top of page

Myzafer Ramzoti: FALEMINDERIT PËR EMOCIONET QË MË DHUROVE !

FALEMINDERIT PËR EMOCIONET QË MË DHUROVE !

( Mendime rreth vëllimit poetik “Balada të pambaruara”të poetit Agim BAJRAMI ).

     Dikurë, një shekull e gjysëm më parë , tek lexonte poetin tone të madh Jeronim De Radën, Lamartini shkruan: - “Poezia ka lindur në brigjet e vendit tuaj dhe atje duhet të kthejë!”

     Kjo thënie i shkon për shtat me së miri poetit tone, bilbilit të ëmbël të vargut me aromë deti të qytetit tone, zotit Agim Bajrami.

          “ Lumi nuk duket, por ndihet prania

          Nga gjëmimi i ujrave,që rrjedhin me zhurmë,

          Pranë rrjedhës së tij,rrodhën vitet e mija,

          Prandaj të kam thënë, se unë ndihem,

                         pak lumë.

               ( Ode dashurie për lumin e fëmijërisë sime )

       – thotë poeti në poezinë hapëse të vëllimit “Balada të pambaruara” dhe, kjo rrjedhë, kjo energji do të ndjehet e freskët dhe e fuqishme në poezitë e të gjithë vëllimit.

     Ai ishte banorë i Elbasanit, mik i dashnorit dhe lëvruesit të poezisë Milianiv Kallupit, por Agimin e rrëmbeu rrjedha e shkumbinit që e holli në detë në qytetin tonë të bukur. Ai endet rrugëve të këtij qyteti mikpritës dhe nën muret e kalasë ndjen aromën e Atdheut, ndjen aromën e të parëve tanë përzier me aromën e qitrove, të ullinjve me gjelbërim të përjetshëm, dhe pse jo ndjeu dhe jehonën e tringëllimave të armëve e të betejave të lashta të shpërndara në vitet historike që, kur erdhi ai, kishin heshtur. Të gjitha këto i sillnin në mëndje plagët e përgjakura të masakrës greke në vitet e hershme të emigrimit. Nën hijen e mureve të kalasë ai ndjeu se si ende i ulërin gjaku, se ende lëkura drithërohet nga malli i pashuar i të parëve, mbushet me dashurinë e vrarë të Vasiliqisë që ëndërron e vajton pashain, Vasiliqisë që ende sheh në odatë e kalasë së Janinës Veliun ambicioz apo Thanas Vajën besnik që tret sytë përtej Janinës , Janinës së harruar në këngët e tepelanasve të lashtë e të atyre të rinj që ende s’e kanë braktisur as në vallet e dasmave :

         “ Kaluam pranë Janinës dhe s’u ndalëm

          Nuk ndërrova me Vezirin asnjë fjalë

          Tashmë zëmërata e tij do më ndjekë mbrapa

          Edhe pse i vdekur, s’do më falë…”

                (“Baladë e munguar për Janinën”)

     Të gjithë ata që kanë vizituar Parisin kanë shkruar për të. Parisi të befason. Atje të gjithë mrekullohen dhe përsërisin njëri – tetri sepse të gjithë rendin e flasin për mrekullitë e ndërtuara në shekuj. Të gjithë mbeten të mahnitur nga vetë ai që ka kënduar Marsejezën, që ka vrarë mbretër, që ka luftuar me botën, që ka mundur botën, që i është imponuar botës me kulturën shekullore që buron nga shpirti i atij populli liridashës. Poeti shkruan e nuk përsërit sepse:

          “ Sot mbi Senë, gjithë mjegullat janë tretur

          Gjithë peisazhet ndërruan menjëherë

           Ndofta ky ylber i fshiu me vetull

           Dhe i ktheu si veten në ylber”

                 ( Paris ).

