top of page

Nasho Bakalli: Mozik hijesh patriotizmi

ree

 

 

Kështu është quajtur/quhet: "Lëndina e Lotëve", në qytetin Korçë. Përkujtim figurative artistik i vendit nga ku niste rrugëtimi i mërgimtarëve.

 

 

 

Mozik hijesh patriotizmi

                              

Pak kohë më parë isha për ca ditë në Gjermani. Taksia nga aeroporti ishte një Mercedes ngjyrë mente vende vende e venitur. Shoferi me uniformë taksisti ishte një burrë me trup sportiv dhe mbante mjekër, të kuruar me kujdes, pothuajse të bardhë. Doli të ishte shqiptar. Ai më tha se ishte i lumtur - më i lumtur se kurrë ndonjëherë në Shqipëri. Ai ishte në vendin e tij të adoptuar prej 25 vitesh, dhe se nuk kishte ndërmend të kthehej në tokën që dikur e donte aq sa “të largohej”. Ishte i kënaqur që kishte zgjedhur Gjermaninë sepse, siç më tha, taksat dhe tatimet janë në raport të drejtë me rrogat dhe pensionet, edhe gruaja punonte, arsimimi i dy fëmijëve ishte falas, kishte strehim komunitar, shteti ja mbulonte faturat  mjekësore dhe, kur të dilte në pension jetesa e tij dhe e bashkëshortes do të ishin përgjegjësi e shtetit.  "Pse të mos e pëlqej këtë vend?" pyeti ai, mbasi mbaroi së treguari edhe disa të mira të tjera që nuk i gëzonte dot në vendlindjen e tij të dashur.

Mbani parasysh se mbi 40% e popullsisë të Shqipërisë kanë emigruar qysh prej vitit 1989.

A është emigrimi një referendum mbi patriotizmin tonë shqiptar?

Për të patur gjykimin e duhur mbi faktin e të qenit shqiptar, “Oh sa mirë me qenë shqiptar”, duhet që ta përmbysim këtë klishe patriotike. Pohimi ynë nuk duhet të jetë se si ndjehemi ne  për vendin tonë, por, çfarë bën vendi ynë për ne “Oh sa e mirë është Shqipëria për ne”. Ne jetojmë së pari për veten tonë, pastaj për familjen, dhe më pastaj për shoqërinë. Shqipëria, është entiteti që ka për detyrë të sigurojë mbrojtjen e këtyre  tre objektivave njerëzore.

Emigrimi është referendumi më i vërtetë i Shqipërisë. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth dy milionë shqiparë jetojnë jashtë vendit - diaspora, mbase, më e madhe në botë krahasuar me numurin e popullsisë vendit. Çdo vit mijëra shqiparë heqin dorë nga shtetësia e tyre për t'u bërë amerikanë, dhe qytetarë të BE. Nëse Shqipëria do të ishte një korporatë, aksionarët e saj do t'i kishin shitur prej kohësh aksionet e tyre.

Edhe për ata që janë të pasur, “dashuria” për vendin bëhet problematike në momentin që dalin jashtë nga shtëpia për në punë, shkollë e kudo tjetër, sepse cilësia e ajrit  dhe niveli i zhurmave të ndërtimeve, fishekzjarreve, muzikës, garave me motocikleta - jo vetëm ditën po edhe natën, jo në periferi por në qëndër të Tiranës - si dhe qarkullimi i automjeteve dhe njerëzve, etj., janë shumë më të larta sesa kufijtë e lejuar në BE. Të lëvizësh nëpër Tiranë është një formë vuajtje. Pse ti duan të tilla qytete? Është një lloj abuzimi me veten.

Këto probleme të vogëla, e të tjera probleme shumë më të mëdha çfarë tregojnë në të vërtetë? Sigurisht që tregojnë dështimin e Shqipërisë për t'u kujdesur tamam për popullin e vet. Pra, ka shumë arsye pse duhet të ketë hapësirë për të qenë neutral ndaj vendit tënd - përveçse kur ka një emergjencë, le të themi, një luftë.

Pa dyshim që në rast se Shqipëria sulmohet ushtarakisht nga armiqtë e saj - emigrantët nuk do ta kursejnë atdhedashurinë e tyre. Bukur e mirë. Po nëse pjesmarja patriotike e emigrantëve në një luftë të mundshme do të deformohet, mbas fitores të kësaj lufte, ashtu siç po deformohet Historia e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të Popullit Shqiptar, çfarë duhet  të bëjnë populli dhe emigrantët luftëtarë për Atdhe, familjet, dhe pasardhësit e tyre? Përsëri, rrugëdalja e tyre do të mbetet emigracioni - shtetësia jo shqiptare.

