NA DUHET
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 8, 2023
- 1 min read

NA DUHET
Poezi nga Kozma Gjergji
NA DUHET
Na duhet ende të luftojmë
Edhe në shekullin XXI
Me ata që
Helmuan Sokratin.
Me ata që
Kryqëzuan Jezu Krishtin,
Me ata që
Sollën ferrin e vërtetë në tokë…
Janë po ata
Shpirtra të zinj
(Vetëm emrat, fytyrat
dhe armët kanë ndryshe.)
Me etjen satanike
Për mizori,
Pushtime e sundim.
Janë
Rreziku më i rrezikshëm,
Prandaj na duhet
Domosdoshmërisht
T'i mundim.
ÇDO LOT
Çdo lot në Ukrainën e
Martirizuar e heroike
Është thirrje dhe
Lutje e perëndishme.
Janë të bekuara
Ato duar që ndihmojnë!
DASHURIA
Dashuria prindërore
Flet dhe me buzët mbyllur.
Dyert e saj i gjen hapur
Në çdo kohë.
TRAGJIKE
I tmerrshëm ka qenë
Dëbimi i shqiptarëve
Me zjarr e plumb
Nga fqinjët shovinistë.
Tragjike është dëbimi
Nga pushteti i tyre
Me varfëri e mjerim.
KUJDES!
Kujdes me ujërat e ndënjura,
Me ujërat që s'qarkullojnë,
Janë kënetësuar
Dhe bërë të helmët.
DËGJOJE
Dëgjoje fjalën e të urtit:
Mos ia jep shkopin harbutit
Se të vret me shkopin tënd!
GABUAM
Kaq herë
Kemi gabuar
Dhe prapë
Zgjedhim
Djallin
Arbitër
Të jetës sonë!
KACAVJERËSI
Pa shtyllë kurrizore
Dhe ngjitet e ngjitet
Përpjetë
Falë lisit!
DISA
Për të vrarë
Përdorin mjaltin
Në vend të helmit.
JANË…
Grindja dhe pendimi
Janë vëllezër, miq,
Dashuria dhe urrejtja
Dashnorë, kushurinj.
PAQE
Kafshohen e çjerren
Qeni e maçoku.
Bëjnë paqe
Në një kërmë.
DETI
Deti i pamatë,
Madhështor!
Nuk refuzon kurrë
Asnjë lumë.
Kommentare