Në nderim të 75-vjetorit të lindjes së shkrimtares-akademike Vilhelme Vranari Haxhiraj


Prof Dr Eshref Ymeri

Prof.dr. Eshref Ymeri

Talenti bën punën e vet


Në nderim të 75-vjetorit të lindjes së shkrimtares-akademike Vilhelme Vranari Haxhiraj


Sot, më 08 dhjetor, mbushen 75 vjet nga dita kur lindi shkrimtarja e shquar e kombit shqiptar Vilhelme Vranari Haxhiraj. Ajo ka lindur në Kaninë nga prindërit Veip dhe Bexhete Vranari. Në vitin 1951 i burgosin babain si antipushtet, duke e akuzuar padrejtësisht se pse vaji i distilerisë në Vlorë u derdh në det. Në vitin 1955 ka kryer arsimin fillor dhe në vitin 1958 ciklin e arsimit 8-vjeçar. Në vitin 1962 ka përfunduar arsimin e mesëm në Shkollën Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë. Po atë vit iu dha e drejta për të vazhduar studimet e larta (pa shkëputje nga puna) në Universitetin e Tiranës, dega histori-gjeografi, të cilën e vazhdoi deri në vitin 1966, duke punuar si mësuese në një fshat të Vlorës. Por më 16 gusht të vitit 1966 i heqin të drejtën e mbrojtjes së diplomës në fakultet dhe e përjashtojnë nga radhët e arsimit për shkaqe politike, me arsyen se ishte e paaftë të zhvillonte luftën e klasave, duke i mohuar edhe të drerjtën për botime artistike. Prej vitit 1967 deri në vitin 1990, familja e saj (si edhe gjithë fisi Vranari) ka qenë e internuar. Në vitin 1970, me kërkesë të Prokurorit të Republikës Lefter Goga, i jepet e drejta e studimeve të larta në degën histori-gjeografi dhe në vitin 1975 mbrojti diplomën me temë nga historia e Shqipërisë që titullohej“Krahina autoktone e Shqipërisë Jugore”.Në periudhën mes viteve 1969-1991 ka punuar si punëtore krahu. Në vitin 1991 rikthehet në profesionin e mësimdhënies që e adhuronte aq shumë. Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë zëvendësdrejtore e Shkollës “Ismail Qemali” në Vlorë. Në vitin 1997, neokomunistët që erdhën në pusht me dhunë, e nxjerrin jashtë radhëve të arsimit, paçka se i duheshin edhe 7 vjet për të dalë në pension. Prej vitit 1996 dhe në vazhdim merret me letërsi artistike, publicistikë, ese dhe studime në fushën e historisë dhe të filozofisë.

Diapazoni krijues i shkrimtares së shquar Vilhelme Vranari Haxhiraj është tepër i gjerë. Tërë krijimtaria e saj përbëhet nga një korpus prej gati 50 veprash të të gjitha gjinive letrare, përfshirë edhe publicistikën nacionaliste. Këtu mund të përmenden 3 vëllime poetike, 9 vëllime me prozë të shkurtër (dy vëllime me skica, tregime dhe novela, gjashtë novela dhe një vëllim me skica), 20 romane, 2 vëllime me ese-publicistikë, 3 vëllime me studime (njëri i natyrës filozofike, kurse dy të natyrës historike), 8 vëllime me letërsi për fëmijë (me përralla, gjëegjëza, fabula dhe një roman historiko-fantastik). Presin dritën e botimit disa libra në gjini të ndryshme dhe një vëllim poetik, i përkthyer në greqisht.

Pjesë nga krijimtaria e kësaj shkrimtareje janë përfshirë në 24 antologji. Veç atyre me autorë shqiptarë, ato janë përfshirë edhe në Itali (Kalabri), në Mal të Zi, në Kosovë, në Rumani, në Angli, në Suedi, në Greqi (në gjuhën shqipe dhe në gjuhët e vendeve përkatëse).


Vilhelme Vranari Haxhiraj “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Krijimtarisë së saj i janë bërë vlerësime me mirënjohje dhe me 22 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat veçohen Mirënjohje(Vlorë, Kaninë, Prizren, Greqi, Rumani), Çmimi i parë (Shqipëri, Mali i Zi, Suedi),Çmimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Itali), Çmimi “Premio Internazionale di Poezia (Firence, Itali, 2011, ku ishte e vetmja autore shqiptare mes 100 autorëve nga e gjithë bota, të përfshirë në antologjinë italiane në tre vite - 2010-2012), tre Çmime karriere.Ajo është përzgjedhur dy herë personazh i vitit dhe ka marrë medalje argjendi, është vlerësuar me “Penën e Kristaltë” në Suedi, ka marrë “Medalje Ari”me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Vilhelmja, si mjeshtre e penës, ka aftësinë t’i bëjë njerëzit të përloten. Me frymën realiste të veprave të saj, ajo prek zemrat e lexuesve, sepse nxjerr në pah mjeshtërisht edhe anët tragjike të jetës njerëzore. Prandaj lexuesi fillon të bashkëpërjetojë dertet e shpirtit të heronjve të veprave të saj.

Veçanërisht mbresëlënëse është krijimtaria e zonjës Vilhelme në fushën e publicistikës nacionaliste, në të cilën ajo ka bërë thirrje për të demaskuar ashpër pushtetin absolut të diktaturës komuniste gjysmëshekullore, çka më kujton një thirrje të profesorit Vedat Kokona:

“O pushtet absolut, ti që shpërthen te njeriu instinktet e tij më të këqija, ti që himnizon mashtrimin, dredhinë, hipokrizinë, krimin, që poshtron virtytin dhe i thur kurora poshtërsisë dhe ligësisë, dhëntë Zoti të fshihesh nga faqja e dheut bashkë me stuhinë që ke mbjellë... Vuajtjet e popullit shqiptar nën pushtimin shqiptar, të pakrahasueshme me ato të pushtuesve të huaj, do të mbeten të paharruara në analet e Historisë dhe brezat që do të vijnë nuk do ta zgjidhin dot këtë enigmë” (Vedat Kokona. “Endur në tisin e kohës. Kujtime”. Botimet Kokona. Tiranë 2018, f. 301)

Emocione të veçanta i ngjall lexuesit bota e heronjve të veprave të saj artistike. Prandaj, fjala vjen, nuk mund të rri pa përmendur lirizmin e thellë tragjik që karakterizon heronjtë e veprës së kësaj shkrimtareje, me titull “ Dashuria plagoset.., por nuk burgoset. Letra nga ferri”, e cila doli nga shtypi në maj të vitit 2016. Në analizën që i kam bërë kësaj vepre asokohe, kam theksuar:

“Kur e mbaron së lexuari këtë vepër, vetvetiu të krijohet bindja që tema e dashurisë në krijimtarinë e çdo poeti ose shkrimtari, është rrezatim i botës së tij të brendshme, i ndjenjave dhe i përjetimeve të tij. Prandaj, sipas rastit, dashuria dikë e bën me flatra, kurse dikë tjetër e zhyt në honet e një dëshpërimi të pamatë. Kjo është edhe arsyeja që poetët dhe shkrimtarët janë shumë më të ndjeshëm ndaj kësaj ndjenje hyjnore sesa njerëzit e zakonshëm”.

Në gushtin e vi