 Shtetësia është një aksident. Sepse asnjeri nuk zgjedh dot të lindë në një vend, ose në një besim, ose nën një zot të caktuar. Megjithatë, ka ndodhur e ndodh që në emër të këtyre aksidenteve njerëzit të luftojnë, vrasin, dhe të vdesin patriotë ose jo. Ndoshta këto ndodhira janë të nevojshme sepse na japin identitet. Por pse duhet ta “dashurojë” dikush një aksident - aksidentin e vendit të lindjes. Nëse duhet të lidhet me të, me të gjitha të metat që vendlindja ka, pse të mos e “pëlqejë” atë pa u detyruar ta dashurojë?

 

Nga Nasho Bakalli

 

 

------------------------------------------------------------------------------------

 

                                                Mërgimi

 

“Në vitin 1700 e ca një “korfiat” (banor i Korfuzit) rekrutoi në Himarë e Delvinë trima për mbretin e Spanjës. “Kapedanët” hem për nam e hem për flori u bënë nja dyqint e ca, dhe me një anije duallën në Barcelonë. Andej “korfiati” në vend që ti shpinte në Madrid, u mor vesh me një tjetër “tregëtar njerëzish” dhe i shpuri në Sant Etien të Francës. Dhe aty “Kapedanët” filluan të nxiheshin sepse punonin në minierat e qymyrit. Qysh atë here, mërgimi ishte shtegu i shpëtimit.”

 

Gazeta Bashkimi, viti 1945. Kryeredaktor Petro Marko.

 

 

 

-----------------------------------------------------------------------------------------

 

                                                           Patriotizmi

 

Patriotizmi është një detyrë e cildo qoftë ai përkundrejt Atdheut. Titulli patriot i jepet si shpërblim moral atij për sakrificat në fushën kombëtare.

Natyrisht që nuk mund të jenë patriotë të një rradhe të shquar të gjithë bijtë e një kombi, po brenda tyre shquhen ato që e meritojnë, fitojnë titullin patriot.

Patriotët shqiptarë ndahen në tre shkallë. 1) Patriotë të armës. 2) Patriotë të mëndjes. 3) Patriotë të xhepit.

Të parët janë ata që luftuan, derdhën gjakun e tyre për Atdhe. Të dytët janë ata që punuan me libra, shkrime për Atdheun. Kurse të tretët janë ato qëndihmuan me shuma të mëdha të hollash për Atdheun.

 

Gazeta Demokracia, Gjirokastër, 25.12.1935. Drejtor e pronar: Xhevat Kallajxhi

                      ----------------------------------------------------------------------------------------

 

 

                                               “Ligja e Internimit”

 

Para disa ditësh gazeta jonë lajmëronte se është bërë një ndryshim në artikullin(nenin) e parë të Ligjës për internimin e propagandistëve të rrezikshëm. Pas ndryshimit që është bërë në këtë Ligj do të internohen edhe ata që bëjnë propaganda të rrezikshme kundër refomave shoqërore. Mirë fare. Por kjo Ligjë duhej, në këtë rast,  edhe përmirësuar pakëz. Sepse Ligja në formën e sotme urdhëron internimin e propagandistëve që bëjnë propagandë fshehurazi, një mënyrë kjo që nuk mund të provohet.

Po si do të meret vesh propaganda e bërë fshehurazi? Me lajmërimin e një njeriu. E ku ta dimë ne se ky njeriu nuk vete pas mërisë? Të këtillë Ligjë, janë një armë e tmershme në duart e autoriteteve që mund të mos kenë ndërgjegje. Me një shpifje të bërë prej një agjenti, që ta shtyjnë autoritetet, njeriu meret në qafë pa një pa dy. Në një kohë që lypet të shkojmë gjithënjë nga përparimi e nga oksidentalizmi, të bësh të tilla ligje na duket fare primitive.

 

Gazeta Vullneti i Arbërisë. Korrik 1930. Botues:

Harilla Bakalli 

& Nebil Çika. 

 

           ----------------------------------------------------------------------------------------------------

 

 

                                               Përalla e Kamillës gjithmonë aktuale

 

“Të gjithë e dinë rrëfenjën e Kamillës* kur u pyet nëse preferonte të përpjetën apo tatëpjetën, dhe ajo nuk prefroi as njërën, dhe as tjetrën, por kërkoi rrugën e drejtë.

