top of page

Në kujtim të dijetarit, At Gjergj Fishtës, një Elitë kombëtare e mohuar.


Vilhelme Vrana Haxhiraj

Në kujtim të dijetarit,At Gjergj Fishtës, një Elitë kombëtare e mohuar.

Shkëputur nga libri “Elitat e Mohuara, krenari Kombëtare”f.181-187,autore,Vilhelme Vrana Haxhiraj

Gjergj Fishta,i pari shqiptar i kandiduar për çmimin“Nobel”, elitë e mohuar. Pasuria kulturore që përmban vepra Lahuta e Malëcisë është shumë e madhe dhe meriton një vlerësim maksimal nga institucionet kombëtare e Nd/kombëtare.

Nesër mbushen 79 vjet nga vdekja e Homerit Shqiptar, Atdhetarit të paharruar, At Gjergj Fishta, vepra e të cilit do të jetojë e do të kujtohet me nderim, si vlerë e pamohueshme në panteonin e kombit.

Familja Fishta ishte shpërngulur nga fshati Domgjon i Mirditës dhe u vendos në Fishtë të Zadrimës. Gjergj Fishta lindi në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871 dhe vdiq më, 30 dhjetor 1940. Ishte fëmija i vogël pas tre vëllezërve dhe një motre. Fishta një personalitet i shquar që njihet si Teolog, shkrimtar (poet e prozator), historian, pedagog, filozof, piktor (jo profesionist) mendohet të ketë lënë mbi 20 piktura, deputet dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Është shqiptari i parë i nominuar për çmimin Nobel.

Gjergji e filloi jetën si barì. Por shumë shpejt famullitarit të fshatit Fishtë, i ra në sy zgjuarsia e tij qysh kur ishte 6-vjeç. Për t’u bërë dikush, e dërgoi Gjergj Fishtën në Shkodër, në Seminarin Françeskan. Më 1880, u hap seminari në Troshan, atëherë e la Shkodrën dhe vazhdoi arsimimin në këtë shkollë. Qysh këtu ai shfaqi elemente të talentit në poezi. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Në këtë kohë nisi të shkruaj "vargjet e para poetike". Më 1893përfundoi studimet shkëlqyeshëm.

Gjergj Fishta, “Homeri Shqiptar i vlerësuar me “Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit”- Kosovë”- qysh më 1911. Gjergj Fishtën e nderuan në kohën e duhur shtetet e huaj, kurse Shqipëria, vetëm në vitin 2002 e vlerësoi me Urdhrin “ Nderi i Kombit" .


*Vlerat e Gj.Fishtës si atdhetar

I formuar si intelektual në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u paraqitën në shekullin njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në veprat e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Deri më 1899, Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar 1899 ai bëhet bashkëthemelues dhe pjestar aktiv i shoqërisë "Bashkimi", të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe veprat e Fishtës të kësaj periudhe.

Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë në këtë shkollë ai futi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi për të gjitha lëndët.

Në këtë mënyrë dhe mjaft shpejt Fishta u afirmua si poet edhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë "Bashkimi". U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Entuziazmin që pati poeti për shpalljen e Pavarësisë, ia zbehën disi Lufta Ballkanike dhe Konferenca e Ambasadorëve, dy ngjarje që i shkatuan një brengë të madhe. Kishte të drejtë se, Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken jo vetëm në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në revistën "Hylli i dritës", revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të vitit 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën "Posta e Shqypnisë"(1916-1917).Më 1916 me Luigj Gurakuqin themelon, "Komisinë letrare" që kishte për qëllim formimin e gjuhës letrare kombëtare.

Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual dhe si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar Fishta zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dënduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në  Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, shkruan, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave lirike, tragjedive etje. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e veprimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i "Lahutës së Malëcisë", (1937).

*Lahuta e Malëcisë", kryevepër e poezisë epike shqiptare,botimi i parë, më 1904. *Më 1907 boton përmbledhjen satirike "Anzat e Parnasit", *Më 1909 përmbledhjen lirike "Pika voëset"

Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931Greqia i jep dekoratën "Foenix". Më 1939Italia e bën anëtar të Akademisë së saj. Padër Gjergj Fishta vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të qytetit të Shkodrës ku ai ishte shtruar nga një sëmundje e zemrës dhe e mushkërive. Varrimi i tij u krye një ditë më vonë në kishën Françeskane të Gjuhadolit. Fjala e fundit në përcielljen e trupit pajetë të Gjergj Fishtës, u mbajt nga Prof. Aleksandër Xhuvani.

Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin

Njihen dy letra që At Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit.

Letra e parëi takon vitit 1934 dhe është e postuar në LivornoItali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskandhe as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province.

Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthime, si: Iliada e HomeritMolieri etje.

*Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni, i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. Në këtë letër Fishta i madh shkruan:

Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë.

Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun  Norbert Jokl. Është një çast shumë i bukur, madje historik, që e ngre në piedestal personalitetin e Fishtës si atdhetar.

Gazetari anglez pyeti Fishtën: Pse Shqiptarët janë hajdutë? Përgjigjae tij ishte brilante.