     Me aq sa e njoh unë Agimin ai nuk është besimtarë e, aq më tepër – Panteist, por në poezitë e tij ndjehet kudo fryma që e gjallëron atë , që e bën të dashurohet me natyrën, me dimrin që sjell shira, me diellin që ndrit, me zogun që i trembur bie nga pema dhe vdes, me frutat që bien ende pa u pjekur në tokë dhe, të gjitha këto ashtu siç e frymëzojnë poetin, ashtu frymëzojnë edhe lexuesin që shijon vargun i cili depërton fuqishëm në shpirtin e tij. Kjo frymë nuk vret edhe pse gjëmon. Ai, përkundrazi, përkëdhel me dhimbjen e dukurive natyrore shpirtin e lexuesit që preket thellë e mahnitshëm në ndjeshmërinë e tij si tek poezitë : - “Vetmi peme”, “ Fantazi”, “Fluturimi i zogjve me pupla të murme”, “Refuzim!” apo “Xhaketa e vjetër” që nga idea përbëjnë një cikël me poezi që të fton të jetosh e të shijosh gjithçka që na servir natyra dhe njeriu. Të duket se në çdo gjë, në çdo dukuri, më bukur se kudo gjenë frymën e të madhërishmes që dikurë ishte motiv kryesorë edhe për Babain e poezisë shqipëtare, Naim Frashërin e madh.

          “ Do kishte dalë një tabllo e bukur

          Më e bukur nga gjithë tabllotë, që kam parë

          Me ballo gjethesh të pafundme

          Me rreze dielli ngjyrë ar,

                       ( Fantazi )

      Kështu autori me fantazinë e tij rrëmben dhe lexuesit e i fut në peisazhin e poezisë së tij, në folenë e dashurisë së tij që ka lënë gjurmë tek ai duke hapur shtigje përfytyrimi në mendjen e lexuesit të apasionuar.

     Dashuria e tij është kaq e madhe, aq e fortë sa lë vragë në jetën e krijuesit dhe të lexuesit. Ajo merr fytyra të mrekullueshme e të mahnitëshme grashë që vijnë ëmbël, që shetisin në trotutaret e “ qytetit D”, në rrugicat e lagjes, në vitet e rinisë, në hovet rinore, në ditët plot ëndërrime të pa imagjinuara. Dashuria e tij është e shëndetëshme, e bukur, plot jetë e hirplotë. Në to gjenë njeriun qytetarë që kërkon, që gjenë e që vlerëson të shëndetëshme shoqen e tij të jetës.

     Edhe në këtë vëllim ai i mbetet besnik poezisë së traditës, që i jep vlerë mesazhit që përcjell nëpërmjet figurës së pasur e të goditur letrare. Kjo e bën të pranueshëm e të këndshëm leximin dhe të kuptueshme idenë. Poeti bisedon me erën, me erën që ftoh e që ngroh, që kthjellon mendjen e nxit zemrën të flasë pa pushim për rrugët e qytetit të lagur, të flasë me zogjtë dhe pse nuk e ka mësuar kurrë gjuhën e tyre dhe që, megjithatë, dinë të përcjellin figurshëm mendimin brilant të poetit. Traditën ai e çmon, e ndjek por dhe e përsos, e përsos deri në atë masë sa mbetesh i befasuar, mbetesh gojëhapur, i shokuar për të rrokur mrekullinë e mendimit të tij. S’ke se si të mos humbasësh në mendim, sesi të mos befasohesh kur lexon: -

          “Drithërues trupi nën fustan

          Dy sytë me ndrojtje përlyer

          Mua më ngjante si një xham

          I gatshëm për tu thyer.”

               ( E brishta )

     Apo :

          “ Ka vetëm një kohë në kujtesën tonë

           ( Kur ti më flet në celularë)

          Atëherë dhe fjalët me notat ngjasojnë

          Dhe bëhen kuaj të bardhë

          ..................................................

          Në skenë ndërrohet fusha e ores

          Akrepat bëhen balerinë

          Ata nga vallet kurrë nuk lodhen

          Se koreograf kanë dashurinë.

             ( Kohë dashurish )

     Agimi luan mrekullisht me kontrastin, me antitezat, me të kundërtat. Kalimi nga njëra gjendje në të kundërtën e saj është i shpejtë, por edhe pse kontrasti është i fortë , te lexuesi vjen ëmbël, pranueshëm, pa tronditje e si me përkëdhelje.

          “S’po më lë kohë ky dimër,

          Të të ndjej brenda vetes

          ( Të ti ngjyros me diell sytë)

          Acari i mbrëmjes ngriu gjithë sheshet

          ( Pas pak do nisin stuhitë)

          ...............................................