 A është mbrojtja e çështjes kombëtare një rrugë e drejtë, dhe që duhet ndjekur? A lidhet çështja kombëtare me kontrollin e jetës publike të personave që gjatë një kohe të caktuar kanë patur në dorë pushtetin, dhe me këtë rast kanë bërë abuzime për të cilat ata si persona janë përgjegjës ndaj atij që u kishte dhënë besimin, ndaj Kombit të tyre?  Mos duhet ligjëruar si parim që personat që meren me politikë mbasi të ulen nga froni të mbeten të paprekur, dhe të pakontrolluar për veprat e tyre që kanë bërë gjatë kohës që kanë qënë në fuqi?”

“Si e kupton populli lirinë e fituar? Populli lirinë e fituar e ndjen si nevojën e një qeverisje të mirë. Si e mbron populli lirinë e fituar? Duke kërkuar që të largohen nga politka tregtarët e përçarjes të cilët, e përdorin politikën si mjet për të peshkuar në ujëra të turbullta. Të bësh dallim midis interesave personale dhe interesave të shtetit do të thotë të nxitësh politikisht përçarjen. Tregtarët e përçarjes duhet të pushojnë si për hir të interesave të shtetit, dhe për hir të  dinjitetit vetiak. Shqipëria është e vogël dhe e njohim mirë njërit tjetrin. Politikanët, titullarët e çdo rangu duhet të jenë gati në çdo orë të ditës për një kontroll, dhe kështu të japin shembullin tek të rinjtë që do të pasojnë. E ardhmja nuk është e atyre që kanë falimentuar por është e brezave që ngrihen.

Çdo periudhë e re historike  lyp edhe elementët që i përshtaten, dhe kjo gjë përbën një ligj i cili nuk mund të shkelmohet. Jemi pikërisht në peirudhën e re të përtëritjes shoqërore dhe kombëtare. Kjo periudhë nuk i ka akoma të gjithë elementët që meriton të ketë. Qeverisja e vjetër shkatëroi shumë njerës, punë, dhe idera saqë ato mbetën fatalisht edhe pjesë e qeverisjes së re, së cilës i del për detyrë që ti zëvendësojë ato me elemente të reja në të gjitha fushat e jetës kombëtare.

Pra jemi në një periudhë reformash që don të thotë të vesh një gjë të re mbi një gjë të vjetër. Dhe që reformat të marin rol dhe vend zotërues ato duhet ti marë në dorë, që ti përvetësojë dhe zbatojë, rinia. Dhe kjo është një kërkesë imperative përderisa këto 22 vitet e fundit treguan se shumica e atyre që përbëjnë klasën politike në vend janë mëndjendyshkur, dhe me ideale të paqarta - jo vetëm teorikisht po edhe praktikisht. Te rinia duhen qëmtuar jo ata që kanë mbaruar shkollën me nota shumë të mira por, ata të cilët janë të çliruar nga mëkatet e së shkuarës, që janë trima për të bërë punët e shtetit e jo trima për të mbushur xhepat e tyre. Gjithë bota shkon përpara dhe lipset që ta ndjekim - të mos dremitim në qerren e lidhur prapa brumbullit.”

 

* Shkruhet: Kamila, Kamilla, Camila, Qamil, Qamile. Shkruhet në arabisht:  كاملة . Emri Kamila, në arabisht, do të thotë "perfekt". Rrënja e fjalës "kamil" përdoret shpesh në letërsinë arabe për të përshkruar diçka që është e plotë ose perfekte. Kështu, Kamila mund të nënkuptojë gjithashtu një vajzë që është e patëmeta dhe pa asnjë papërsosmëri. Emri Kamila gjendet në të dhënat historike të perandorive të ndryshme arabe, dhe është përhapur m` shumë përmes tregtisë në të gjithë Afrikën, Spanjën dhe më gjerë. Variacione të emrit Kamila gjenden në disa gjuhë, duke përfshirë Camila në spanjisht e portugalisht, dhe Camille në frëngjisht. Ka fituar popullaritet edhe në vendet joarabe si Polonia, Brazili dhe SHBA për shkak të kuptimit të tij të bukur dhe ndikimit të kulturës arabe. Emri Kamila ka një trend në rritje brenda dekadave të fundit.

 

Gazeta Demokracia, Gjirokastër, viti 1936. Drejtor e pronar: Xhevat Kallajxhi

 

 

-------------------------------------------------------------------------------------  

 Fund.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page