Gjatë një interviste për gazetat britanike në vitin 1934, një gazetar anglez i drejton At Gjergj Fishtës këtë pyetje ironike dhe fyese njëkohësisht: Kam dëgjuar se shqiptarët tuaj janë shumë hajdutë! Si e komentoni ju këtë?!

Ashtu na ka dalë nami ore zotëri”, përgjigjet Fishta, -“Unë kam parë se si vidhet një bankë në Londër në mes të ditës, dhe askush në Shqipëri nuk mendon se të gjithë anglezët janë hajdutë. Shqiptari edhe nëse vjedh, këtë e bën nga halli i madh, ku mundet të marrë ndonjë dele, derr apo edhe pushkë.

Më pas vjen pyetja e dytë dhe e fundit, pasi Fishta e detyroi gazetarin të tërhiqet:

“Sikur shqiptarët të kishin mbetur të krishterë, atëherë edhe bashkimi juaj kombëtar do të ishte bërë i mundur shumë më shpejt. Pra, ndërrimi i besimit është një pjesë tjetër e errët e karakterit të shqiptarit.” –vijoi pyetjen ai.

-“Unë vërtetë nuk po të marr vesh more zotëri”, -vijon At Fishta – “Po si guxon dhe mundet të flasë për mangësi karakteri të shqiptarëve një anglez?! E gjithë bota e di, se ju anglezët, për një bythë gruaje, ia ndërruat besimin fetar një Perandorie të tërë”, - kishte përfunduar Fishta përgjigjen e pyetjeve të gazetarit zhurmaxhi.

Tituj të veprave të Gjergj Fishtës

1-Lahuta e Malcís [2] - poemë (Zarë, 1925)

2-Anzat e Parnasit - satirë (Sarajevë, 1907[2]

3-Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909[2]

4-Shqyptari i gjytetnuem - melodramë (1911[2]

5-Shqyptarja e gjytetnueme - melodramë

6-Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912[2]

7-Hylli i Dritës - revistë (1913[2]

8-Juda Makabé - tragjedi (1914[2]

9-Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923[2]

10-Mrizi i Zanave (Shkodër, 1924[2]

11-Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)

12-Lahuta e Malcís - botimi komplet (1937)

13-Jerina ase mbretnesha e luleve, (Shkodër, 1941)

14-Atdheut (MRIZI I ZÂNAVET, 1924)

*Gj.Fishta është vlerësuar me:

-Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë-1911.

- Kurorë Argjëndi, nga Klubi "Gjuha shqipe" i Shkodrës -1911.

- Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke -1912.

- Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë-1912.

- Penë floriri, nga qyteti i Beratit si themelues i Hyllit të Dritës-1913.

-Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI -1925.

- Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan -1929.

-Dekorata Phoenix, nga Greqia-1931.

-Urdhrin “ Nderi i Kombit" Shqipëri- 2002

Ky personalitet i kombit, një nga elitat e shquara të shek XX-të, vazhdues i denjë i Rilindasve, At Gjergj Fishta, ”Homeri shqiptar” u dënua nga Lidhja e Shkrimtarëve.

Pse u dënua At Gjergj Fishta më 1949?

Të gjithë shqiptarët e dinë se veprat e Gjergj Fishtës u ndaluan nga diktatura, si vepra antiatdhetare.

Me të drejtë lind pyetja:Pse u dënua Atë Gjergj Fishta nga Lidhja e Shkrimtarëve në vitin 1949?

 At Gjergj Fishta u dënua në konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve në vitin 1949. Kjo dosje ruhet në AQSh me gjithë materialet e kësaj Konference, ku janë një sërë dokumentesh me të cilat dëshmohet se si po zyrtarizohej nga viti në vit ‘historia e re’ e letërsisë shqipe.

Ndër tezat e paraqitura në Konferencën III. të Lidhjes është dhe analiza mbi veprën dhe aktivitetin e At Gjergj Fishtës, ku argumentohet paragraf pas paragrafi se pse Fishta dhe trashëgimia e tij kulturore duheshin zhdukur njëherë e mirë nga historia e letërsisë shqipe pasi veprat e tij përshkohen nga fryma “armiqësore”. Preteksti që nxoi konferenca, ishte i ulët dhe tejet vulgar:

Gjuha që përdor Fishta është gegërishtja e egër dhe shumë e vështirë për t’u kuptuar, e cila s’është shkruar që nga Lidhja e Prizrenit e këtej. Me këtë autori kërkon të luftojë me fanatizëm tendencën që kishte marrë gegërishtja t’i afrohet toskërishtes në kohën e Rilindjes, me Vaso Pashën, Filip Shirokën e më pas me Luigj Gurakuqin…”- Kështu shkruhet në një paragraf të kësaj analize, duke përfunduar pak më poshtë me një varg konkluzionesh mbi pikat, se ku dhe pse duhej dënuar ky autor që nuk i shkonte për shtat regjimit të ri komunist që po instalohej në Shqipëri. Ndërkohë eshtrat e tij i kishin nxjerrë nga varri dhe i hodhën në ujërat e rrëmbyeshme të lumit Drin. Një krim makabër, që shkon tej urrejtjes, edhe eshtrat e një elite, nuk i lanë të prehen në tokën mëmë.