          S’po më lë kohë ky dimër, të ndërtoj

                              Një parajsë

          Prej puthjesh dhe sysh ëndërrimi

          Prandaj nga inati, më vjen të pëlcas,

          Dhe dimrin ta shaj me fjalë dimri

          S’po më lë kohë ky dimër!

                  ( Dimër )

     Në këtë drejtim jamë plotësisht i një mendje me të nderuarin Z. Fatmir Minguli kur shkruan: - Poezitë e librit “Balada të pambaruara” janë balada të një shpirti poeti që përjeton jetën e popullit të tij që ndjen si ajrin e Adriatikut dëshirën e bashkimit të njerëzve. Ai luan me lojën e pambarimit, prandaj baladat dhe pse përmbajnë në barkun e tyre historitë e hershme vazhdojnë të jenë preja e Agim Bajramit dhe baladat vazhdojnë….

     Shpirti i poetit Agim Bajrami nuk njeh lodhje. Ai është në kërkim. Syri i tj është në vëzhgim të ideve dhe dukurive që interpretohen në vargje që depërtojnë ëmbël te lexuesi që shijon ndjenjat ashtu si edhe poeti. Të tilla, të bukura, të mrekullueshme më tingëlluan poezitë “ Vajzë në shi”, “Sapo nisën shirat e parë”, “Hëna e natës së shkuar”, “ Në mungesë të detit”. Poeti si çdo poet nuk ka sesi të mos jetë shpirtdhembur, shpirtdhembur edhe në fatkeqësi, me varfërinë përbuzëse, në sharjet dhe në humbjet. Ai qanë për dhimbjen e një njeriu, qanë për një zog që vdes, e s’ka se si të mos qajë për një lejlek të vrarë, për një fole të braktisur në lagunë : -

          Lejlekët s’do vijnë më midis nesh

          Peisazhet pa ta s’do ngjajnë si pikturë

          Qielli përgatitet të fshihet pas resh

          Dhe kronikat e vdekjes, t’i gdhend

                                       Në lëkurë...

               (Nekrologji për lejlekët e luginës )

     Ide e mendime të tilla të holla e të dhembura na përcjellin shumë poezi si “ Vrasja e kumbullës së kuqe” apo “ Kishë e braktisur” :

          Kalon një makinë me një kumbull të vrarë

          ( Pika gjaku pikojnë në asfalt )

          Nga pas i ndjek ky mëngjes duke qarë

          Dhe psherëtimat e mija, të verbra, pa trajtë

             ( Vrasja e kumbullës së kuqe ).

     Kam lexuar shumë letërsi, shumë poezi dhe vërej te Agimi një dukuri që e gjen në çdo poezi të tij. Mjafton një indicje, një ngacmim sado i vogël që ti tërheqë vëmendjen që ai, me fantazinë e tij ta ngrej në piedestal duke i dhënë përmes vargut, rimës, ritmit e figurës letrare përmasa të bukura përgjithësuese njerëzore bile, edhe duke kritikuar me finesë edhe dukuritë negative. Te poezia e tij gjenë ndjenjën në evolucion, gjen ndjenjën në pështjellim, dhe poetin që distancohet duke i dhënë udhë atij ngacmimi sa të bukur aq dhe human.

          Në mbrëmje dihet, jam me zogjtë

          ( Me këngët e tyre unë jam rritur )

          Ata janë gati në çdo orë

          Të më çojnë në qiell, për të shetitur.

          ……………………………………………………….

          Me krahët e tyre përqafuar

          ( Gëzimi im del e tepron )

          Ti mos më shih e zëmëruar

          Me ty do shihem… pak më vonë.

            ( Pak fjalë për uikendet e mia )

     Megjithatë, në këtë mrekulli vargjesh, vërej se frymëzimi, gurra e këtij frymëzimi vjen nga çfar ai vështron dhe kjo i shërben si bërthamë vetë poezisë, ajo është kapsula biologjike nga ku shpërthen figura letrare, vargu, madje dhe e gjithë poezia. Pra, mjafton një sekond realitet, një vështrim i kufizuar që ai të ngrej në vargje një grehinë të tërë poetike duke bërë ngjizjen me tharmin e tij që e ndez në shpirtë. Asgjë te ai nuk bëhet me të kërkuar apo me arësye të ftohtë. Në poezinë e tij çdo gjë shpërthen në qenie, shpërthen në mendim e në ndjenjë. Ai, edhe kur kritikon, duket se të ledhaton me keqardhje. Kështu ndodh te “ Shtëpia e hijeve”, apo “ Edhe një herë për idiotët”, etj.

