top of page

Në përkujtim të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano


Legjenda e futbollit shqiptar: Panajot Pano

Në përkujtim të legjendës së futbollit shqiptar, Panajot Pano


Fatmir Terziu


Dy figura të lidhura me sportin, dy legjenda të respektuara në këtë fushë, ndërruan jetë në një ditë. E rastësishme? Asgjë për t’u komentuar. Asgjë për të dyshuar. Vdekja vjen nga Zoti! Legjenda e futbollit shqiptar, Panajot Pano, ndërroi jetë në një ditë me legjendën britanike të komentimit të sportit të Rugbit, Bill McLaren. Shqiptari i fushës së blertë që mbahet mend si ikona sportive e futbollit shqiptar dhe zëri i britanikut, që ende duket si një model për komentuesit e sportit të Rugbit, ndoshta nuk kanë të njëjtën lidhje mes tyre, as në lojën dhe detyrën e tyre të lidhur me sportin, as edhe me vendin ku kanë lindur. I pari ishte futbollist i shquar shqiptar dhe i dyti një komentator i pasionuar sportiv që ka lindur në Skoci. Por sidoqoftë ata kanë një pikë të përbashkët: të dy janë dhe mbeten figura të nderuara sportive dhe më gjerë. Ata kanë edhe shifra të përbashkëta që lidhen me jetën e tyre. Pano u nderua me çmimin e lartë të “Lojtar i Artë” në vitin 2003 për kontributin e tij në sport për 50 vjet, ndërsa McLaren pati 50 vjetshërbim në profesionin e tij të lidhur me sportin. Pano është nderuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe “Mjeshtri i Madh”, është vlerësuar nga UEFA si një nga 50 futbollistët europianë të shekullit, ndërsa britaniku edhe pse nuk ishte lojtar, ka marrë titujt e lartë mbretërorë OBE dhe MBE.

Kështu ne mund të besojmë se legjendat ikin njëherësh, ikin pa u ndier, edhe pse shkaktojnë dhimbje familiare, shoqërore, shtetërore dhe profesionale, duke krijuar hapësirën e respektit të pavdekshëm për ta.

Të dy këta legjenda edhe pse ndërruan jetë në një kohë, edhe pse kanë fituar respektin nga sporti dhe lidhjet me sportin, natyrshëm vijnë në mesin e memorjes me aktin e tyre sublim të përkushtimit dhe vënies së gjithshkaje në shërbim të njerëzimit. Respekti ndaj tyre mbetet një arsye më shumë të faktit të vlerave që ata kanë lënë mes nesh që aq shumë i adhuruam dhe ende i adhurojmë.

Pano ishte për dekada futbollisti që me talentin e tij, dhuntitë e tij të jashtëzakonshme por dhe shpirtin e tij të pamposhtur në futboll dhe tërësisht popullor në jetë, mbushi me entuziazëm me gëzim dhe krenari zemrat e të gjithë sportdashësve shqiptarë, zemrat e mbarë shqiptarëve.

Pano ka marrë nga të gjithë qytetarët e këtij vendi dhe mbarë kombit shqiptar, nga institucionet më të larta të vendit, nga organizmat kryesorë të sportit ndërkombëtar, vlerësimet më të mëdha dhe më të merituara.


8 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page