Akuzat kundër tij në konferencë vazhdojnë...

Fishta ndjen dhe këndon vetëm ashtu siç është edukuar. Si poet lirik Fishtën përgjithësisht nuk e kishte pranuar as kritika zyrtare e para luftës së Dytë Botërore, pasi nuk i kishte sjellë shërbime aq të mëdha sistemit politik, siç kishte bërë te “Lahuta”. Madje e akuzojnë se është retorik dhe imitacion i thatë i poetëve të huaj.

Pjesërisht në lirikën e tij “Nji lule vjeshte”Fishta ka imituar Leopardin, Horacin, Manzonin, Montin dhe Foscolo. Madje në disa vargje ai edhe i ka përkthyer fjalë për fjalë këta poetë. Në “Anzat e parnasit” dhe “Gomari i babatasit”, përmblidhet satira e Fishtës si e pavlerë dhe anti kombëtare. Fishta si poet satirik është një poet me pak vlera dhe i tillë do të mbetet etj...”

Madje kritika kaloi në rrafshin politik: “Ishte një klikë tjetër tradhtare, ku bënte pjesë edhe Fishta i cili kishte vendosur që Shqipëria t’i shitej Italisë dhe donte që hapi i parë të fillonte pikërisht aty ku është baza e pavarësisë së një shteti,pra te nisej nga ekonomia”

Ja se ç’thotë Fishta në “Gomarin e Babatasit”:

“Vall, traktatit të tregtis

N’mjest’Shqypnis – edhé Italis,

Qi tash ma se nji motmot

Kjé ba gati, pse dér m’sot

Qeverija s’i vu’ dorë,

Por la fushë edhé malcorë

Me u tha ujet t’ngatët e shpija,

Ke s’u ban pare baktija?…”

(Gomari i Babatasit…, f. 45) Ja këshillën që i jep Fishta shtetit të ri shqiptar me satirën e tij për administratën:

“Për me siellë punët t’ona mbarë,

Ktu duen siellë njerz dijetarë

Prej Europet: profesorë

Edhe eksperta: e ktyne n’dorë

Me jau lshue administratën…”

Vo:(Gomari i Babatasit…, f. 55)-

Porse konferenca Fishtën e quan tardhtar, duke dhënë konkluzionin:

Vepra e tij mbetet një dokument tradhtie të pashembullt në literaturën tonë: tradhti karshi independencës së vendit dhe lirisë së popullit. Mbetet një dokument elokuent për egërsinë e mizorinë e mjeteve me të cilat klasat sunduese kanë zakon të realizojnë shtypjen e shfrytëzimin e popujve. Mbetet një dokument barbarie e kanibalizmi, karakteristikë e klerikëve inkuizitorë të Mesjetës.Ndaj duhet të ndalohet!”

Idetë e konferencës për Fishtën ishin shumë të gabuara. Nuk duhet harruar se në poezinë e Fishtës ka kontradikta, sepse vija politika që ai ndjek në zgjedhjen e temave dhe në trajtimin e tyre, është plot me kontradikta.

Sipas konferencës, kjo letërsi duhej të zhdukej vetëm se në veprat e tij mungonte ideologjia komunsite. Por dihet se, kur në sistemin shoqëror ekonomik dhe politik do të zhduken klasat,atëherë edhe në art vetëm atëherë do të mund të zhduken këto kontradikta.

Mbi sistemin e kontradiktave më të çuditshme ishte rritur, rronte dhe këndonte Fishta. Për çudi nëqoftëse e shohim Fishtën në disa periudha të ngrihet dhe të satirizojë Turqinë, Italinë, Anglinë ose ndonjë tjetër shtet imperialist. Ai këto shtete të tjera herë edhe i ka lëvduar. Kështu ai vepronte sipas momentit, sipas situatës politike, sipas interesave të klasës sunduese për të cilën këndonte. Nuk është çudi kur Fishta në poemën heroike-komike “Palok Cuca” vërsulet kundër Italisë dhe shtëpisë Savoia, sepse po ai Fishtë (shtëpisë Savoia) më 1940 do t’i urojë fitore glorioze në telegramin që i drejton Viktor Emanuelit me rastin e 40-vjetorit të mbretërimit të tij. Fishta kritikon qeverinë e Tiranës në “Gomarin e Babatasit”. Ai këtë bënte në një situatë kur Zogu me klikën e tij s’po vendosnin dot se cilit imperializëm t’i shiteshin. Si shumë personalitete të mohuara, apo të lëna në harresë nga pushteti dikatatorial, edhe Gjergj Fishta ishte një elitë e mohuar.

***

Referenca:

Wikipedia

Albprodkt:19-shtator, 2018, Admin

Shkodër.net

Https//enciklopedishqip.fandom.com

Https//Zanimalsisë.com


41 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page