     Në këtë vëllim, më thekshëm se në të tjerët më parë, Agimi është mjeshtër i fjalës. Teksa lexon poezitë, e kupton , se është shprehja, është fjala, është vargu i tij që të mbërthen si në një lak për të na gozhduar aty ku jemi; pa rreshtur së lexuari poezi pas poezie deri në fund të vëllimit. Mjaftoi të lexoja poezinë e parë tek hapa kalimthi librin, të ndjeja forcën magjike të fjalës së tij, që më tërhoqi si një magnet. Në mënyrë të pa vullnetshme, hapa faqen tjetër dhe ndesha pëisazhin që ai kishte ndërtuar. Kështu pezia rrodhi brenda qenies time ashtu siç kish ndodhur dhe vite më parë kur shkrova rrëth vëllimeve “ Ditarët e mjegullës” dhe “ Ylberë pa lamtumirë”. Në këtë vëllim, nga poezia në poezi, fjala bëhet më e zjarrtë, ashtu si vetë poeti me fluturimet e vrullshme të mendimeve të tij.

     I përpirë nga ajo që po lexoja dhe, edhe pse nuk isha plotësisht i bindur, Cvajgu kishte plotësisht të drejtë kur shkruante: - … poetët nuk janë gjë tjetër veçse shprehja më e fuqishme, dëshmia shpirtërore më e arrirë e gjithë një brezi, paraqitja më e ndjerë e një epoke”

     Nga poezia në poezi, deri në të fundit Agimi zgjeron horizontin e krijesave të tij, thellon mendimin duke u përpjekur të depërtojë në thelbin më ekstrem të së mirës, duke shpërfillur enkas të keqen, të pamundurën, duke menduar për më pozitiven duke luftuar për të bukurën dhe pse , pranë saj, pranë të bukurës , frymon e gjallon dhe e shëmtuara. Këtë mendim më sjellin në mendje poezi të tilla të arrira si “ E keqja më e madhe…” e, sidomos “ Baticë…” ku thotë:

          Batica që erdhi i nxorri në breg të gjitha

          Peshqit e vrarë dhe gaforret e vogla

          Unë zura të eci mes tyre majë gishtash

          Që të mos ua shkelja kufomat.

          ……………………………………………….

          Mbështjellë i tëri me mërzi

          Dhe parandjenja kaq të trishta

          Ky det i përbuz krijesat e tij

          Sidomos ato më të brishtat.

                  ( Baticë...)

     E çmoj këtë poezi se në të kur e lexon nuk mund të mos vësh re bukurinë e gjuhës në formën e saj drejtë perfektes, në formën e saj më të bukur të lulëzimit rinorë, s’ka se si të mos vësh re aftësinë e tejskajshme të zotërimit e të përdorimit të saj për të prekur e deportuar në shpirtrat tanë. Ai është poet dhe, si i tllë e din më mirë se kushdo se si duhet përdorur gjuha, se si duhet krijuar me të për ta përsosur atë që i servir lexuesit. Besoj se lexuesi, ashtu si unë , duke lexuar arrin të ndjejë se poezia e Agimit merr frymë, jeton si të jetë një qenie e gjallë.

          Në rrugicat e parkut, nga ty s’duken gjurmë

          Përveç ca fëmijë e ca gjyshe

          Unë e di, që ti vjen, kur s’e kam mendjen unë

          Se ti s’bën dot ndryshe.

          …………………………………………………

          Do t’mi zësh sytë me gishtërinj

          (Lojrat e tua i njoh mire )

          Përballë meje do të shfaqesh

          Sikur prej tokës të kesh mbirë.

          .......................................................

          Unë si përherë do të buzëqesh

          Dhe do çliroj një psherëtimë

          Se ti e di, pa pranin tënde

          Unë rralllherë mbushem me frymë.

