja edhe përkëdheljen stërgjyshërore për stërmbesën e tij, që shkrimtari e kishte fiksuar në një imazh të ndjeshëm miqësor në faqet sociale.

Dhe rilexoja qetësisht shembullin e dashurisë njerëzore, në një këndkryqëzim të ndërtesës dhe jetikës letrare të shkrimtarit Xhama. Teksa sillja ndër gishta librin e shkrimtarit, me njërin sy nga ‘dritarja’ kompjuterike e me tjetrin në faqet e shkrimit të cituar lexoja edhe ‘përlotjen’ e fshehtë të shkrimtarit teksa lexonte vargjet e Haskos (Skënderi shkroi për vdekjen e motrës, në moshë tepër të re):

“Kjo ikja jote, në zemër na sëmboi,

Çdo ditë pika gjaku na kullon,

Një pjesë e shpirtit tonë fluturoi,

Ajo pjesë shpirti qan e kurrë s’këndon...”

Dhe kështu ‘ikja’, jo thjesht si nocion, por ikja me tërë filozofinë e saj më shkundi edhe njëherë për të radhitur pak fjalë për penën e hershme të talentit Bardhyl Lame Xhama, që vjen që nga koha kur flisnin “Këndet Letrare...”


Ethet që ngjiznin “Këndet Letrare”


Nga koha e ‘mornicave’ me ethe që ngjiznin “Këndet Letrare”, apo edhe “Rrethet Letrare” të shkollave, duket se ka mbetur vetëm kujtesë. Kujtesë që të shkund. Një shkundje që pastron ‘oxhaqet’ zevzeke të kohërave që ‘tymosën’ letrat (pa)kusur, falë vlerave dhe (jo) vlerave socrealiste(?). Nga ajo kohë vjen natyrshëm qasja e talentit të Xhamës, që sillej në një hapësirë me penat që më vonë bënë emrin global të letrave shqipe, Agollit dhe Kadaresë. Ishin pikërisht ato çaste që ngjiznin në diapazonin krijues të autorit udhëjetën e nisur në Fterrë më 13 qershor 1933. Vite që rritën më pas njeriun e mirë, njeriun tipik që dinte të shumëzonte me zemërdashuri udhën drejt ngjitjes reale në jetë.

Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën 7-vjeçare dhe shkollën e mesme pedagogjike i përfundoi në Gjirokastër në vitin 1953 me rezultate të shkëlqyera. Po këtë vit emërohet mësues matematike në gjimnazin “Asim Zeneli”. Që nga viti 1954 deri në 1959 punon në arsim në Delvinë, si mësues, zëvendësdrejtor e drejtor shkolle tetëvjeçare e gjimnaz. Gjatë kësaj periudhe kryen studimet me korrespondencë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë.

Nga viti 1959 gjer në vitin 1964 punon në Sarandë si inspektor arsimi, nga viti 1964 deri në vitin 1969 është drejtor në gjimnazin “Hoxha Tahsin” të Sarandës. Në vitin 1969 transferohet në Tiranë si redaktor e më pas Sekretar Kolegjiumi i gazetës “Mësuesi”. Në vitin 1981 emërohet zëvendësdrejtor në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor dhe më 1982 fillon punën si Shef Sektori për Gjuhën dhe Letërsinë në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Në vitin 1989 del në pension.


Arsimtari i dashuruar me letrat shqipe


Si mësues e kuadër në arsim është shquar për përgatitje të lartë shkencore, metodike e drejtuese. Si gazetar e studiues ka shkruar me qindra shkrime e studime shkencore pedagogjike. Si shkrimtar ka botuar 11 libra artistikë për fëmijë, romane, novela, vëllime me përralla, vëllime me rrëfenja etj. Tetë nga veprat e tij janë nderuar me çmime në konkurset kombëtare të letërsisë për fëmije e të rinj. Ka shkruar mbi njëqind përralla e tregime ne organet e shtypit, pjesë për teatrot e kukullave, radiotregime e teletregime, radionovela, skenarë dokumentarësh televizivë etj. Ka dhënë ndihmesë të veçantë në “Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj”, së bashku me shkrimtarin tjetër Pandeli Koçi(alias Sazan Goliku), si nënkryetar i saj për një kohë të gjatë e përkrah emrave më në zë të letrave shqipe.

Ai mban shumë urdhëra e medalje dhe titullin “Mësues i Merituar”. Librat e tij “Lejleku me akullore” (1998); “Tre vëllezërit” (2003); “Ekspedita e kaltër” (2004); “Zhytësit e vegjël” (2007) e të tjera janë natyrisht një kolonë e pasur e vlerave Kombëtare në fushën e letrave.

Teksa ribotohej vëllim me përralla “Përrallat e detit”, i nderuar me çmim inkurajues në vitin 1975, nga Shtëpia Botuese “EXTRA” pas gati tridhjetë vjetësh, lexuesit e moshës që kishin shijuar stilin e shkrimtarit patën mundësinë të transmetojnë atë stil dhe ato vlera edhe tek brezi tjëtër. Fundja një letërsi e shëndoshë këtë kërkon. Dhe “Përrallat e detit” kështu morën udhëjetën e re të shkrimtarit që takonte lexuesit e tij në kohë, hapësirë e dimension tjetër lëvizjesh.


Leximi i shkrimtarit Xhama


Mediat dhe kritika shkruan menjëherë: “Autori ka bërë përmirësime te ndjeshme në këtë ribotim, duke ia ngritur nivelin artistik e gjuhësor, në përshtatje të moshës së nxënësve të cilëve u adresohet. Në këtë vëllim janë përmbledhur nëntë përralla mbi jetën interesante të kafshëve dhe të peshqve të botës së nënujshme, të deteve e oqeaneve.” Por nuk duhet harruar se “Vlera e këtij vëllimi të përmirësuar shtohet së tepërmi nga ilustrimet e goditura të piktorit të talentuar Llazar Taçi, nga cilësia e botimit të shtëpisë botuese, si dhe nga struktura e lëndës që përfshihet në të, si përmbajtja në fillim me ilustrimet e zvogëluara, përrallat, pasthënia, të dhënat e shkurtra për peshqit dhe aparatin pedagogjik në ndihmë të mësuesve e të nxënësve. Veçojmë faktin e përfshirjes në vëllim të aparatit pedagogjik ndihmës.. Libri është i përshtatshëm për nxënësit e klasave të treta e të katërta të shkollës fillore.”

Leximi i shkrimtarit Xhama është sa mes vlerave artistike e gjuhësore, aq edhe mes arsyes së mbrusur me karakter edukativ e shkencor. Krijimet e tij, të ardhura vitesh, mes një transferte të pasur e mjeshtërore, janë thurur në mënyrë të tillë ‘që të fitojë e mira ndaj së keqes’. Si një ars