           (Nëse ti s’vjen )

      Teksa lexon poezitë” Më kish thirrur deti…”, “Rekuijem për fenerin e portit”, apo “Vrull misterioz” s’ ke se si të mos ndjesh furtunën që shfrynë drejt bregut, por edhe drejtë lexuesit, s’ke se si të mos ndjesh klithjen e fuqishme të pulëbardhave e oshëtimat e detit që vijnë duke gulçuar e fërgëlluar në mijra dallgë. Në vazhdim, lexova poezinë “ Busti” dhe mbeta i menduar e i dyzuar. Ëmbëlsia dhe butësia e lirikës, drita e saj sikur u zbeh në befasi. Poeti po shprehte ashpër qëndrimin e tij fshikullues dhe kjo, më pëlqeu. Kuptova se poeti lirik sheh rreth e rrotull edhe të shëmtuarën të cilën din ta godasë e fshikullojë me finesë përcëlluese.

          I a ngritën dhe një bust të ri

          Një monstre këto ditë

          Ata që ja ngritën janë të njejtë si ai

          Kjo gjë nuk më habit.

          …………………………………………….

          Në shesh partiakë të çdo ngjyre

          Mes tyre dhe shumë qen

          Por njerëzit shkojnë në punë të tyre

          Askush kokën s’ia kthen!

                 ( Busti )

     Dhe , pasi bisedon me zogun në tavolinën e tij vajton me fjalë e nota të thekshme dashurie për sivëllezërit e tij poetë sarandiotë. Kjo poezi është një lapidarë në një piedestal të thjeshtë, port ë mrekullueshëm dashurie. Poetët nuk vdesin, ata ngjiten drejtë qiellit, drejtë parajsës duke lënë mes nesh nëpërmjet poezive , shpirtin e tyre të etur për liri e drejtësi.

     Vëllimi vazhdon me tre- katër poezi të tjera me vlera të pa diskutueshme, por unë mendoj ta përfundoj këtë shkrim me një mendim, ndofta të gabuar, që vlen të kihet parasysh nga çdo krijues : - më shijojnë krijimet e ëmbla e të bukura në ide e në ndërtim, por nuk duhet të mendojmë se rreth nesh ka vetëm gjëra të bukura. Agimi në këtë drejtim nuk vuan. Ai ka vështrim të thellë, depërtues dhe, në këtë vëllim, vështrimi i tij është i thellë, është vështrimi i poetit që futet në qoshet më të fshehta, duke vëzhguar të bukurën dhe të shëmtuarën, i mahnitur e i zemëruar nga ajo që sheh e dëgjon, i shtyrë nga tundimi për të mësuar gjithçka sepse ai është pasqyra e asaj që sheh, dëgjon e përjeton, ai përgjithëson, drejton e dënon të mirën dhe të keqen sepse kërkon që me artin e tij të kontribuojë që shoqëria të bëhet më e bukur e më e përgjegjëshme.

     Agimi ka aftësinë e mrekullueshme të vërtitet në këto hapsira të ndritura e të errta, ndërkohë që, gjatë një dite me diell, nën presionin e punës e të ndjenjës, ndjeshmëria e shpirtit e ka pushtuar këtë njeri vëzhgues e krijues, këtë qenie të pasionuar të poezisë, që të zhytet në të bukurën e në të shëmtuarën me të njejtën ndjenjë e thellësi. Te ai vullneti i poetit është i palëkundur për të zbuluar të veçantën, e mire, e bukur apo e shëmtuar qoftë me qëllimin e mire që ta bëjë shembull për shoqërinë. Më duket se këtë mision Agimi, me krijimtarinë e tij , po e kryen më së miri. Ai është njeriu i netëve pa gjumë, është njeriu që kërkon e qëmton idenë, njeriu që e lëmon atë derisa t’i japë formën e duhur, që nëpërmjet shprehjes , kuptimi të jetë i qartë e plot ngjyra. E bën këtë edhe pse e din mirë se kjo veprimtari cfilitëse dhe e pa dukshme e poetit shpesh herë mbetet e pa shpërblyer, e din këtë por është nga ata që nuk heq dorë së rrëmuari e së shprehuri bukurinë e ngrohtësinë e mrekullueshme e të pa arritshme të jetës nëpërmjet poezisë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page